Editorial » Latifi
Blerim Latifi: E di një histori trishtuese nga baba im
E merkure, 09.03.2022, 07:57 PM
Blerim Latifi:
E
di një histori trishtuese nga baba im. Në moshën dhjetë vjeçare ai i kishte
parë me sytë e tij se si komunistët me forcë ua kishin marrë grurin në hambar
dhe miellin në magje. Tito ishte prishur me Stalinin dhe ky i kishte vënë
embargo drithi Jugosllavisë. Të gjitha shtetet tjera satelite të Moskës kishin
vepruar njëjtë. Në përballje me krizën, Tito kishte urdhëruar që fshatarëve t’u
merreshin rezervat e grurit. Natyrisht, nuk ishte fjala vetëm për rezervat, por
për krejt drithin që fshatarët mezi e siguronin nga toka e tyre.
Baba
e tregon bisedën e nanës së tij me milicin, i cili e kishte marrë fshesën për
ta mbledhur të gjithë miellin në magje. - Mos ma merr krejt, se nuk kam çka me
ju dhanë thmive më hangër, i ishte drejtuar ajo milicit. Ai ia kishte kthyer :
- Shkoni hani dushk n’zabel, se ka boll!
Ato
ditë të tmerrshme njerëzit i kishin quajtur “kohë e qesatllakut”, do të thotë
kohë e mjerimit, e mungesës së madhe të grurit dhe artikujve të tjerë
ushqimorë.
Ajo
kohë kishte lënë gjurmë traumatike tek baba im dhe ai tërë jetën nuk ka arritur
të çlirohet nga trauma e mungesës së miellit në magje. Këtë traumë ai e
përballonte duke e punuar tokën cep më cep dhe kur ne talleshim më të duke i
thënë se pse e mundon veten duke mbjellur tokën, kur ma lirë ta qet me ble të
gatshme bukën, ai e përsëriste të njëjtën përgjigje : Nuk e keni jetu ju kohën
e qesatllakut.
Sot
Kosova rrezikon të futet sërish në një krizë të madhe të mungesës së grurit dhe
përsëri për shkak të një ngjarje që lidhet me Rusinë.
Kosova
ka sipërfaqe të mëdha të tokës së punueshme, por pjesa më e madhe e saj është
djerrë, sepse bujqësia na duket një veprimtari e kotë ekonomike. Jemi mësuar të
importojmë gjithçka dhe të kalojmë jetën duke u marrë me thashethemnajën e
përditshme politike. Derisa shoqëritë e tjera përpunojnë vazhdimisht strategji
proaktive për t’u përballur me rreziqet e një bote në kaos, ne vegjetojmë në
mentalitetin e shoqërisë reaktive, e cila reagon vetëm pasi të ketë ndodhur
katastrofa.
_________
E
kishim parë me sy krejt tragjedinë e zhvilluar poshtë në lagjen Jashari dhe
prapë se prapë të gjithë e besonim vetëm një gjë: Ademi është gjallë dhe ka me
dalë nga rrethimi. Njësoj si ata heronjtë e legjendave dhe këngëve të vjetra
epike, që në çastet e fundit triumfojnë mbi vdekjen. Por shpresat tona u
rrënuan kur një kusheri i yni erdhi dhe na tregoi se televizioni i Beogradit e
kishte dhënë lajmin se Ademi u vra. I kishte treguar dikush nga Skënderaj, që i
kishte parë lajmet. Ne nuk merrnim asnjë lajm, sepse rryma ishte nderpre prej
tri ditësh dhe në Prekaz nuk hynte pothuajse askush. Dhimbja na pushtoi të
gjithëve. Një dhimbje të cilën gjuha e ka vështirë ta përshkruaj.Disave u dolën
lotët. Ajo ka qenë nata ma e trishtuar e jetës time. Më dukej se me vdekjen e
Adem Jasharit u shua shkëndija e sapo ndezur e lirisë. Më dukej se po na
përsëritej historia kur me vdekjen e prijësit merrte fund edhe kryengritja dhe
në horizontin e të ardhmes shtrihej vetëm terri i robërisë.
Por
historia kishte ruajtur një fat tjetër për brezin tonë: rezistenca e
pashembullt e familjes Jashari dhe rënia e Adem Jasharit e ngriti në këmbë
gjithë kombin shqiptar. Rruga e lirisë ishte hapur dhe kthim pas më nuk do të
kishte.
_________
Kuvendi
i Lezhës, të cilin e përkujtojmë sot, i ka tiparet e shembullit të sotëm që po
i jep botës Ukraina, në krye me presidentin e saj Zelenskyy.
Edhe
asokohe Skënderbeu me princat e tjerë shqiptarë
në Lezhë vendosën të mos i nënshtroheshin agresionit të fuqisë më të
madhe ushtarake të kohës.
Si
Zelenskyy sot, asokohe qëndresa e shqiptarëve të udhëhequr nga Skënderbeu
mahniti botën.
Kanë
kaluar shekujt dhe kujtesa për të vazhdon të frymëzoj njerëzit që besojnë se
nga ëndrra për liri kurrë nuk duhet hequr dorë, edhe atëherë kur përballë ke
një fuqi tiranike, shumë herë më të madhe.
_________
Fati i keq i filozofisë
në Rusi
Pse
në tekstet standarte të historisë së filozofisë mungon rëndom kapitulli mbi
filozofinë ruse?
Sepse
kjo filozofi nuk ekziston. Ekziston letërsia ruse, në të cilën mund të gjejmë
shumë ide e mendime filozofike, por jo edhe filozofia si fushë e konsoliduar
studimi e krijimtarie intelektuale, siç njihet në Perëndim.
Frederick
Coplestone, në librin e tij prej dhjetë vëllimesh për historine e filozofisë,
njërin vëllim ia kushton filozofisë ruse. Kur e shohim përmbajtjen e këtij
vëllimi, e kuptojmë varfërinë e madhe të mendimit filozofik në kulturën ruse.
Edhe ata pak autorë që mund të konsiderohen filozofë, kryesisht janë ose
epigonë dhe komentatorë të filozofisë perëndimore, ose mendimtarë
mistiko-religjiozë.
Pse
ka ndodhur një gjë e tillë?
Pse
nuk ka pasur zhvillim të filozofisë në Rusi?
Pse
Rusia kurrë nuk ka pasur mendimtarë të kalibrit të Dekartit, Spinozës, Hobsit,
Rusoit, Volterit, Kantit, Hegelit, Niçes, Hajdegerit, Sartrit, Fukosë?
Sepse,
siç thotë Hegeli, filozofia mund të shfaqet dhe të lulëzojë vetëm në botën e
institucioneve të lira. Filozofia nuk mund të zhvillohet në kushtet e
despotizmit politik dhe intelektual. Dhe historia e Rusisë ka qenë e dominuar
pandërprerë nga ky despotizëm i dyfishtë: pushteti absolut i carëve mbi
institucionet politike dhe pushteti absolut i Kishës ortodokse mbi jetën
shpirtërore të shoqërisë ruse.
Pas
marrjes së pushtetit nga bolshevikët me 1917, këto dy pushtete u shkrinë në
autoritetin e gjithëfuqishëm të Partisë Komuniste Sovjetike, e cila e mori
rolin e dikurshëm të Kishës Ortodokse Ruse në ushtrimin e hegjemonisë kulturore
e intelektuale mbi shoqërinë ruse. Stalini ishte njëkohësisht cari dhe papa,
sundimtari absolut i njerëzve dhe bariu i shpirtrave të tyre. Ai e mori
marksizmin kritik të Perëndimit dhe e shndërroi në religjionin zyrtar të
shtetit, kritika e të cilit nuk tolerohej. Derisa Kisha ortodokse dikur
mëkatarët e saj i dërgonte në ferrin e botës tjetër, kisha marksiste e Stalinit
mëkatarët, tani të kualifikuar si devijantë nga vija e partisë, i dërgonte në
ferrin e kësaj bote, të vendosur në Gullagun e Siberisë.
Rënia
e komunizmit, më në fund, krijoi kushtet për një zhvillim të lirë të mendimit
filozofik në Rusi, por konsolidimi i shpejtë i autokracisë së Putinit i
shkatërroi këto kushte. Sot një intelektual rus mund ta kritikojë regjimin
autokratik të Putinit vetëm nëse ai vendosë të jetojë jashtë Rusisë. Brenda saj
atij i lejohet vetëm të filozofuarit që nuk e cenon autoritetin e Putinit dhe
natyrën e regjimit të tij.
Kështu
varfëria e filozofisë në Rusi është
njëra nga dëshmitë më të mëdha të dështimit të demokracisë në shoqërinë ruse
përgjatë gjithë modernitetit.
_________
Erdogani
e paska pritur me nderimet më të mëdha në Ankara Presidentin e Izraelit. Çka
ndryshoi puna tash? Ku mbeti çështja palestineze?
A
ju kujtohet kur na bënte presion për ambasadën tonë në Jerusalem?
A
ju kujtohet çfarë fushate të tmerrshme antisemite patën bërë këtu adhuruesit e
verbërt të Erdoganit?
Çka
nëse ne do të hiqnim dorë nga ambasada në Jerusalem dhe rrjedhimisht edhe nga
njohja e Izraelit?
Do
ta kishim një njohje më pak nga njëri prej shteteve më të rëndësishme në botë
dhe, sigurisht, Erdogani nuk do të merzitej fare për këtë punë. Sepse, në fund
të fundit, ai i ndjek interesat nacionale të Turqisë dhe jo tonat. Por, nëse
këtu ka injorantë që mendojnë se ai brengoset për ne, pse të mos i shfrytëzojë
të tillët në situata të caktuara kur i hyjnë në punë. Sidomos kur nuk i duhet
shumë mund për t’i përdorur.
_________
Nuk
e di pse po e bëjnë të madhe kët' pretendimin e Putinit se mercenarë nga
Shqipëria e Kosova po luftojnë në Ukrainë. Jam fort i bindur se ky pretendim
është thjesht manovër propagandistike që bëhet për t'i nxitur të reagojnë përkrahësit
e Rusisë në Serbi, Kosovë e Bosnje, që kryesisht janë ekstremistë serbë, të
cilët mbrëmë i pamë duke demonstruar rrugëve të Beogradit në mbështetje të
agresionit rus në Ukrainë.
Por
hajde të supozojmë se ka shqiptarë që janë duke luftuar në Ukrainë!
Nëse
ka të atillë që po luftojnë kundër pushtuesve rusë, kjo na bën nderë, sepse
lufta në Ukrainë është luftë mbrojtëse e një shteti demokratik kundër
agresionit të një shteti diktatorial, i cili gjeopolitikisht është
antishqiptar.
Nëse
ka xhihadistë shqipfolës, zyra e Putinit
duhet ta dijë se ata nuk janë në Ukrainë për të luftuar kundër tij, por përkrah
tij, në formacionet e Kadirovit.
Xhihadistët
dhe Putinin i ka bashku dhe i bashkon urrejtja për Perëndimin, prandaj nuk ka
sens të mendohet se ata u janë bashku forcave properëndimore kundër Putinit.
Nuk
ka sens, sepse dihet fare mirë se vahabizmi dhe salafizmi në trevat shqiptare
nxitet e sponsorizohet nga shërbimet ruse e serbe të inteligjencës, tash e 20
vjet me rradhë.
_________
Ku
janë mendimtarët e të majtës që nuk po u ndihet zëri për Ukrainën? Ku janë Noam
Chomsky, Alain Badiou, Slavoj Zhizhek, Regis Debray?
Këta
dhe shumë të tjerë, 24 orë në ditë, gjatë gjithë vitit, rrijnë duke e sha
demokracinë perëndimore, NATO-n, kapitalizmin perëndimor, për të na bindur se
burimi i të keqës është në Perëndim e jo gjetiu.
Pse
po heshtin për agresionin rus mbi një shtet demokratik? Çfarë po presin?
Mbase
shkaku se krejt filozofia e tyre e mllefit ndaj liberalizmit perëndimor, tani e
ka humbur çdo vlerë.
Mbase
janë duke përpunu argumente të reja që edhe për agresioni rus në Ukrainë t'i
fajësojnë demokracitë perëndimore.Kush mund ta dijë?
Sidoqoftë
na mbetet t'i presim "margaritarët" e tyre. Ose thënë më mirë: të mos
i presim hiç! Edhe ashtu qysh moti ka shterru burimi majtist i ideve të
vlefshme.
_________
Pak
orë para se të pinte helmin e ekzekutimit me vdekje, Sokrati kërkoi t'i sillnin
një mjeshtër muzike që ta mësonte t'i binte kitharës( vegël muzikore antike).
Kur njëri nga miqtë e tij e pyeti Sokratin se çfarë kuptimi ka të mësosh t'i
biesh kitharës pasi pas pak orësh do të vdesësh, Sokrati ia ktheu: Sepse më
pëlqen të mësoj.
Me
këtë Sokrati donte që nxënësve e miqve të tij t'u linte mesazhin e fundit të
filozofisë së tij: Të mësuarit është diçka që duhet të na shoqëroj gjatë gjithë
jetës.
Sot
të mësuarit gjatë gjithë jetës është shndërruar në nevojë të domosdoshme në
shoqëritë e zhvilluara, në detyrim që lindë nga dinamika marramendëse
ndryshimit teknologjik. Thënë ndryshe: sot për të mos qenë analfabet, të duhet
të mësosh gjatë gjithë jetës.
_________
E
lëshoi ushtrinë në Ukrainë për t'i treguar botës se Rusia është kthyer, se
është superfuqi, se është e papërballueshme, se nuk pyet për askënd dhe të
gjithë duhet t'ia kenë frikën.
Pas
10 ditë luftimesh e qendrese heroike të ukrainasve, sot Putinit si ka mbetur
tjetër veçse të luftojë për të shpëtuar fytyrën e superfuqisë së tij. Kjo do ta
zhys në barbari edhe më të mëdha, të cilat në fund do t'ia sugurojnë një vend
meritor në katalogun historik të diktatorëve më të ndyrë që ka njohur
njerëzimi.
Të
lashtët na kanë lënë shumë mësime që vazhdojnë të konfirmohen si të vërteta.
Njërën prej tyre e kemi nga Pirroja i Epirit: Mund t'i fitosh të gjitha betejat
dhe në fund të humbësh luftën!
_________
Lvivi
është qytet në Ukrainën perëndimore. Para 150 vitesh kur ai ishte pjesë e
Perandorisë Austro-Hungareze, ushtria e saj kisht ndërtuar një rrjet të madh
tunelesh poshtë qytetit. Kuptohet për arsye ushtarake. Pastaj, më vonë, këto
tunele ishin braktisur e harruar. Tash qytetarët e Lvivit qenkan mobilizuar për
t'i rihapur këto tunele me qëllim që t'i kthejnë në vendstrehimore.
Kjo
më kujton diçka nga ditët e luftës sonë: rifunksionalizimin e mullinjve me ujë,
i cili pat ndodhur në shumë fshatra të Kosovës, ku nuk depërtonin dot
furnizimet me miell gjatë kohës së luftimeve.
Kështu
ndodhë që krejt papritur na hyjnë në punë disa gjëra për të cilat mendojmë se
janë thjesht relikte të së kaluarës që nuk do të kthehet kurrë më.