Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Me politikanë të vegjël nuk mund të ndriçohen rrugët e vështira në natën e errët të historisë
E hene, 28.06.2021, 07:00 PM
Me politikanë të vegjël nuk mund të ndriçohen rrugët e vështira në natën e errët të historisë
Nga
Blerim Latifi
Gjëndja
aktuale në dialogun Kosovë - Serbi i ngjan asaj vijës së frontit ku dy palët
ndërluftuese janë barrikaduar në transhetë e tyre pa mundësi të bëjnë më tutje,
qoftë mësymje, qoftë tërheqje. Në Beograd askush nuk guxon ta mendojë pranimin
e pavarësisë së Kosovës, sepse askush nuk do të mund t'i përballonte akuzës për
tradhti kombëtare dhe fundit të sigurtë politik. Njëjtë është në Prishtinë:
askush nuk guxon ta mendojë pranimin e një autonomie për serbët e Kosovës,
sepse etiketën e tradhtarit dhe fundin politik do t'i ketë të gatshme
menjëherë. Strategjia e Bashkimit Evropian për t'i nxjerrë palët nga transhetë
e tyre është krejtësisht e kotë, sepse ajo bazohet në politikën e padobishme të
ndërmjetësimit pa imponim dhe në premtimin e integrimit të dy vendeve në
Bashkimin Evropian, në kohën kur procesi i zgjerimit të tij praktikisht është i
vdekur. Në anën tjetër, edhe administrata e presidentit Biden nuk duket se ka
ndonjë qasje për ta zgjidhur shpejtë dhe përfundimisht problemin Kosovë- Serbi.
Kështu që të gjithë treguesit flasin për vazhdimin e status quosë, në të cilën,
sipas asaj shprehjes së famshme, gjërat lëvizin, por asgjë nuk ndryshon.
Politikanët e dy vendeve do të vazhdojnë të shkojnë në Bruksel, mediat do të
vazhdojnë t'i përcjellin dhe komentojnë takimet e tyre, por në fund të ditës a
vitit asgjë nuk do të ndryshoj. Natyrisht, Serbia ka mundësitë që t'i përballojë
shumë ma mirë se ne rraskapitjet e dialogut të pafrytshëm, ndërsa ne, sipas të
gjitha gjasave, këto rraskapitje do t'i përdorim për t'i qëruar hesapet me
njëri- tjetrin në luftën e brendshme për pushtet dhe për ta dobësuar edhe më
shumë shtetin tonë. Rusia, e cila ka vite që ndjek strategjinë e saj të madhe
për t'i diskredituar dhe destabilizuar demokracitë perëndimore, do të vazhdojë
t'i fryej zjarrit të kaosit në Ballkan, kaos i cili do të kapitalizohet nga të
gjithë ata që duan pushtet, pasuri dhe ndikim jashtë rregullave demokratike të
sundimit të ligjeve. Autoritaristët e të gjitha ngjyrave në Ballkan janë
aleatët e heshtur të Rusisë në këtë qëllim. Kështu, ne, duhet të mësohemi për
të mbijetuar në një situatë gjeopolitike, në të cilën Rusia do kaos, Bashkimi
Evropian nuk ka fuqi për të imponuar zgjidhje, ndërsa Amerika ndodhet e zënë në
betejën e shekullit me kapitalizmin shtetëror të Kinës që po pushton botën. A
jemi të vetëdijshëm për këtë situatë dhe rreziqet e saj për ekizistencën tonë
të brishtë? Kam frikë se jo. Sepse me politikanë të vegjël nuk mund të
ndriçohen rrugët e vështira në natën e errët të historisë.