Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Kështu kishte nisur rruga e lirisë
E merkure, 03.11.2021, 08:55 PM
Blerim Latifi:
Tridhjetë
vite më parë ishte një vjeshtë e zymtë për Kosovën. E zymtë jo në kuptimin
gjeografik të fjalës, por në kuptimin politik të saj. Pas më shumë se dy vitesh
të mbushura me demonstrata popullore, regjimi serb ia kishte dalë ta thyente
vullnetin e shqiptarëve për rezistencë aktive. Të rinjtë që kishim mbushur
sheshet dhe rrugët e Kosovës duke u përballur me policinë serbe, tani po bënin
gati valixhet për të marrë rrugët e mërgimit. Ne ishim pajtuar me idenë se me
Serbinë nuk mund t'i matnim forcat, prandaj duhej të ulnim kokën para policit
serb dhe të duronim pendrekun e tij. Krejt çfarë mund të bënim ishte të
shpresonim në shpëtimin nga ndonjë fuqi e jashtme, të cilës do t'i thyhej zemra
nga vuajtjet tona. Duro dhe shpreso! Kjo ishte parulla me të cilën përpiqeshim
t'i jepnim kuptim ekzisncës sonë në ferrin e aparteidit serb. Frika bëhej edhe
më e madhe kur mblidheshim në mbrëmje pranë televizorit dhe shikonim kronikat e
luftës në Kroaci: Vukovari i shndërruar në gërmadhë totale, Dubrovniku që
bombardohej nga Mali i Zi, çetnikët që tundnin thikat në Knin dhe kërcënonin të
pushtonin Zagrebin. Në anën tjetër tensionet ndëretnike në Bosnjë vazhdonin të
rriteshin. Ato paralajmëronin masakrat e radhës në emër të krijimit të Serbisë
së Madhe. Lufta ishte kthyer në një makth, të cilin donim ta mbanim sa më larg
vetes. Dhe për këtë na ndihmonte iluzioni se një ditë do të çliroheshim nga
Serbia pa shkrepur asnjë plumb. Por ishte dikush që nuk besonte në këtë
iluzion.
Në
mëngjesin e 3 nëntorit 1991 një grup burrash po kalonte kufirin Kosovë-Shqipëri
përmes Bjeshkës së Pashtrikut. Në krye të tij ishte Adem Jashari. Po shkonin në
Shqipëri për të nisur atë që asokohe dukej vetëm një ëndërr folklorike:
përpjekjet për fillimin e organizimit të rezistencës së armatosur. Duheshin
armë dhe përgaditje ushtarake. Pas një muaji ushtrimesh, grupi mori rrugën e
kthimit. Njerëzit e fundit që kishin hyrë të armatosur nga Shqipëria ishin
diversantët e dërguar nga Enver Hoxha në vitet pesëdhjetë. Si për koincidencë
njëri prej këtyre diversantëve ishte një kusheri i Adem Jasharit, Isa Zymer
Ahmeti, nipi i Ahmet Delisë. 40 vite më pas shtegut të tij do të kthehej edhe
Adem Jashari. Me të arritur në Kosovë grupi do të dekonspirohej dhe në
mëngjesin e 30 dhjetorit shtëpia e Adem Jasharit do të rrethohej me forca të
mëdha policore. Pas gjysmë ore të këmbimit te zjarrit, Ademi dhe Hamza do të
çanin rrethimin të pa dëmtuar. Ky rrethim nuk mund të ishte fundi i tyre.
Historia kishte ruajtur një fat tjetër për ta, një fat që do t'i jepte fund njëherë
e përgjithmonë fatkeqësisë shekullore të shqiptarëve të Kosovës.
Kështu
kishte nisur rruga e lirisë. Hapi i parë, mposhtja e frikës, ishte hedhur. Dhe,
siç thotë Hegeli, vetëm ata që mposhtin frikën nga vdekja prej tiranit, e
meritojnë lirinë.
____________________
Njerëzimi ia ka dalë të ruaj dokumente të shkruara mijëra vite më parë. Në vitin 2015 kur isha në Washington, në Arkivin Nacional pata mundësinë të shoh kopjen origjinale të Deklaratës së Pavarësisë të SHBA, e konservuar për mrekulli, si të ishte shkruar sot. Tek ne shqiptarët ndodhë krejt diçka tjetër. Për shembull: Teksti origjinal i Deklaratës së Pavarësisë së 28 nëntorit 1912 është zhdukur. Ende sot askush nuk e di se çfarë ka ndodhur me të. Sonte në lajmet e RTK-së e pashë një kronikë në të cilën tregohej se edhe Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ka filluar të dëmtohet seriozisht, për shkak se materiali në të cilën është shkruar ajo, pergamena, ndodhet në kushte klimatike të papërshtatshme dhe e pambrojtur nga prekjet fizike, të cilat kanë dëmtuar emrat dhe fjalitë. Dhe kur kemi parasysh faktin se është e vjetër vetëm 13 vite, merreni me mend çfarë do të mund të ndodhë me të pas disa dekadave. Mbase do ta ketë fatin e Deklaratës së 28 nëntorit 1912. Neve na pëlqen të flasim shumë për historinë, por kur është puna që t'i ruajmë gjërat e saj të vlefshme nuk dallojmë edhe aq shumë nga barbarët.
