Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Pushteti i pakufizuar në duart e njerëzve të kufizuar
E hene, 30.08.2021, 06:37 PM
Blerim Latifi:
Pushteti i pakufizuar në
duart e njerëzve të kufizuar
Është
e pafundme literatura mbi vuajtjet e disidentëve në regjimet komuniste, por
nëse do të bëhej një vlerësim kritik i saj, nuk ka dyshim se vepra "Rrno
vetëm për me tregue" e At Zef Pllumit do të merrte vlerësimet më të larta.
Ajo është e të njëjtit nivel me, ta zëmë, "Arkipelagu Gulag" të
Solzhenjicinit.
Nuk
ka gjë ma të tmerrshme se pushteti i pakufizuar në duart e njerëzve të
kufizuar, mendon Solzhenjicin, derisa përshkruan brutalitetin dhe arrogancën e
policëve sovjetikë. Të indoktrinuar me ideologjinë që pretendonte se kishte
gjetur zgjidhjen finale për të gjitha problemet e botës, ata i jepnin të drejtë
vetes të tregoheshin të pamëshirshëm me kundërshtarët e kësaj ideologjie
totalitare. Kështu edhe zyrtarët me injorantë të regjimit e shfaqnin veten si
njerëz të ditur.
Zbërthimin
e injorancës së veshur me pushtet të pakufizuar e gjejmë edhe në veprën e At
Zef Pllumit. Madje, mund të themi, me nota edhe më tragjike se te
Solzhenjicini. Ja një shembull: Regjimi komunist kishte organizuar një gjyq
popullor të një grupi klerikësh katolikë. Prokurori arrogant duke lexuar
aktakuzën shërbehej me fraza e terminologji marksiste. Në ndërkohë njëri nga
klerikët ndërhyn duke i thënë prokurorit se po e citonte gabimisht Marksin dhe
idetë e tij. Më mirë e dinin Marksin të akuzuarit se sa akuzuesit që thirreshin
në emrin e tij.
_________
Leksionet që harrohen
vazhdimisht
-
Populizmi është instrument efektiv për ta marrë pushtetin, por krejtësisht i
pavlerë për ta mbajtur atë.
-
Parullat emocionale mund të sjellin shumë votues, por ato janë formula të thata
që nuk u japin asnjëherë zgjidhje problemeve konkrete të njerëzve.
-
Reduktimi i të gjitha shkaqeve të problemeve shoqërore në figurën e një Fajtori
të Madh mund t'i nxjerr turmat në rrugë, por të nesërmen e largimit të këtij
Fajtori, njerëzit e marrin vesh se e vërteta është ndryshe.
-
Dikush ka thënë se ka vetëm një mënyrë për ta përgënjështruar populizmin: duhet
lënë që ai të vij në pushtet.
Krejt
këto dihen prej kohësh, por pse asnjëherë nuk merren parasysh nga njerëzit në
momentet e gjykimit politik?
Sepse,
midis një propozimi të komplikuar, por realist, për zgjidhjen e problemeve dhe
një parulle megalomane që premton zgjidhjen e shpejtë dhe të lehtë të tyre,
njerëzit joshen ta zgjedhin parullën.
Njeriu
është homo emblematum, qenie që beson në parulla.
_________
Gjithandej
po kërkohet largimi i Arben Vitisë. Duket kërkesë e natyrshme dhe spontane e
njerëzve që po ballafaqohen me vdekjen dhe shifrat e tmerrshme ditore të saj.
Por
a zgjidhet problemi me heqjen e një ministri dhe sjelljen e një tjetri në vend
të tij?
Sigurisht
që jo, edhe nëse tjetri është supermen. Nuk varet nga dituria ose injoranca e
një individi katastrofa shëndetësore me të cilën po ballafaqohemi. Varet nga
veprimi i organizuar kolektiv dhe në këtë rrafsh shteti ka dështuar ta krijoj
sistemin e luftimit të pandemisë. Natyrisht, për këtë qeveria e ka
përgjegjësinë kryesore, pa e harruar edhe neglizhencën primitive të një mase të
madhe të qytetarëve për marrjen e vaksinave dhe respektimin e masave
parandaluese.
