Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Diskursi i Vuçiqit është i njëjtë me atë të Millosheviqit
E diele, 26.09.2021, 07:46 PM
Blerim Latifi:
Nëse
i lexojmë me vëmendje deklaratat e Vuçiqit mbi zhvillimet e fundit në veri,
atëherë e shohim se diskursi i tij në thelb është i njëjtë me atë të
Millosheviqit. Gjithë kohë flet për "pafajësinë e popullit serb", për
"vuajtjet dhe viktimizimin e tij nga të tjerët". Krejt si
Millosheviqi, i cili e nisi përgjakjen dhe masakrat në ish Jugosllavi pikërisht
nga një fjalim mbi "viktimizimin e serbëve nga shqiptarët", të
mbajtur në qershorin e vitit 1989 në Gazimestan.
Na
e ka treguar historia, në kush e di sa raste, se kur liderët serbë bëjnë poza
të viktimës në Beograd, ata në fakt janë duke mprehur thikat për viktimat e
vërteta të ambicieve të tyre të pashërueshme për ta bërë Serbinë shtetin
hegjemon në rajon.
__________
Vendimi
për reciprocitetin e targave është vendim i duhur. A është zbatuar ky vendim
për efekte elektorale, siç po thotë opozita? Kjo pyetje ka rëndësi për
opozitën, por nëse ky reciprocitet funksionon, atëherë kjo pyetje hiç nuk është
relevante. Më brengosës se pyetja e opozitës, është fakti se për të zbatuar në
veri një vendim, në thelb administrativ, duhet angazhuar gjithë aparati i
forcave speciale të policisë së Kosovës.Ky fakt duhet të na shqetësojë të
gjithëve, e jo çështja se kush humb e kush fiton vota nga zbatimi i këtij apo
atij vendimi shtetëror. Edhe ashtu dihet se në Kosovë nuk ka politikan që nuk
mendon të përfitojë poena politikë nga ato pak gjëra të mira që bëhen nga
institucionet.
__________
Kafet
janë plot nga mëngjesi deri në mes të natës. Sheshet e qyteteve përditë u
ngjajnë tregjeve nga masa e madhe e njerëzve. Marketet dhe qendrat tregtare po
ashtu. Xhamitë po ashtu. Tubimet partiake vazhdojnë ditën e natën pa e
respektuar asnjë masë mbrojtëse. IKSHPK-së dhe drejtuesve debilla të tij kjo
nuk u bën përshtypje. Vetëm shkollat duhet të vazhdojnë të mbesin të mbyllura,
sipas tyre. Dhe a e dini pse? Sepse për hapjen e shkollave nuk ka presion dhe
askush nuk lodhet se si me gjetë ndonjë alternativë që fëmijët e këtij vendi të
shkretë të mos hyjnë në vitin e dytë të humbjes së mësimit. Dhe kjo vjen prej
faktit se prej kohësh në këtë vend shkolla nuk merret seriozisht nga askush.
Ajo është shndërruar në një formalitet sa për të kaluar kohën fëmijët. Dhe kur
shkolla degradohet deri në këtë shkallë, atëherë debillokratët bëjnë ligjin.
__________
"Bukë,
argetë dhe një jogurt”, kjo qenka menuja ushqimore për pjesëtarët e Njësisë
Speciale në veri. Nuk po dallojka shumë nga ajo e kohës së luftës. Më kujtohet
se si në qendrën e grumbullimit të ushtarëve të UÇK-së në Kukës, në mëngjes dhe
në darkë, na jepnin nga një qepë, një gjysmë buke dhe një gotë me çaj. Aty
ishte një gjerman shtatlartë, i cili protestonte në gjermanisht ndaj asaj diete
tmerrësisht të varfër. Atëherë ishte kohë lufte dhe justifikohej ushqimi i keq,
por sot është e turpshme që policët më të mirë të Kosovës që po mbrojnë kufirin
në veri të ushqehen për faqe të zezë.
__________
Duke
iu përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit për t'u takuar që të
diskutojnë së bashku zhvillimet e fundit në veri, Memli Krasnqi e Lumir Avdixhiku
mund të kenë zgjuar zemërimin e militantëve të tyre partiakë, por të dy, me
këtë veprim, kanë dëshmuar pjekuri të madhe politike, rezon shtetëror dhe
aftësi për të vepruar përtej barrierave të vendosura nga lufta për pushtet.
Për
këtë shembulli i tyre meriton të vlerësohet! Edhe vetë Kurti duhet dhe ka
nevojë të marrë mësim prej këtij shembulli!
__________
Më
tregoi një mik që i përcjell mediat në Serbi: të gjithë janë rreshtuar pas
veprimeve të qeverisë serbe në kufirin Kosovë- Serbi. Ndërkaq, çfarë ndodhë tek
ne?
Çështja
e parë dhe e fundit: kush humbë e kush fiton partiakisht nga këto zhvillime?
Thjesht: njerëz të pazotë me mendu përtej dhe mbi interesat meskine partiake.
__________
Një
kandidat për kryetar të Vushtrrisë në një debat elektoral e dha një propozim
"gjenial": ndërtimin në Bjeshkën e Çyqavicës të një qendre
rehabilituese për të moshuarit pa përkujdesje!???? Bile që të mos harxhohen shumë fonde për këtë
qendër do të mund të mendohej adaptimi për këtë punë i shpellave të kaçkave që
ndodhen në Çyqavicë.
Eh,
sa budallakinë kemi me dëgju deri në ditën e zgjedhjeve!
__________
Prishtinës
kurrë s'i kanë mungu idetë e mira. Dhe, përgjithësisht, sot nuk është hiç
vështirë të kesh ide e projekte të mira për një qytet apo shtet. Tregu i dijeve
dhe informatave është i hapur. Prishtinës i kanë mungu guximtarët, ata që nuk
tuten të përballen me forcat e grupet e ndryshme të interesit politik dhe
ekonomik që e kanë shkatërru e shëmtu këtë qytet.
__________
Në
mëngjesin e 22 shtatorit 1998 mbi 23 mijë trupa të ushtrisë serbe do të
sulmonin Bjeshkën e Çyqavicës nga pesë drejtime, Skenderajt, Drenasit,
Mitrovicës, Vushtrrisë dhe Obiliqit. Sapo kishte hyrë vjeshta dhe Serbia
mendonte t'i jepte goditjen përfundimtare UÇK-së. Popullata e dhjetëra fshatrave
gjendej e strehuar në Çyqavicë, e cila qysh në orët e hershme të mëngjesit nisi
të bombardohej nga artileria e rëndë serbe. Përballë këtij sulmi masiv ndodhej
Brigada 114 e UÇK-së dhe komandanti i saj Fehmi Lladroci. Ai kishte zënë pritë
në rrugën që shpie nga Drenasi në drejtim të Çyqavicës. Për të satën herë atë
ditë po përsëritej dilema e Hektorit të Trojës: të qëndrosh dhe të vdesësh për
nderin e atdheut apo të tërhiqesh dhe të shpëtosh jetën tënde duke lënë pas
poshtërimin e tokës atërore. Dhe Fehmi Lladroci bëri zgjedhjen e Hektorit: do
të qëndronte deri në martirizëm që Çyqavica, mali i shenjtë i lirisë, të mos
shkelej pa krismën e pushkës. Ai qëndroi, sepse besonte në maksimën e vjetër të
kryengritjeve për liri: MË MIRË TË VDESËSH NË KËMBË SE TË JETOSH I GJUNJËZUAR!