____________________
Sportistët
e Kosovës nuk u lejuan të udhëtojnë në Beograd, për të marrë pjesë në
Kampionatin Botëror të Boksit. Ndërkaq, në momentin kur sportistët nga
Shqipëria po defilonin në arenë me flamurin kuq e zi, nga tribunat nisën
sharjet e ofendimet fashiste dhe gjuajtjet me gjësende. Sa herë që serbët e
shohin flamurin kuq e zi me shqiponjë fillojnë e ndihen keq, i kapë ankthi,
traumatizohen dhe shpërthejnë në veprime prej delirantësh. Mbase edhe nuk kanë
faj, sepse ky flamur ua kujton emblemën e UÇK-së.
____________________
Rruga
Vushtrri-Mitrovicë. Vendi: Kçiç i Madh. Në sfond shihet lapidari i një
luftëtari të UÇK-së. Pranë lapidarit një flamur dhe gjithë vendi rreth e
rrotull i kthyer në deponi mbeturinash. Një fotografi që flet më shumë se
njëmijë fjalë për kulturën dhe mentalitetin tonë kolektiv.
____________________
Shumë
njerëz dorëheqjen e Zaevit e kuptuan si veprim të një lideri që merr
përgjegjësi për humbjen në zgjedhje. Por, ky veprim i Zaevit nuk besoj se
reflekton ndonjë besim të tij në etikën demokratike.Në Ballkan nuk merret
seriozisht ky term.Zaevi mezi ia doli ta përballojë marrëveshjen e emrit me
Greqinë dhe, sigurisht, ai e dinte se nuk do të mund ta përballojë edhe një
sfidë tjetër, po aq të rëndë: sfidën identitare të vendosur nga Bullgaria, e
cila shtetit të tij ia ka mbyllur dyert e integrimit europian. Humbja në
zgjedhje ishte pretekst fantastik për të që t'i ikë kësaj barre mbytëse.
____________________
Në
fotografi shihet Faik Konica në takim me Sekretarin amerikan të shtetit Frank
Kellogg në Washington. Zogu nuk ishte edhe aq burrë i mirë në punët e politikës
së brendshme, por kur vinte puna të përfaqësimi diplomatik i shtetit,
përzgjidhte njerëzit më të mirë të mundshëm në aspektin kulturor e intelektual,
pa përjashtuar edhe ata që i kishte kundërshtarë e kritikues të ashpër, siç
ishte rasti me Faik Konicën. Një standard ky ende i pastabilizuar në
diplomacinë tonë.
____________________
Plepi
është një emër që na tregon qysh kanë mbijetu lidhjet e lashta midis shqipes
dhe latinishtes. Gjuhëtarët që merren me origjinën e fjalëve mendojnë se fjala
shqipe "plep" buron nga fjalët latine "plebs" dhe
"plopus". Kjo e fundit lidhet me fjalën "populus", prej nga
rrjedh edhe fjala "popull". Plebsi në Romën e Lashtë ishte bashkësia
e qytetarëve të lirë, por të varfër, të cilët rivalizonin me patricët e pasur
për ndikim politik. Fitoret që arrinin në betejat e tyre, i gdhendnin në
trungjet e plepave. Kështu plepi i plebsit u shndërrua në simbol të fitores në
betejë. Edhe në historinë e heroit më të famshëm mitik të antikitetit,
Herkulit, gjethet e plepit janë simbole të triumfit të tij në betejat me forcat
e të ligës.
____________________
Darkën
e Lamës Rugova e pat shndërruar në ritual politik të respektueshëm. Këta të
tjerët e paskan shndërruar në një improvizim qesharak. Në një instalacion
komik, në të cilin fokusi nuk janë prodhimet e sofrës, por kashta, e cila, në
ambientin e një hoteli luksoz, na e jep ndjesinë e të shëmtuarës. E shëmtuara,
thotë Umberto Eco, është e paparashikueshme dhe ofron një gamë të pafund
mundësish. Për shembull: kashtën në hapësirën moderne të një hoteli.