Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Puna e pakryer e lirisë
E marte, 28.12.2021, 10:30 PM
Blerim Latifi:
A
e keni pa, të gjithë sot flasin për rrezikun e ndikimit rus në Kosovë, por
askush nuk flet se si ndodhë ky ndikim. I përmendin lajmet e rreme e broçkulla
të ngjashme, por e harrojnë apo nuk duan ta përmendin instrumentin kryesor
përmes të cilit ushtrohet ky ndikim. Dhe ky instrument nuk është askush tjetër
përveç vahabizmit.
Duke
mos mundur të influencojnë institucionet shtetërore të Kosovës, shkaku se ato
janë nën monitorimin permanent amerikan, shërbimet ruse e serbe veprojnë përmes
influencimit social e kulturor. Duke mos mundur ta cenojnë sekularizmin
institucional, kanë filluar sulmin mbi shoqërinë dhe kulturën sekulare të
Kosovës, në mënyrë që gradualisht në Kosovë të krijohet një frymë
antiperëndimore. Metodat janë tipike si të "Muslim Brotherhood" të
Egjiptit: korrupto politikanët individualë për t'i kthyer në mbështetës të
agjendave vahabiste, bëj për vete të varfërit me lëmosha të paketuara si ndihma
humanitare dhe indoktrino të rinjtë në shkolla dhe universitete. Sigurisht, ata
që i njohin raportet e shoqërisë me institucionet e kanë të qartë se
institucionet sekulare nuk mund të funksionojnë gjatë në një ambient social e
kulturor josekular. Një ditë këtë do ta kuptojnë të gjithë, por ajo ditë mund
të jetë tepër vonë. Po e përmbylli këtë status me konstatimin e historianit të
njohur amerikan, Timothy Snyder, i cili, në librin e tij "Mbi
Tiraninë", thotë: "Radikalizmi vahabist në Europë, qoftë fals apo i
vërtetë, është interes i Rusisë".
________
Midis
katundeve Polac, Mikushnicë, Prelloc e Beçiq, ndodhet një lëndinë, e cila ka
një emër të pazakontë për popullatën e rrethinës. Ajo shtrihet anës rrugës që
shpie në bjeshkën e Çyqavicës. Lëndina quhet Gofile.
Çfarë
misteri fshihet prapa këtij emri? Etimologjia na e hapë një shteg drejt
misterit të tij. Ky emër nuk duket se i takon shqipes. As serbishtës.
Prejardhja e tij është greke. Fjala "gofile" është variant shqip i
fjalës "geofili" të greqishtës së vjetër. Geofili do të thotë dashuri
për tokën. Geofili është miku i tokës, një emër i vjetër për bujkun. Sot ekologët
që e kanë pasion ruajtjen e ambientit, nganjëherë quhen geofilë, pikërisht duke
marrë parasysh kuptimin e vjetër të kësaj fjale.
Por
a u zbërthye misteri i lëndinës që ka këtë emër?
Jo.
Misteri ende vazhdon.
Pyetja
e rradhës: Si u gjet ky emër grek në një zonë etnike, e cila kurrë nuk ka pasur
punë me grekët?
Ka
një shpjegim për këtë fakt që në shikim të parë duket i çuditshëm. Emri, me
gjasë, është mbetje nga trashëgimia e sundimit bizantin, gjuha politike dhe
fetare e të cilit ishte greqishtja.
Por
ky sundim ka gati 800 vjet që është zhdukur nga kjo zonë. Si ka arritur kjo
fjalë të mbijetojë gjatë tetë shekujve në kujtesën popullore, pa ndihmën e
kujtesës së shkruar dhe institucionale?
Pyetje
fort e vështirë.
Një
përgjigje e mundshme: Mbijetesa e emrit ka ndodhur falë ruajtjes së tij në
bashkësitë e besimtarëve të krishterë, të cilët nuk u konvertuan në islam deri
në fillimet e shekullit të XIX.
Por
a ja dolëm mbanë ta heqim terrin e misterit të lëndinës me këtë emër të
lashtë? Ende jo. Sepse përpara kemi
pyetjet e madhe: Si e mori lëndina këtë emër? Cila ishte ngjarja që lidhet me
këtë emërtim? A ka të bëj ky emërtim me legjendën e ndonjë gruaje që kishte
emrin Gofile?
Kujtesa
popullore nuk na thotë asgjë për këto pyetje. Dokumentet po ashtu nuk
ekzistojnë. Rrjedhimisht, misteri mbetet. Bashkë me të drejtën tonë për të
imagjinuar rreth fshehtësive që mbulohen prej tij, e që mbase të tilla do të
mbeten përjetësisht.
________
Fragment nga ligjëratat i mia në filozofinë
politike
“Puna
e pakryer e lirisë”
Filozofia,
thotë Sheling, preokupim të parë dhe të fundit të saj e ka lirinë. Në këtë
kuptim, si trajtë e edukimit, ajo është në thelb edukim për dhe mbi lirinë.
Këtu e ka origjinën konflikti permanent i filozofisë me politikën dhe
religjionin, konflikt që Leo Straus e quante “konflikti i filozofisë me
qytetin” dhe për paradigmë të tij e merrte Gjyqin e Sokratit në Athinën e
Lashtë. Derisa filozofia, me mjetet e saj diskursive, synon të zgjeroj
hapësirën e lirisë njerëzore, politika dhe religjioni, duke ndjekur logjikën e
tyre për pushtet, e ngushtojnë vazhdimisht këtë hapësirë.
