Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Historia e një gryke
E hene, 13.09.2021, 08:20 PM
HISTORIA E NJË GRYKE
Nga
Blerim Latifi
Lugina
që shihni në fotografi shënjon kufirin që ndan rajonin e Drenicës nga ai i
Mitrovicës. Nëpër të kalon rruga që shpie nga Mitrovica në drejtim të Pejës.
Është një luginë e vogël, që në pranverë të mahnit me panoramën e bukur, ndërsa
dimrit të shkakton një ndjenjë të vogël mërzitjeje, me pamjen e zymtë të malit
të zhveshur. Territori i saj i përket Prekazit. Sot lugina dhe mali anash saj
duken të qeta e të heshtura, por e kaluara e tyre është e mbushur me histori të
përgjakshme.Kjo histori qëndron e ruajtur në vetë emrat e tyre. Mali quhet
Klisyra.
Prej
nga vjen ky emër? Cila është domethënia e tij?
Qysh
herët ky emër më kishte intriguar dhe më vonë e pata kuptuar se bëhet fjalë për
një emër me orgjinë greke.
Dikush
mund të pyes me habi: Ç’kërkon një emër grek në toponiminë e Drenicës?
Nuk
ka asnjë mister këtu. Ky emër ka mbetur që nga koha e Perandorisë Bizantine,
gjuha administrative e së cilës ishte greqishtja. Dhe emri “Klisyrë” në
greqisht do të thotë grykë, vend i ngushtë kalimi. Një emër ky që saktësisht e
përkufizon gjeografinë e vendit për të cilin po flasim. Klisyra është gryka
përmes së cilës hyhet në Drenicë, nga
drejtimi i Mitrovicës.
Ajo
që në këtë mes përbën mister është fakti se si ky emër ka arritur t’u mbijetojë
shekujve, pas zhdukjes së Perandorisë Bizantine. Ndoshta rëndësia që kjo grykë
ka patur për banorët e kësaj ane, ka ndikuar që emri Klisyrë të kristalizohet
në memorien e tyre kolektive. Në Mesjetë, por edhe më vonë, grykat e maleve
kanë qenë pikat kryesore në strategjitë e mbrojtjes, prandaj lufta për
kontrollin e tyre gjithmonë ka qenë e ashpër dhe e pamëshirshme. Dhe,
natyrisht, Gryka e Klisyrës nuk bënte përjashtim prej këtij rregulli. Edhe vetë
etimologjia e emrit të luginës së saj e dëshmon këtë. Ajo quhet Vajtesh.
Emri
“Vajtesh” do të thotë vend i vajit, vend i veshur në zi. Aty burrat shkonin për
të vdekur, duke lënë pas fëmijë jetimë, gra të veja dhe shtëpi të mbyllura
përgjithmonë. Në vitin 1907, kur Shemsi Pasha u nis për të shtypur kryengritjen
e Ahmet Delisë, në Vajtesh u bë një kasaphanë e tmerrshme. Pashai turk mundi të
marrë kontrollin e grykës vetëm pasi artileria e tij ia vuri zjarrin Klisyrës.
Në
Luftën e Parë Botërore, ushtria austro-hungareze, gjithë kohën mbajti aty një
qendër të kontrollit ushtarak dhe kur pas tyre erdhën serbët, barakat
austro-hungareze i shndërruan në stacion të xhandarmërisë.
Aty
afër ishin rrënojat e një kishe të vjetër, gurët e të cilës thuhet se shërbyen
për të ngritur këtë stacion. Sot përveç toponimit “ara e kishës” asnjë gjurmë
tjetër e saj nuk ekziston aty. Mbase mund të mendohet një lidhje midis kishës
së vjetër dhe emrit Klisyra. Kisha mund të ketë qenë nën autoritetin e
Patriarkanës së Stambollit, gjuha e të cilës ishte greqishtja. Sidoqoftë kjo
është vetëm një hipotezë logjike.
Në
ditët e revoltës së tij kundër regjimit serb, Azem Bejta njëherë ia kishte dalë
ta shkatërrojë stacionin e xhandarmërisë, por pastaj serbët, nën mbikëqyrjen e
ushtrisë, e kishin ringritur sërish.
Pas
protestave që Hasan Prishtina dhe Fan Noli bënë në Lidhjen e Kombeve për dhunën
që ushtronte qeveria serbe mbi shqiptarët e Kosovës, vendet perëndimore dërguan
një delegacion faktmbledhës në Kosovë. Delegacioni arriti në Mitrovicë dhe prej
andej mori rrugën për në Drenicë. Xhandarët serbë hoqën uniformat, vunë në kokë
plisat e bardhë dhe kur delegacioni arriti në Vajtesh, ata shtinë mbi të.
Delegacioni u kthye pas në Mitrovicë, ku autoritetet serbe u kujdesën t’i
“informojnë” se përgjegjës për të shtënat janë kaçakët e Azem Bejtës.
Ishte
një kohë kur propaganda dhe gënjeshtrat serbe për Kosovën kishin ndikim absolut
në botën perëndimore. Kosova vuante terrorin e skajshëm serb, por zëri i saj
nuk dëgjohej askund dhe Vajteshi vazhdonte të kullonte gjak.
Në
vitin 1941, gjatë Luftës së Dytë Botërore, Vajteshi mori rëndësi ndërkombëtare.
Aty u vendos kufiri midis Gjermanisë naziste dhe Italisë fashiste, deri në
kapitullimin e kësaj të fundit në vitin 1943.
Kur
në dimrin e vitit 1945, Shaban Polluzha nisi kryengritjen kundër partizanëve të
Titos, gjëja e parë që bëri ishte dërgimi i një batalioni për ta bllokuar
grykën në Vajtesh. Një muaj më pas, kur brigadat partizane arritën të marrin
grykën, fati tragjik i kryengritjes së Shaban Polluzhës u vendos. Ende sot, aty
rrotull, nëpër mal, gjenden varret e shumë luftëtarëve të Shaban Polluzhës që u
vranë në përpjekje për të ndaluar partizanët komunistë të hynin në Drenicë. Të
gjitha janë varre luftëtarësh të panjohur. Kur po shetisja aty pari, u nisa t’i
gjej dy prej këtyre varreve që ua dija vendin qysh prej fëmijërisë, por rrugët
e vjetra në mal ishin mbyllur nga vegjetacioni i dendur dhe m’u desh të
kthehesha pas.
Dekada
më vonë pas rënies së atyre luftëtarëve të panjohur që prehen në ato varre, kur
shpërtheu kryengritja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, serbët vrapuan të
marrin nën kontroll grykën e Klisyrës. Vendosën aty njësi të rregullta
ushtarake dhe gjithë zonën përreth e minuan. Pas luftës, për shumë muaj nuk
guxuam të hynim në pyjet e saj, derisa erdhën njësitë e KFOR-it dhe e deminuan
territorin.
Ngjarja
e fundit e zhvilluar në këtë vend ishte ajo e 8 shtatorit 2018 kur një numër i
madh qytetarësh vunë barrikada në rrugë për të mos lejuar kalimin e presidentit
serb Aleksandër Vuçiq në drejtim të Pejës.
Vuçiqi u kthye pas. Pasardhësit e rojtarëve të vjetër të grykës më në
fund e kishin përmbushur ëndrrën e këtyre rojtarëve : ta bënin grykën të
pakalueshme për armiqtë.