Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Moralisht i thyer!
E hene, 22.11.2021, 09:00 PM
Prof. Blerim Latifi:
Në
vitin 1913 Vladan Gjorgjeviq, ish kryeministër i Serbisë, boton librin
"Shqiptarët dhe fuqitë e mëdha". Libri u adresohej publikut
intelektual dhe kancelarive europiane. Qëllimi ishte që ato të bindeshin se
shqiptarët nuk e meritonin të kishin shtetin e tyre kombëtar.
"Faktet" që sillte për këtë ishin thjesht një katalog i racizmit të
pastër antishqiptar. Aty ne quheshim njerëz barbarë, pa histori, me mendësi
orientale, të paftë për zhvillim, civilizim e vetëqeverisje. Dhe, duke mos u
ngopur me këto cilësime raciste, Gjorgjeviq u shkruan europianëve se
"shqiptarët edhe biologjikisht janë të prapambetur, sepse shumë prej tyre
janë njerëz me bisht".
Për
gati 100 vjet ne e kemi paguar shtrenjtë këtë racizëm të serbëve për ne. Me
gjakun tonë. Me mijëra e mijëra fëmijë
të mbetur jetimë e gra të përdhunuara. Me vuajtjet dhe dhimbjet e tona
të panumërta.
Prandaj,
kur dëgjoj se si sot shqiptarë të Kosovës bëjnë veprime e sjellje raciste ndaj
romëve, siç ndodhi dy ditë më parë në Gjakovë duke i përzënë nga lokali vetëm
pse ishin romë, ndihem moralisht i thyer. I thyer, sepse nuk e shmangi dot
frikën se mos kemi përvetësuar diçka të errët nga përsektuesit tanë të djeshëm.
Dhe sa herë dëgjoj për raste të tilla, si ky i fundit në Gjakovë, më kujtohet
poezia "Testament" e poetit të ndjerë rom, Kujtim Paçakut, njëri ndër
poetët më të mirë të Kosovës, por që injorohet e nuk përfshihet kurrë në
tekstet tona shkollore, për të vetmen arsye se është rom. Ja poezia:
Testament
Kur
të vie ajo ditë
E
fundit, në tepihun e jetës sime
Ju
lus:
Së
paku atje të qëndroj
VERTIKALISHT
Meqë
gjithë jetën
S`më
lanë se s`më lanë të ngrihem në këmbë!
__________
Sa
herë vjen 22 nëntori ne kujtojmë Kongresin e Manastirit, në të cilin pas shumë
e shumë përpjekjeve rilindasit shqiptarë vendosën që gjuha shqipe të shkruhej
me alfabetin latin. Ishte ky një akt i madh historik, përmes të cilit
shqiptarët jo vetëm që dëshmonin idenitetin e tyre europian, por edhe
projektonin të ardhmen si komb europian. Kujtojmë po ashtu edhe personalitetet
që morën pjesë në këtë kongres, por gjithmonë e harrojmë një fakt themelor:
prapa gjithë organizimit që mundësoi Kongresin e Alfabetit, qëndron puna e
madhe e një austriaku, August Ritter von Kral, konsulli austro-hungarez në
Shkodër. Pa angazhimin e tij politik e organizativ shqiptarët do të vazhdonin
të humbisnin kohën duke mos gjetur një gjuhë të përbashkët se në cilin alfabet
duhej shkruar shqipja. Ashtu siç kishin bërë dekada me rradhë. Ky komb e ka
pasur një fat të madh : në momentet kritike të historisë dhe në mjegullnajën e
kthesave të saj të mëdha, shpesh janë gjendur shumë miq të tij, që i kanë
treguar rrugën se nga duhej të ecte.
__________
Një rrëfim nga historia
e filozofisë politike, shkëputur nga leksionet e mia në fakultet
Platoni
e kishte mik Dionisin e Sirakuzës, i cili në Sicili kishte ngritur një mbretëri
të fuqishme. Madje ia kishte dalë që të fuste në kontroll edhe disa territore në
brigjet e Adriatikut. Ilirët i kishte aleatë dhe një ditë bashkë me ta u nis të
sulmonte e plaçkiste Tempullin e Delfit në Greqi, por nuk ia doli dot. Sa më shumë që rritej pushteti i tij, aq më
mizor bëhej ai.
