Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Skënderbeu dhe lypësi
E enjte, 07.10.2021, 07:17 PM
Blerim Latifi:
Po
kaloja afër kontejnerëve të mbeturinave, të cilët ndodhen në afërsi të rrugës
që shpie tek shtëpia ime. Një lypës-prej atyre që hulumtojnë në kontejnerë të
tillë- me shkop po hulumtonte grumbullin e mbeturinave. Në dorë po e mbante
portretin e Skënderbeut, që po e shihni në fotografi. Një portret i krijuar jo
me ngjyra, por i qendisur.
-Pse
po e gjuan në bërllog? - i thash lypësit.
-
Nuk po e gjuaj, më tha ai. Dhe shtoi: - E gjeta ktu.
-
Kush është ky në kët' pikturë?- e pyeta lypësin.
-
Skënderbeu, më tha lypësi, që duhej të ishte rreth të gjashtëdhjetave.
-
Nëse nuk do ta marrësh, ma sjell mua, e mos e le aty!- i thashë.
-Jo,
nuk më duhet, ishte përgjegjja e tij.
Ma
solli pikturën, duke e mbrojtur që të mos e lagte shiu. Nxorra nga xhepi dy
euro dhe ia dhashë, ndërsa ai, duke më falenderuar për gjestin tim, mori thesin
e tij me kanaçe dhe u largua nëpër shi.
Komentimin
e ngjarjes po ua lë juve.
_________
Fotografi
e vitit 1968. Në të shihet Kulla e Ahmet Delisë, kulla ma e famshme në Drenicë
për një kohë të gjatë. E djegur tri herë gjatë historisë së saj. Në vitin 1903,
pas rrethimit të Mitrovicës, për të cilin u mbajt përgjegjës Ahmet Delia. Siç
dihet gjatë atij rrethimi u vra konsulli rus, i cili me dylbitë e tij i
ndihmonte artilerisë osmane për t’i goditur malsorët shqiptarë që kishin hyrë
në Mitrovicë për ta dëbuar atë prej andej.
Kulla
e ringitur u dogj përsëri në vitin 1907 nga ekspedita e Shemsi Pashës, dhe në
vitin 1912 nga serbët, pas betejës së fundit të Ahmet Delisë.
Në
majin e vitit 1912 nga kjo kullë Hasan Prishtina nisi kryengritjen e
përgjithshme antiosmane, e cila kulminoi me çlirimin e Shkupit në gushtin e
atij viti.
E
ringritur për herë të katërt nga djemtë e Ahmet Delisë, ajo pas shtatëdhjetë
vitesh u shemb nga pesha e kohës. Sot në vendin e saj qëndron kulla e re, e
ngritur pas luftës së fundit, për të përjetësuar kujtimin e një burri të madh
të Kosovës, të cilit armiqtë edhe për së vdekuri ia kishin frikën, prandaj edhe
e lanë pa varr.
Autori i fotografisë:
Gani Hamiti
_________
Thashë
ta shkruaj një status për takimin e sotëm të Bashkimit Europian me gjashtë
shtetet e Ballkanit Perëndimor. Mora ta lexoj deklaratën e dhënë në përfundim
të samitit, por e ndërpreva në gjysmë leximin, ngase fillova të ndjej atë që
njihet si "neveria e frazave boshe". Kur BE flet për
"perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor", gjëja më e mençur
është që kjo frazë të merret në kuptimin etimologjik të fjalës
"perspektivë", që në kuptimin burimor të saj do të thotë "të
shikosh përmes", "ta shikosh nga larg një gjë". Realisht këtë po
na e ofron BE: mundësinë për ta parë nga larg atë. Disi si në historinë biblike
të Moisiut, të cilit Zoti ia mundësonte ta shihte nga larg tokën e premtuar,
por jo edhe të hynte në të.