Ky
konflikt në epoka të ndryshme ka marrë trajta nga më të ndryshmet. Historia e
filozofisë mund të përshkruhet edhe si histori e këtyre trajtave. Platoni
propozon një zgjidhje radikale të këtij konflikti : filozofi duhet të
zëvendësojë sundimtarët dhe klerikët, në mënyrë që në qytet të ketë drejtësi
dhe qeverisje të bazuar mbi të vërtetën. Të tjerët, pas Platonit, nuk bënë gjë
tjetër veçse u rreshtuan pro ose kundër tij. Platonin e brengoste e keqja që
buron nga pushteti i budallenjve dhe nuk u mor me rreziqet që mund të vinin nga
pushteti i të diturve. I gjithë Iluminizmi perëndimor do të mbështetet në këtë
gjest diskursiv të Platonit : njerëzimin mund ta shpëtojmë duke i larguar
budallenjtë e veshur me pushtet politik dhe petk religjioz. Kjo do të prodhojë
ideologjinë scientiste, sipas cilës të gjitha problemet politike dhe morale
mund t’i zgjidhim me metoda dhe të vërteta shkencore. Forma më ekstreme e kësaj
kredoje ishte padyshim komunizmi, të cilin vetë Marksi e paraqiste si “enigmën
e zgjidhur të historisë”. Arsyeja pse komunizmi dështoi është pikërisht ecja e
tij nëpër rrugën diskursive platonike, vendosja e filozofisë në instancën e
politikës dhe religjionit. Duke u bërë pushtet dhe religjion, filozofia, nga
edukim për lirinë, u shndërrua në instancë të shkatërrimit të saj në praktikat
e regjimeve ideokratike. Nuk është e rastësishme pse rënia e komunizmit u
shoqërua me ngritjen e sentimenteve antifilozofike, në teori me tregimet për
fundin e filozofisë, dhe në praktikë me rikthimin e radikalizmit dhe zellit
fetar gjithandej botës. Peter Sloterdijk ka të drejtë kur thotë se radikalizmi
fetar postkomunist është parazit që jeton nga kufoma e mesianizmit iluminist.
Sot,
zgjidhja platoniko-marksiste e konfliktit të filozofisë me politikën dhe
religjionin është qartësisht e braktisur, por kjo nuk do të thotë edhe dorëzim
i filozofisë para politikës dhe religjionit. Arsyeja pse kjo nuk mund të ndodhë
është se njerëzit nuk mund të heqin dorë nga liria dhe drejtësia. Ata, herë pas
here, mund të bijnë pre e ideologjive të arratisjes nga liria, por kjo është
gjendje e përkohshme. Në mungesë të zgjidhjeve finale, jemi të detyruar të
jetojmë në gjendjen e luftës permanente për liri dhe drejtësi. “Puna e pakryer
e lirisë” ndoshta është gjendja e përgjithmonshme e filozofisë dhe e historisë
njerëzore. Fundi i Lumtur i Historisë mbetet vetëm një ëndërr e bukur. Një
ëndërr e ditës, sipas kuptimit që kjo fjalë e ka tek Ernst Bloch.
________
Budallakia
ma e madhe që një qeveri mund ta bëj kur
ballafaqohet me probleme të tilla si kriza energjetike, nëpër të cilën po
kalojmë, është t’i qaset asaj me teorinë e sabotimit. Ideja se ne jemi në
rregull, por dikush në sistem është duke na sabotuar në mënyrë të fshehtë,
është ide e rrezikshme, me karakter totalitar, që nuk shpie askund tjetër
përveçse në gjueti shtrigash. Nëse kryeministri e ka vullnetin e duhur për t’u
ballafaquar racionalisht me këtë krizë, gjëja e parë që duhet të bëj është t’ua
tregojë derën të gjithë atyre që i shkojnë në zyrë me tregime dhe teori
sabotazhi. Teoritë e sabotazhit na duken joshëse, sepse ato na shfajësojnë nga
përgjegjësia jonë për një problem që ka shpërthyer në sistem, por përtej
joshjes ato janë të destinuara të mos zgjidhin asgjë, por vetëm t’i mbulojnë
disa probleme duke i krijuar disa të tjera
________
Artan
Hasanin e kam pasur bashkëluftëtar në Koshare. Ka qenë pjesë e batalionit tim
327 dhe pozicioni i tij ka qenë ndër më të vështirët, ngase bënte pjesë tek
minahedhësit e brigadës, të pozicionuar tek pika e vrojtoreve, e cila
vazhdimisht bombardohej nga artileria serbe. Ditë më parë vajza e tij diplomoi
tek ne në Departmentin e Filozofisë. Nuk e dija këtë deri në ditën e
diplomimit. Sot e mora prej Artanit këtë dhuratë shumë të çmuar, një orë me
emblemën e UÇK-së dhe emrin e Brigadës 138 “Agim Ramadani”. Ajo do të qëndroj
këtu midis librave të filozofisë, sepse filozofinë dhe UÇK-në i bashkon një gjë
e madhe : ideali i lirisë.