Editorial » Latifi
Blerim Latifi: As në tokë, as në qiell
E diele, 16.01.2022, 12:45 PM
Blerim Latifi:
Në
vitin 1991, kur plumbat e parë të luftërave ndëretnike në Jugosllavi tanimë
ishin shkrepur, në Hagë ishte organizuar një konferencë ndërkombëtare për të
shpëtuar Jugosllavinë nga dezintegrimi i përgjakshëm. Konferenca dështoi, sepse
obstruksionet e Millosheviqit u trajtuan gabimisht nga negociatorët
perëndimorë. Ata mendonin se Millosheviqi do të zbutej duke u bërë lëshime të
vazhdueshme kërkesave të tij. Rezultati ishte krejt tjetër: sa më shumë lëshime
i bëheshin Millosheviqit, aq më kërkues dhe më agresiv bëhej ai. Kështu
Konferenca e Hagës dështoi dhe masakrat filluan.
Sot
Perëndimi është duke përsëritur të njëjtin gabim me ish ministrin e
Millosheviqit, Vuqiçin. Mendojnë ta zbusin duke i bërë lëshime të
njëpasnjëshme. Sigurisht rezultati që do të marrin do të jetë i njëjtë me atë
të vitit 1991. Sepse, ndonëse kohët kanë ndryshuar, apetiti serb për hegjemoni
në rajon është i njëjtë me atë të vitit 1991.
Në
këtë kontekst duhet parë edhe presioni i padrejtë i vendeve të QUINT-it që ne
të pranojmë poshtërimin nga Serbia duke pranuar zhvillimim e referendumit të
saj në territorin e Kosovës me anë të qendrave të votimit. Një praktikë kjo që
as nuk mund të imagjinohet, e le më të lejohet në shtetet e QUINT-it.
Kjo
lloj diplomacie e presionit mbi palën e dobët dhe marrja me të mirë e palës së
fortë mund të shpie gjithkund, veç drejt paqes asnjëherë. Janë qindra shembuj
që e konfirmojnë këtë, përfshirë edhe vetë historinë e shkatërrimit të
Jugosllavisë.
Të
dielën ka gjasa të ketë probleme serioze, por edhe ulja e kokës nga frika prej
tyre sigurisht nuk do të na sjellë asnjë përfitim.
Më
mirë të humbësh në betejë, se sa të dorëzohesh pa hy fare në të!
Për
qyqarët nuk ruhet asnjë fat askund!
As
në tokë, as në qiell.
_________
Kur qeveria doli me qëndrimin
se nuk do ta lejojë referendumin e Serbisë në Kosovë, partitë opozitare dolën
me të njëjtin qëndrim. Pastaj nisi presioni ndërkombëtar kundër këtij qëndrimi.
Partitë opozitare filluan të lëkunden. U thirr seanca parlamentare. Sigurisht
qeverisë i duhej një mbështetje nga i gjithë spektri politik shqiptar që të
fuqizonte qëndrimin e saj. Partitë opozitare e gjykuan gabimisht këtë veprim,
duke parë në të një lojë të Kurtit për shpërndarjen e përgjegjësisë. Duke
besuar se kryeministri do të turpërohej të dielën, PDK u tërhoq krejtësisht
edhe nga pjesëmarrja në seancë, ndërsa LDK dhe AAK nuk e bënë këtë gabim
taktik. Tash Serbia qenka tërhequr nga planet për ta mbajtur referendumin në
Kosovë. Nuk kishte si të vepronte ndryshe pas qëndrimit të OSBE- së se pa
bashkëpunimin e palës kosovare ajo nuk do të mund të veprojë. Kjo është një
fitore e Kosovës përballë përpjekjeve të vazhdueshme të Serbisë për ta minuar
funksionimin e shtetit të Kosovës. Natyrisht, duhen njohur meritat e qeverisë
në arritjen e këtij suksesi. Serbia duhet të mësohet me idenë se në Kosovë nuk
mund të sillet sipas tekeve të saj. Është në dorën tonë që t'ia mundësojmë këtë
mësim. Pak nga pak. Hap pas hapi.