Gjatë
udhëtimeve të tij nëpër brigjet e mesdheut, një ditë Platoni ndaloi në Sirakuzë
për t’i bërë vizitë mikut të tij. Dionisi e priti me nderime të larta, por më
pas gjërat rrodhën krejt ndryshe prej asaj që priste nikoqiri. Platoni kishte
dy alternativa para vetes : t’i servilosej tiranit, duke e ngritur në qiell
mënyrën e tij të sundimit, dhe si shpërblim të kthehej në Athinë me dhurata të
shumta, ose të thoshte të vërtetën objektive të këtij sundimi dhe të rrezikonte
gjithçka. Platoni zgjodhi alternativën e dytë. Ai i tha në sy Dionisit se qeverisja
e tij ishte e keqe, e bazuar mbi injorancën dhe e padrejtë ( për Platonin
injoranca dhe padrejtësia shkojnë bashkë). Me pak fjalë : sundimtari i mirë
ishte e kundërta e krejt asaj që po bënte Dionisi. Ky u tërbua fare. E përzuri
Platonin nga dhoma mbretërore dhe urdhëroi ushtarët ta burgosin. Sa më shumë që thellohej në kritikat e
Platonit, aq më shumë i shtohej tërbimi. Të nesërmen vendosi ta dënonte me
vdekje mikun e tij të deridjeshëm. Falë ndërhyrjes së djalit të tij, Dionisi
hoqi dorë nga dënimi me vdekje dhe në vend të tij zgjodhi një dënim tjetër:
urdhëroi ushtarët ta nxirrnin Platonin në tregun e skllevërve dhe ta shisnin si
skllav. Për fatin e mirë të Platonit në tregun e skllevërve atë ditë u ndodh
një mik i tij nga Athina, i cili e bleu Platonin dhe më pas siguroi edhe
kthimin e tij në Athinë. Kështu mori fund miqësia midis filozofit Platon dhe
tiranit Dionis. Platoni e përjetoi në lëkurën e tij atë që përbën një nga
treguesit më të rëndësishëm të një diktature : intolerancën ndaj kritikës.
Politikanët që se durojnë kritikën, që duan të dëgjojnë vetëm lajka e lavdërime
servilësh, i kanë ndarë rrugët me qeverisjen e mirë. Ata janë dehur nga
pushteti dhe janë në gjëndje të bëjnë gjithçka për të. Njësoj si Dionisi i cili
nga viti në vit bëhej bëhej edhe më tiran, derisa në kulmin e mizorive të tij u
vra prej vetë djalit të tij. Pikërisht prej djalit që ndërhyri për t’ia falur
jetën Platonit. Ndërkaq, Platoni iu
rikthye punës së tij të madhe për themelimin e filozofisë politike, e cila që
nga koha e tij ka pasur një qëllim fundamental : t’i kritikojë pushtetet në
emër të drejtësisë dhe moralit. Dhe ta mbajë të gjallë idenë se një rend
politik më i mirë gjithmonë është i mundur.
__________
Historiografia
i ruan vetëm emrat e prijësve, të gjeneralëve, të atyre që i drejtojnë popujt
në betejat e saj. Ndërkaq, emrat e ushtarëve të thjeshtë me kohë harrohen dhe
ekzistenca e tyre kujtohet vetëm në statistikat e bilanceve të historisë.
Kjo
fotografi e luftëtarëve shqiptarë në Shkupin e vitit 1912 është dëshmi e fortë
këtij karakteri selektiv të historiografisë. Të vetmin personazh të fotografisë
që e njohim sot është Hasan Prishtina, i cili qëndron në këmbë në mesin e
luftëtarëve.Të tjerët janë anonimë dhe askush sot nuk e di se kush ishin dhe
cili ishte fati i tyre.
__________
Ideja
e Bashkimit Kombëtar të Shqiptarëve historikisht ka vuajtur nga dy plagë të
mëdha. Njëra është plaga e shkaktuar nga fqinjët tanë, që e demonizonin këtë
ide, duke e paraqitur si shoviniste dhe kërcënim për paqën në Ballkan. Fatkeqësisht
ne kurrë nuk kemi qenë në gjendje ta rrëzojmë këtë imazh.
Plagën
tjetër ia kanë shkaktuar vetë shqiptarët, duke e përdorur idenë e Bashkimit
Kombëtar për të mbledhur vota për pushtetet e tyre.
Edhe
sot vazhdon vazhdon e njëjta gjë: fqinjët e përdorin këtë ide për të penguar
fuqizimin kombëtar të shqiptarëve në Ballkan, e ne si mjet propagandistik për
t'ia rrëmbyer pushtetin njëri-tjetrit në mahallat tona politike. A ka shërim
për këto dy plagë?
Me
elitat politike e kulturore që kemi, vështirë të thuhet po.