Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Hekurudha,''punë e shejtanit''/ Dështimi i Afganistanit
E diele, 15.08.2021, 09:13 PM
Blerim Latifi:
Tërheqja
e amerikanëve nga Afganistani dhe rimarrja e shpejtë dhe e lehtë e tij prej
talebanëve, nxjerr në dukje një fakt bazik: dështimin e Afganistanit për t'u
bërë shtet modern e ligjor.
Investimet
miliardëshe në të gjitha fushat nuk i kanë dhënë efektet e tyre përballë
mungesës së vullnetit të duhur për të ecur përpara dhe korrupsionit sistematik
të elitave drejtuese vendore. Dhe siç ndodhë rëndom në histori e kaluara
rikthehet gjithmonë kur planet për të ardhmen dështojnë.
Ka
20 vite që ne e injorojmë këtë leksion, ndërsa Serbia vazhdon të investojë
pandërpre në strategjitë e dështimit të shtetndërtimit të Kosovës. Sepse ajo e
di se vetëm duke dështuar ky shtetndërtim, rikthimi i saj në Kosovë mund të
vihet në shqyrtim.
Aleati
më i madh i talebanëve ishte korrupsioni i shfrenuar i institucioneve të
derisotshme afgane. E njëjta rregull vlenë edhe në Kosovë: edhe këtu aleati më
i madh i Serbisë është mentaliteti i korrupsionit, i zhvatjes dhe i fiseve në
institucionet e shtetit të Kosovës.
Amerikanët
të mbrojnë nga agresioni i jashtëm, por kur t'i zgjedh të bësh vetëvrasje me
duart e tua as Amerika dhe askush tjetër nuk mund të të shpëtojnë nga vetja.
Në
foto: talebanë në zyrën e ish presidentit afgan
_________
Siç
dihet hekurudha e parë në Kosovë u ndërtua në vitin 1874. Ajo lidhte Shkupin me
Mitrovicën dhe ishte vazhdimësi e linjës hekurudhore Shkup-Selanik. Në fillimet
e punimeve konsulli austro-hungarez në Shkup raportonte në Vjenë se në afërsi
të Prishtinës kishin ndodhur trazira. Popullata e qytetit, bashkë me të parët e
tij dhe klerin, po kërkonin që hekurudha të mos kalonte afër qytetit, sepse,
sipas tyre, ajo ishte punë e shejtanit, me vetë faktin se pampuri ecte vetë, pa
e tërhequr kuajt dhe lëshonte një za si të qoftëlargut.
Kështu
projektuesit u detyruan ta zhvendosnin trasenë e hekurudhës larg qytetit, aty
ku është edhe sot në Fushë Kosovë.
Ky
rast flet shumë për injorancën totale në të cilën ishte e zhytur Kosova në fund
të shekullit të XIX.
_________
Afganët,
të cilët Edi Rama, me kërkesë të amerikanëve, ka vendosur t'i strehojë në
Shqipëri, janë armiq të talebanëve. Ata janë pjesa më e emancipuar e popullit
afgan, që për 20 vjet me rradhë u përpoqën, bashkë me amerikanët, për ta
rikthyer atdheun e tyre në botën e lirë dhe moderne. Fatkeqësisht nuk ia dolën
dhe tani janë të detyruar të bëjnë jetën e apatridëve, njerëzve atdhehumbur.
Duke
u dhënë strehim atyre, Shqipëria po e dëshmon edhe njëherë se qëndron e lidhur
fort me aleancën kundër terrorizmit dhe ideologjive që e ushqejnë atë. Në këtë
rast Kosova do duhej pamëdyshje të ndiqte shembullin e Shqipërisë.
Një
nga amanetet e lashta të të parëve tanë ka qenë: Me marrë n'besë të
pambrojturin që të troket në derë. Një amanet ky që e definon vetë kodin e
humanizmit.