Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Hija e Arkanit vazhdon të endet gjithandej veriut të Kosovës
E enjte, 14.10.2021, 07:55 PM
Blerim Latifi:
Samuel
Johnson, shkrimtar anglez i shekullit të 18, i harruar përgjithësisht për
veprat e shumta të tij, sot kujtohet dhe citohet gjerësisht për një thënie të
vetme : Patriotizmi është streha e fundit e horrave!
Janë
të pafundëm shembujt që e konfirmojnë saktësinë e këtij konstatimi. Dhe, sot,
ekziston një shembull tjetër i shquar që hyn në katalogun e këtyre konfirmimeve
: Veriu i Kosovës. Kriminelë të të gjitha llojeve, vrasës, kontrabandistë,
narkodilerë, trafikantë të qenieve njerëzore e të armëve, veprojnë atje, ditën
dhe natën, të mbuluar me petkun dhe retorikën e patriotizmit serb. Ky mbulim u
mundëson atyre që çdo veprim policor të shtetit të Kosovës kundër
kriminalitetit të tyre të organizuar ta shesin si veprim të motivuar etnikisht
dhe politikisht kundër serbëve të pjesës veriore të Kosovës. Natyrisht, këtë e
bëjnë me ndihmën vendimtare të autokratit në Beograd dhe me mirëkuptimin e herë
pas hershëm të burokratëve të Brukselit, si Borell. Edhe me ndihmën e
partnerëve shqiptarë në krim të këndej Urës së Ibrit, një numër krejtësisht i
papërfillshëm i të cilëve u arrestuan dje.
Si
të emërtohet kjo gjendje në terma të izmave politikë?
Mbase
termi më adekuat është ai i nacional-banditizmit. Ky term shpreh pikërisht atë
që e mendonte edhe Johnson në thënien e tij: horra dhe kriminelë të
portretizuar e të vetëportretizuar si heronj nacionalë.
Dihet
fare mirë që nacional-banditizmi ka qenë një komponentë tejet e rëndësishme në
fushatat ushtarake të Millosheviqit. Kur ai nisi luftërat për krijimin e
Serbisë së Madhe, kriminelë serbë të të gjitha llojeve nga brenda Serbisë dhe
nga e gjithë bota u rreshtuan në formacionet e tij ushtarake. Arkani, padyshim,
ishte ikona e tyre. Ai u vra në vitin 2000, por hija e tij vazhdon të endet
gjithandej veriut të Kosovës.
_________
Kryepolici
serb! Me siguri e njihni të gjithë. Dhe nuk ka se si të mos e njihni. Është
njëra nga figurat më të pranishme në portalet tona. Çdo ditë. Gjatë gjithë
vitit.Vuçiqi e përdorë si vegël që flet për t'i kërcënuar e fyer në baza ditore
shqiptarët, kroatët e malazezët. Dhe portalet tona kujdesen që çdo kërcënim e
fyerje fashiste të tij ta mbulojnë medialisht.
Çfarë
mazohizmi medial!
Sindromi
i Stokholmit, do të thoshin psikologët.Dhe marketing falas, gjithashtu!
_________
Policia
nuk duhet ta luftojë krimin e kontrabandën në veri në kohë zgjedhjesh! Sepse
ndikohet rezultati elektoral. Afatet e operacioneve policore në veri duhet të
mos përputhen me afatet elektorale! Pra, logjikisht i bie se krimi dhe
kontranda mund të lulëzojnë të lira atje sa herë ne kemi zgjedhje.
Këso
argumentesh të marra dëgjohen në Kosovën e vitit 2021.