Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Bosnjëzimi i Kosovës
E enjte, 17.06.2021, 09:14 PM
Blerim Latifi:
Qëllimi
i Serbisë nuk është thjesht Asociacioni i Komunave Serbe. Është qëllim më
ambicioz. Është qëllimi i bosnjëzimit të Kosovës. Problemi ynë është se këtë
projekt ne po e kuptojmë veç në terma politiko-administrativ, e nuk po e shohim
dot dimensionin kulturor të tij. Serbia po investon shumë në bosnjëzimin
kulturor të Kosovës. Ndërtimi i qindra xhamive vahabiste në qendrat dhe
hyrje-daljet e qyteteve e fshatrave të Kosovës është në funksion të këtij
qëllimi: të duken shqiptarët jo si një komunitet sekular dhe me identitet
kombëtar europian, por si një komunitet thellësisht fetar, me orientime
identitare lindore, siç janë muslimanët e Bosnjes. Kur të arrihet bosnjëzimi
kulturor i Kosoves, atëherë bosnjëzimi politik i saj bëhet pothuajse i pashmangshëm.
Natyrisht krejt ky operacion, ky inxhiniering i madh, është duke u drejtuar nga
shërbimet e inteligjencës serbe. Intelektualët tanë heshtin, sepse janë
frikacakë, disa janë të blerë e shumë të tjerë nuk janë në gjendje të kuptojnë
se çfarë po ndodhë. Për politikanët nuk ke se çfarë të thuash, veç faktit se
atyre u intereson vetëm pushteti dhe votat, për të cilat janë në gjendje të
bashkëpunojnë me secilin që ua ofron ato, pavarësisht se kush është ai dhe për
çka angazhohet. Këtu njerëzit nuk po arrijnë dot ta kuptojnë një fakt të
thjeshtë: sa më shumë që ngrihen tempuj vahabistë anë e kënd Kosovës, aq më
shumë rritet fuqia ndërkombëtare e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe,
rrjedhimisht, shtohen edhe zërat ndërkombëtarë në mbështetje të pretendimeve
serbe në Kosovë. Sot shërbimet inteligjente në botë nuk merren me eleminime
sekrete të njerëzve, por me beteja ideologjike e kulturore, efekti politik i të
cilave duket më vonë.