Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Diplomaci e forcës!
E hene, 13.12.2021, 09:30 PM
Blerim Latifi:
Serbia
e kërkon Asociacionin, por nuk i ofron asgjë Kosovës në këmbim. Madje nuk lë
ditë pa e përmendur se nuk do ta njoh kurrë pavarësinë e Kosovës. Kjo nuk është
dialog. As negociatë. Është diplomaci e forcës. Bashkimi Europian, i mbetur në
duart e burokratëve të pavlerë të Brukselit, kërkon Asociacionin, por nuk i
ofron asgjë Kosovës në këmbim. Madje as liberalizimin e vizave të premtuar qysh
moti, edhe përkundër faktit se sot Kosova qëndron më mirë në sundimin e ligjit
se të gjitha vendet e rajonit. Pra edhe Bashkimi Europian po vepron njëjtë si
Serbia, me gjuhën e diplomacisë që presionin e orienton tek pala e dobët.
Na
thonë se keni obligim t'i zbatoni marrëveshjet e nënshkruara. E ju zotërinj
burokratë të Brukselit pse nuk po e zbatoni obligimin për liberalizimin e
vizave?
Pse
këto standarte të dyfishta?
Kuptohet
lehtë: standartet e dyfishta bëjnë pjesë në diplomacinë e forcës, në
diplomacinë e të mbështeturit për muri. Ky dialog qartazi është shndërruar në
një platformë që i shërben Serbisë në rrugën e integrimit europian, derisa
Kosovës nuk i garantohet asgjë në këtë drejtim. Në këtë pikëpamje unë jam për
rezistencë ndaj presionit që po na bëhet. Sepse vetëm ata që rezistojnë mund të
fitojnë diçka. Ata që ulin kokën dhe pranojnë gjithçka që u kërkohet, nuk do të
marrin asgjë më shumë se fjalët e bukura, të cilat i merr era e parë që fryen.
_________
Në
historinë e tij të gjatë Prizreni ka parë e përjetuar ngjarje nga më të rëndat
e më të shëmtuarat. Një të tillë po e përjetonte edhe në mëngjesin e hershëm të
13 dhjetorit të vitit 1924. Qyteti vlonte nga njerëz të armatosur. Ata bartnin
shenja dhe uniforma të ndryshme. Serbë, rus dhe shqiptarë ishin bërë bashkë për
të sulmuar Shqipërinë dhe rrëzuar qeverinë e Nolit. Shtabi i gjithë asaj
ushtrie përbëhej nga dy shqiptarë, Ceno Bej Kryeziu dhe Muharrem Bajraktari, si
dhe nga një gjeneral serb dhe një gjeneral rus, i ushtrisë së shkatërruar të
Carit. Në Kukës kishte vënë pritë Bajram Curri me malsorët e tij, por fati i
betejës dihej qysh në fillim. Askush nuk mund ta ndalte artilerinë e Pashiqit,
e cila ishte vënë në dispozicion që shqiptarët të masakronin njëri tjetrin për
të marrë pushtetin në një shtet që ende funksiononte vetëm në letër.
Në
të njëjtin mëngjes vetë Zogu me trupa të tjera serbe, ruse e shqiptare do të
niste sulmin nga drejtimi i Dibrës. Kështu, një nga kronikat më të shëmtuara në
historinë e shqiptarëve, atë ditë do të zinte vend në faqet e saj.
Në
atë pasdite Noli u nis drejt Durrësit për t'u larguar përgjithmonë nga
Shqipëria. Në gjysmë të rrugës i thotë shoferit të tij: Duhet të kthemi edhe
njëherë në Tiranë, kam harruar në zyrë dorëshkrimin e përkthimit në Shqip të
Rubairave të Omar Khajamit.
Çfarë
situate ironike, mbase edhe tragjike! Intelektuali më i madh shqiptar i kohës e
kishte humbur betejën politike me banditët dhe krejt çfarë mund të bënte ishte
të shpëtonte nga duart e tyre përkthimin në shqip të njërës prej kryeveprave të
letërsisë botërore. Ëndrra e tij demokratike kishte marrë fund nën rrebeshin e
intrigave shekspiriane, të cilat në Ballkanin e asaj kohe ishin mënyrë e
jetesës. Ai i njihte me themel intrigrat e kriminelëve në tragjeditë e
Shekspirit, por nuk ishte në gjëndje të luante rolet e tyre, ndërsa armiqtë e
tij, që nuk kishin dëgjuar kurrë për Shekspirin, i jetonin ato role në teatrin
e politikës shqiptare. Noli ishte shqiptari i parë që kishte shkruar për
Makiavelin, por nuk bëhej dot makiavelist. Armiqtë e tij, që se kishin dëgjuar
kurrë emrin e Makiavelit, jetonin e vepronin si makiavelistë të pamëshirshëm.
