E shtune, 05.10.2024, 10:05 PM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Lufta e Spanjës nuk ishte kurfarë lufte e lavdishme

E merkure, 08.09.2021, 09:07 PM


Blerim Latifi:

Sa herë që Kosova ka për të luajtur me Spanjën, dikush kujdeset që të na i përkujtojë shqiptarët që dikur morën pjesë në Luftën e Spanjës, me idenë se shiko se çfarë kemi bërë ne për Spanjën.

Si nuk i lamë kurrë budallakitë e këtilla?

Lufta e Spanjës (1936-1939) nuk ishte kurfarë lufte e lavdishme. Nuk ishte luftë për lirinë e Spanjës. Vetë spanjollët sikletosen kur ua përmendin atë luftë. Për një arsye të thjeshtë : ajo ishte një luftë e llahtarshme civile, e cila, përgjatë tri viteve sa kishte zgjatur, përveç mijëra e mijëra viktimave që kishte shkaktuar, e kishte rrënuar gjithë vendin dhe kombin spanjoll.

Po si u gjetën shqiptarët në atë luftë? Kush dreqin i çoi atje?

Lufta Civile e Spanjës ishte luftë midis forcave të majta ( republikanëve) dhe forcave të djathta ( monarkistëve) për pushtetin në Spanjë.

Të djathtit që drejtoheshin nga Gjenerali Franko mbështeteshin praktikisht nga Hitleri dhe Musolini dhe në mënyrë pasive nga shtetet tjera demokratike të Perëndimit.

Forcat e majta, ndërkaq, mbështeteshin praktikisht nga Stalini. Përmes rrjetit të Kominternit ( Internacionalja Komuniste), Stalini kishte organizuar të ashtuquajturat “Brigada internacionale” për t’u shkuar në ndihmë forcave të majta në Spanjë. Këto brigada përfshinin njerëz me ide komuniste nga e gjithë Europa. Shqiptarët që morën pjesë në Luftën e Spanjës ishin pjesë e këtyre brigadave. Shumica e tyre ishin rekrutuar nga pejani Ali Kelmendi, i cili është ndër të parët që solli idetë komuniste në trevat shqiptare, pas kthimit nga Moska.

Të organizuara keq, me disiplinë të dobët dhe për shkak të karakterit multinacional të luftëtarëve të tyre, këto brigada shpejt u shpartalluan nga armata e disiplinuar e Gjeneralit Franko, i cili në fund edhe e fitoi luftën civile.

Asim Vokshi, Xhemajl Kada, Zef Hoti, e shumë të tjerë që u vranë në atë luftë, ishin thjesht ushtarë të Kominternit , i cili drejtohej dhe përdorej nga Stalini.

Nganjëherë thuhet se ka pasur edhe shqiptarë që kanë luftuar në anën e Frankos, por deri me sot nuk ka ofruar askush ndonjë dëshmi bindëse për këtë.

Historianët thonë se triumfi i aleatit të tyre në Luftën e Spanjës, i trimëroi Hitlerin dhe Musolinin për të filluar Luftën e Dytë Botërore.

Literatura mbi Luftën e Spanjës është e pafundme. Por kush do që të mos lodhet me historiografinë e saj dhe të ketë një përfytyrim mbi realitetin e asaj lufte, mjafton t’i lexojë tri vepra të mëdha letrare : “Për kë bien këmbanat” të Ernest Heminguejt, “Nderim për Kataloninë” të George Orwell-it dhe “Ushtarë të Salaminës” të Javier Cercas. Mos të harrojmë edhe dikur të famshmin e lekturës tonë shkollore, romanin “Hasta La Vista” të Pertro Markos, i cili vetë ishte pjesëmarrës në Luftën Civile të Spanjës.

__________

Ministrja kosovare e punëve të jashtme sërish i paska ngatërruar flamujt e shteteve në një postim në twitter. Nëse njëherë ndodhë një gabim i kësaj natyre, mund të justifikohet disi me faktin antropologjik se njeriu është qenie e gabueshme. Por, nëse gabime të tilla përsëriten vazhdimisht, atëherë kemi të bëjmë me një fakt tjetër dhe pikërisht me faktin se zyra e ministrës së punëve të jashtme të Kosovës është nën mëshirën e një stafi që nuk i merr fare seriozisht punët për të cilat paguhet. Tash nëse keni një ministri që është nën mëshirën e njerëzve që pritojnë edhe një postim zyrtar me verifiku, mundeni me marrë me mend se çfarë rezultatesh mund të priten prej saj në çështje më të komplikuara. Nuk është vetëm korrupsioni problem bazik i institucioneve tona shtetërore. E tillë është edhe kultura e improvizimit të gjërave, kultura e kryerjes së detyrave shkel e shko, sa për sy e faqe. Në fakt improvizimi është formë e korrupsionit. Madje njëra prej formave më të rënda të tij, e që quhet korrupsioni moral.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora