Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Ditëlindja e Intelektualit
E premte, 14.01.2022, 09:06 PM
Ditëlindja e Intelektualit
Nga
Blerim Latifi
Fundi
i shekullit XIX. Tensionet midis Francës dhe Gjermanisë vazhdojnë të jenë të
mëdha. Komanda ushtarake franceze ka “zbuluar një tradhtar në radhët e saj”.
Oficeri Alfred Dreyfus akuzohet dhe nxirret në gjyq për tradhti të lartë ndaj
Francës. Akuzohet se u ka dhënë sekrete ushtarake gjermanëve. Publiku është i
elektrizuar. Urrejtja ndaj tradhtarit është në kulm. Atë e bën edhe më të madhe
origjina e tij hebreje. Antisemitizmi në Francë është në festë. Dënimi për
Dreyfus-in është maksimal : burgim i përjetshëm. Më të paktit dyshojnë se
gjithçka në këtë dramë është montim i ndyrë dhe se “tradhtari Dreyfus” është
thjesht një viktimë e një padrejtësie të madhe, e inskenuar nga eprorët e tij
antisemitë në ushtrinë franceze. Një padrejtësi që bëhet në emër të drejtësisë,
siç do të thoshte Platoni. Njëri prej
këtyre dyshuesve të pakët, vendos të thyej heshtjen: Emil Zola, shkrimtar, prej
më të mdhenjëve të Francës së asaj kohe.
Ai vendos t’i kundërvihet klimës mbytëse të linçimit publik e
institucional të një njeriu të pafajshëm. Me 13 janar të vitit 1898, në faqen e
parë të gazetës L’Aurore” ai boton artikullin “J “Accuse..!”Artikulli është një
letër e hapur drejtuar presidentit të Francës. Në të Zola, me një guxim të
pashoq, akuzon drejtësinë franceze për maskaradën e gjyqit të Dreyfus-it. Letra
bën një efekt të menjëhershëm dhe të jashtëzakonshëm. Thirrjes së saj i
bashkohen edhe zëra të tjerë. Në mesin e tyre edhe shkrimtari tjetër i famshëm
francez Anatol France. Si pasojë e presionit të madh publik, çështja rikthehet
në rigjykim. Pas një odisede të gjatë disa vjeçare, Dreyfus shpallet i
pafajshëm në të gjitha pikat e akuzës dhe rikthehet në ushtri. Emil Zola nuk e
priti triumfin e kauzës së tij, sepse vdiq derisa çështja ishte ende në
shqyrtim, por artikulli i tij shënoi lindjen e intelektualit, njërës prej
figurave më eminente të iluminizmit europian.
Si
pasojë e përdorimit të pakujdesshëm dhe shpeshherë edhe abuziv, sot me
konceptin e intelektualit lidhen veprimtari që nuk kanë asnjë lidhje me
domethënien reale të tij. Banaliteti më i madh është identifikimi i
intelektualit me secilin që ka kryer një shkollim të lartë. Ky banalitet, siç
shkruan Raymond Aron, shfaqet në shoqëritë e pazhvilluara ku çdo njeri i
diplomuar quhet intelektual dhe kjo në njëfarë mase ka të bëj me konceptin rus
të inteligjiencës. Ndërkaq, intelektuali është krejt diçka tjetër. Intelektuali
është dikush që autoritetin apo famën e tij në një fushë të caktuar të kulturës
e të shkencës e vë në funksion të një kauze morale. Dikush që angazhohet për
drejtësinë, në një situatë kur sistemi i drejtësisë nuk jep drejtësi të
vërtetë. Dikush që denoncon drejtësinë e rreme, padrejtësinë që bëhet në emër
të drejtësisë, gënjeshtrën dhe mashtrimin që shiten si të vërteta. Dikush që e
përsëritë aktin e Emil Zolas.