Kështu fati politik ishte në anën e tyre.
_________
Leo
Freundlich, hebreu që dëshmoi masakrat e kryera mbi shqiptarët nga ushtria
serbe gjatë pushtimit të Kosovës në vjeshtën e vitit 1912, thuhet se ka shkruar
këtë fjali: "Shqiptarët kanë kujtesë të shkurtër, aq të shkurtër saqë
xhelatët e tyre të djeshëm i thërrasin miq, pas një kohe të shkurtër".
Gjithë
kjo marrja e bashkëpunimit kriminal me strukturat paralele në veri, gjithë këta
tendera të dhënë nga qeveritë e Kosovës për kompanitë mafioze të Radojçiqëve e
Veselinoviçëve, a nuk e vërteton krejtësisht mendimin e këtij miku të madh të
shqiptarëve, të dhënë në një kohë kur kishim fare pak miq. Gjykojeni vetë!
_________
Ciceroni,
filozofi e juristi i famshëm romak, e kishte një bibliotekë private shumë të
pasur. Në mesin e atyre që kujdeseshin për bibliotekën ishte edhe një skllav
ilir. Një ditë, kur Ciceroni nuk ndodhej në Romë, skllavi ilir vodhi një sasi
të madhe librash, i nxori në treg, i shiti shpejtë e shpejtë, futi paratë në
xhep, hipi në një anije tregtarësh dhe iku për në Iliri. Kur Ciceroni u kthye
dhe mori vesh lajmin, u tërbua krejt. Pa humbur kohë i shkroi letër
guvernatorit romak të Ilirisë me kërkesën që t'ia gjente hajdutin e librave.
Guvernatori i premtoi se do të përpiqej, por duhej ta kishte parasysh faktin se
Iliria ishte e madhe dhe kush dreqin mund t'i binte në fije se ku është futur
hajduti. Natyrisht ai nuk u gjet kurrë. E tani thonë se ilirët nuk janë
paraardhësit tanë.????
_________
Ditë
më parë e pashë një intervistë të Noel Malcolmit, dhënë për një tv të Tiranës.
Kufiri
midis Kosovës dhe Shqiprisë është kufi artifical, thotë historiani më i mirë
ndërkombëtar i Ballkanit.
Një
sondazh i fundit i publikuar sot tregon se mbi 76 përqind e shqiptarëve të
Shqipërisë janë për bashkimin me Kosovën.
Kështu
ideja e këtij bashkimi, e shtypur për një kohë të gjatë nga shumë faktorë,
gradualisht po e rifiton legjitimitetin e saj përballë aleancës së heshtur të
feudalëve politikë vendorë me propagandën antibashkim të fqinjëve tanë. Asgjë
nuk është më e fortë se një ide të cilës i ka ardhur koha, thotë shkrimtari i
madh francez Viktor Hygo. Për kohën e brezit tonë kjo ide është është Kosova e
Shqipëria nën një çati të përbashkët.
_________
Vitet
'90 nuk ishin vetëm vite të terrorit të madh shtetëror. Ishin edhe vite të
territ të madh. Vazhdimisht kishte ndërprerje të rrymës. Qirat dhe gazi për
llamba shiteshin me sasi të mëdha. Ishte gëzim i madh kur vinte rryma. Serbët
aso kohe kujdeseshin që edhe në natën e vitit të ri ta kalonim pa rrymë.
Edhe
pas luftës ndërprerja e rrymës ishte problem i përditshëm. Dhe përsëri ajo
ndjenja e gëzimit kur vinte ajo dhe sharjet e hidhërime kur ndërpritej. Kam
menduar se këtë gëzim nuk do ta përjetoja më, por ja që sot e pashë se e kisha
gabim. Sot pas sa vitesh u detyrova me shku në market për të ble qirinj. Derisa
më kujtohej koha e territ të para luftës, e pyeta shitësen me ironi : A keni
llamba me gaz? Jo, më tha. U largova duke shpresuar që të mos kenë kurrë. Në
kuptimin që të mos i kërkojë tregu.
_________
Ja
një çështje për diskutim:
Çfarë
ishin kapitalistët e parë?
Kjo
pyetje i mundonte filozofët në fillimet e kapitalizmit perëndimor. Linja
filozofike nga Adam Smith deri te Maks Veber ishte e prirur t'i mendonte
kapitalistët e parë si sipërmarrës paqësorë. Marksi mendonte ndryshe. Për të
kapitalistët e parë ishin kryesisht batakçinj, zuzarë dhe kriminelë.
Çfarë
mendoni: cili interpretim është më adekuat për ta shpjeguar origjinën e
kapitalizmit të ri ballkanik, që lindi pas rënies së komunizmit?
Merreni
si pikënisje të analizës listën e fundit të zezë të Amerikës për vendet e
Ballkanit.