Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Normandi, 1944, Dubravë, 1999
E shtune, 22.05.2021, 07:19 PM
Normandi, Francë, 1944, Dubravë, Kosovë, 1999
Nga
Prof. Blerim Latifi
Shkrimtari
i famshëm francez Zhan Pol Sartri shkruan se “fashizmi nuk përcaktohet nga
numri i viktimave që shkakton, por nga mënyra se si i vret ato”. Kur në qershor
të vitit 1944, trupat aleate bënë zbarkimin e madh në Normandi të Francës,
nazistët urdhëruan njësitë e SS-ve që t’i pushkatojnë të burgosurit nëpër
burgjet e zonës, ku kishte ndodhur zbarkimi i aleatëve anglo-amerikanë. Në
mesin e këtyre pushkatimeve, më e njohura është Masakra në Abacinë Ardenne, në
të cilën u masakruan dhjetëra të burgosur. Qindra të burgosur të tjerë u
ekzekutuan në dhe rreth qytetit të Caen-it, i cili ndodhet afër Normandisë.
Nëse
ka një ngjarje analoge me këto masakra, ajo është Masakra në Burgun e Dubravës
në majin e vitit 1999, masakër në të cilën njësitë ushtarake serbe vranë mbi
160 të burgosur shqiptarë, e qindra të tjerë mbetën të plagosur, pikërisht në
ditët kur intervenimi i NATO-s kundër Serbisë ishte në kulminacionin e tij.
Por,
derisa metoda e krimit është e njëjtë, motivi fashist i masakrave poashtu i
njëjtë, trajtimi i tyre nga drejtësia ka qenë i ndryshëm. Për masakrën naziste
të qershorit 1944 në Abacinë Ardenne është bërë gjyqi i disa prej autorëve të
saj. Ndërkaq, për masakrën serbe të majit 1999 në Burgun e Dubravës, askush
deri me tani nuk është gjykuar e lëre më dënuar.
Fashizmi
serb është fashizmi i vetëm në Europë që vazhdon të mbetet i padënuar. Dhe ne e
dimë, qysh nga kohërat e tragjedive antike greke, se krimet e padënuara
ndjellin gjithmonë krime të reja.
________
Në
Koshare luftohej për jetë a vdekje; ditën dhe natën. Në natën e 21 majit ne
humbëm njërin nga luftëtarët më trima të Kosharës, Xhemshir Islamin, nga
Mikushnica e Skënderajt. E pata takuar në Tropojë dhe duke qenë se vinim nga dy
fshatra të lidhura ngushtë me njëra tjetrën, u bëmë menjëherë shumë të afërt.
Jetonte me ëndrrën për ta prekur edhe njëherë tokën e vendlindjes së tij, të
cilën kishte aq kohë pa e parë, por historia kishte ruajtur një fat tjetër për
të, atë të dëshmorit të lirisë. Me kalimin e kohëve fuqia e harresës zhdukë gjithçka.
Vetëm ata që vdesin për liri mbesin të paprekshëm prej saj.Përgjithmonë.
________
Amerikanët
ka javë që po bëjnë stërvitje ushtarake në Shqipëri, rusët, ndërkaq, sot paskan
filluar një stërvitje të tyre në Serbi. Trupat e Ushtrisë së Kosovës janë duke
marrë pjesë në mision ushtarak në Kuvajt përkrah ushtrisë amerikane, ndërsa
mercenarët serbë përkrah forcave proruse në Ukrainë. Amerikanët po mbështesin
Izraelin, ndërsa Rusia dhe Irani Hamasin. Një qartësi e plotë gjeopolitike dhe
gjeostrategjike, e cila po errësohet herë pas here nga budallakitë tona të
përditshme politike.
________
Volteri
në shtratin e vdekjes. Një klerik i lartë i Parisit i shkon një ditë për t'ia
mundësuar rrëfimin para se të vdiste.-Kush të ka dërguar?- e pyeti Volteri.-
Zoti, ia ktheu kleriku. - Më trego autorizimin e tij, i tha Volteri. Kleriku i
mbetur pa fjalë, u ngrit dhe iku. Ndihmësi i Volterit e dëgjoi Volterin tek
fliste me veten: Tërë jetën kam pasur punë me njerëz të tillë që flasin në emër
të Zotit pa marrë lejen e tij.
________
Ky
avokati francez i Berishës paska gradë shkencore në filozofi. Kështu janë
filozofët, kur t’u teket bëhen juristë, avokatë, psikologë, sociologë, teologë,
kritik arti, e të tjera. Kështu ka qenë që nga koha e Sokratit, i cili tallej
me budallakitë juridike të Athinës dhe Ciceroni, që me filozofinë greke i bënte
telash të gjithë në Senatin e Romës. Veç politikanë disi nuk u shkon për dore.
Edhe këtij avokatit të Berishës i paska ecur keq puna në politikë.Krejt fajet i
ka Platoni.????