Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Trashëgima politike e Rugovës është vazhdimësi e mesazhit themelor të Rilindjes sonë kombëtare
E enjte, 02.12.2021, 07:49 PM
Blerim Latifi:
Shpesh
thuhet se Ibrahim Rugova e kishte idol Pjetër Bogdanin. Ishte aq i dhënë pas
figurës së tij, saqë zgjodhi të bënte doktoraturën mbi veprën e Bogdanit
"Çeta e Profetëve". Por Rugova nuk e ndoqi deri në fund shtegun e
idolit të tij. Pjetër Bodgani e dinte se gjithmonë vjen një moment kur fjalët
duhet të lihen anash dhe të kapen armët. Sepse tirania nuk lëkundet pa e ndi
erën e barotit. Rugova nuk qe në gjëndje ta kuptonte se ky moment kishte ardhur
pas Daytonit. Ndoshta pse nuk besonte se do të mund të qëndronim përballë një
Serbie të pajisur me njërën ndër armatat më të fuqishme të Europës. Ndoshta pse
besonte në mrekullinë e pacifizmit. Ndoshta pse nuk donte të marrë
përgjegjësinë për vuajtjet që sjell lufta- tipar ky i intelektualëve me
ndërgjegje humaniste. Si lider politik i një populli të shtypur, atij i duhej
të ushqente besimin e njerëzve për çlirim, por thellë në veten e tij atë e
dominonte skepticizmi i intelektualit. Dhe, kështu, të gjendurit midis këtyre
dy pozicioneve ia paralizonte veprimin praktik. Në Rambuje u tregua konstruktiv
dhe pas luftës ndikoi në mënyrë vendimtare që tensionet politike të mos
shndërroheshin në vllavrasje politike. Trashëgima e tij politike është
vazhdimësi e mesazhit themelor të Rilindjes sonë kombëtare: fati i shqiptarëve
është i garantuar vetëm për aq kohë sa ata i mirëmbajnë lidhjet me Perëndimin
dhe synojnë vlerat e tij.