Dikush
i ka ndarë shoqëritë në shoqëri proaktive dhe shoqëri reaktive. Shoqëritë
proaktive janë ato që veprojnë në parandalimin ose minimizimin e dëmeve të një
katastrofe që duket në horizont.
Shoqëri
reaktive janë që reagojnë vetëm pasi katastrofa ka mbrritur. Dhe atë në
shumicën e rasteve në formë paniku.
Ne
definitivisht bëjmë pjesë në këto të dytat.
_________
Në
zgjedhjet e fundit në Serbi Shesheli dhe partia e tij nuk e kaluan as pragun
zgjedhor. Ai sot nuk është kurfarë faktori në Serbi. Është thjesht një kufomë
politike dhe deklaratat e tij askush nuk i merr seriozisht atje.
Përkundër
kësaj, mediat e Kosovë vazhdojnë t'u japin hapësirë të konsiderueshme këtyre
deklaratave.
Si
të shpjegohet ky budallallëk i yni medial? Mbase me faktin se traumat e të
kaluarës marrin shumë kohë derisa të kapërcehen krejtësisht.
_________
Paralajmërimet
ishin të qarta muaj më parë: do të ketë një valë tjetër të Covidit, me tendencë
për të qenë më e rëndë se valët e tjera. Ne, qeveri e popull bashkë, i injoruam
ato, me injorancën tonë tradicionale: Hajt more se kalon edhe kjo!
Qeveria
nuk u lodh hiç, që krahas atyre kontingjenteve të vogla të vaksinave të falura,
të siguronte blerjen e sasive të tjera, në mënyrë që shkalla e vaksinimit të
rritej. Për më keq ajo as nuk mori masa që njerëzit të bindeshin të
vaksinoheshin. Përkundrazi, ajo hoqi dorë nga të gjitha masat parandaluese. Në
anën tjetër, populli nisi të sillej sikur pandemia kishte kaluar krejt dhe
askush më nuk e çante kokën për t'i respektuar masat mbrojtëse. I madh e i
vogël, burra e gra, politikanë e qytetarë, ia krisëm dajrave e valleve në të
katër anët e Kosovës. Profilet në facebook u vërshuan nga fotografitë e dasmave
dhe ahengjeve. Kështu, qeveri e popull, e filluam festën e fitorës mbi
pandeminë para kohe dhe tani po i korrim frytet e hidhura të këtij budallaku
kolektiv.
_________
Kur
e shikojnë nga jashtë një betejë, njerëzit janë të prirur ta marrin atë si një
film western dhe po qenë mendjelehtë ata do ta krijojnë edhe iluzionin se po të
ishin brenda betejës do ta bënin kërdinë.
E
njëjta gjë ndodhë edhe me institucionet: kur janë jashtë institucioneve
njerëzve u duket i lehtë menaxhimi i tyre dhe pastaj nga kjo e sajojnë
iluzionin se po të ishin ata në krye të institucioneve do t'i drejtonin ato më
mirë se gjithkush tjetër.
Vetëm
kur hyjnë në beteja të vërteta, njerëzit e kuptojnë se trimnitë folklorike janë
thjesht hajgare, dhe vetëm kur futen në mekanizmat e ndërlikuar të jetës
institucionale, e kuptojnë se premtimet populiste për t'i zgjidhur problemet sa
çel e mshel sytë, janë thjesht folklor politik.
Por
pse iluzionet shiten gjithmonë, edhe pse realiteti i përgënjështron
vazhdimisht?
Sepse,
siç thotë Volteri, iluzionet janë kënaqësia më e madhe në mesin e kënaqësive të
jetës.
_________
Filozofia
tradicionale mbrojtëse e shqiptarit është "me mbrojtë pragun e
shpisë". Që do të thotë se ne e marrim seriozisht rrezikun veç kur na
prekë neve personalisht. E njëjta vlenë edhe për Covidin.Veç kur na e ngjet
personalisht e besojmë.