Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Rezistenca e fortë e ukrainasve, na e kujton një fakt themelor të luftërave për liri
E diele, 27.02.2022, 05:43 PM
Blerim Latifi:
Rezistenca
e fortë e ukrainasve përballë agresionit rus, na e kujton një fakt themelor të
luftërave për liri: duhet të kesh armë të mjaftueshme dhe një shkallë të madhe
patriotizmi tek popullata.
Tek
ukrainasit këta dy faktorë duket të jenë optimalë.
Tek
ne të dy këta faktorë kanë çaluar shumë. Ne nuk kishim armë të mjaftueshme në
asnjë periudhë të luftës dhe patriotizmi ynë luftarak kurrë nuk arriti të
mobilizonte më tepër se 20 mijë njerëz.
Kjo
shpjegohet me faktin se për një kohë të gjatë ne kemi qenë të bindur se nuk
mund t'i rezistojmë ushtarakisht Serbisë, prandaj edhe nuk besonim në suksesin
e luftës çlirimtare.
Nëse
nuk beson se mund të çlirohesh vetë, sigurisht se nuk do t'i rrokësh armët
kurrë.
Mosbesimi
tek vetja, frika nga armiku dhe patriotizmi praktik nuk shkojnë kurrë bashkë.
Fatkeqësisht
edhe gati 23 vjet pas çlirimit ne vazhdojmë të jetojmë me mentalitetin e frikës
nga Serbia dhe të mosbesimit se një ditë do të mund të jemi në gjendje të
qendrojmë përballë saj pa ndihmën e ndonjë protektori të madh.
Dikush
ka thanë se mentaliteti i të qenit rob zgjatë edhe shumë kohë pasi të ketë
marrë fund gjendja e robërisë objektive.
Megjithatë
kjo që po ndodhë në Ukrainë na i kujton disa leksione, të cilat, në kohërat e
paqes, i harrojmë lehtë: nuk ka paqe të përhershme në histori dhe se
patriotizmi është shpirti i një kombi të lirë.
A
do t'i marrim seriozisht këto leksione ndonjëherë?
Nuk
e di. Zakonisht ne nuk shquhemi në të mësuarit nga gabimet dhe dështimet tona.
_______
Drejt
Ukrainës janë duke vërshu me tonelata armë nga shumë shtete. Armë nga më të
sofistikuarat. Ne të shkretit u dashke me gomarë e kuaj me i futë armët në
Kosovë, duke kaluar mes maleve e kufirit të blinduar nga ushtria serbe. Eh, sa
djem të Kosovës kanë ra në kufi gjatë rrugës për të shku në Shqipni me marrë
një pushkë e me u kthy në Kosovë për të luftuar. Ishin të pabarabartë me
armikun, por zemrën e kishin të madhe.
Lavdi
i qoftë emrit dhe heroizmit të tyre të rrallë!
Sot
e përgjithmonë.
_______
Rusia
cariste i ka shtypur pamëshirë gjatë gjithë historisë së saj. Kush e ka lexu
"Haxhi Murati" të Tolstoit, ka mundur të kuptojë dramën e kësaj
shtypjeje.
Bashkimi
Sovjetik nuk i ka trajtuar hiç më mirë. Gjatë kryengritjeve të tyre për
pavarësi, në vitet '90 të shekullit të kaluar, e gjithë Çeçenia ishte kthyer në
tokë të djegur nga ushtria ruse. Ishte pikërisht Putini ai që e varrosi me gjak
aspiratën e çeçenëve për pavarësi.
Për
t'i mbajtur nën kontroll mbi krye u ka vënë një bandit klasik, i cili qeveris
duke tundur koburën. Sot 10 mijë çeçenë qenkan mobilizu në formacione
paramilitare për t'i ndihmuar xhelatit të tyre të djeshëm në pushtimin e Ukrainës.
Detyra e tyre, siç po shkruajnë mediat, qenka mbjellja e terrorit në tokën e
Ukrainës.
Robëria
nuk është fundi i një populli.
Fundi
është kur ai heq dorë nga aspirata për liri dhe shndërrohet në vegël qorre të
sunduesve të tij.
_______
Rusia
e sotme nuk është më agresive se Bashkimi Sovjetik i djeshëm, por sot Rusisë i
mungon një instrument shumë efektiv të cilin e kishte Bashkimi Sovjetik:
joshjen ideologjike përmes përdorimit të ideologjisë komuniste dhe përrallave
të bukura të saj.
Sot,
agresioni i Rusisë, në mungesë të një justifikimi moral, duket krejtësisht si
një agresion barbar, deri në përmasat e fashizmit. Prandaj sot Rusia ndodhet
pothuajse e vetmuar përballë gjithë botës, e cila, me gjithë problemet e mëdha,
nuk është e gatshme ta pranojë një rend botëror të bazuar në ligjin e xhunglës.
Ukraina
edhe mund të gjunjëzohet nga pesha e forcës ushtarake, por aventura e
rrezikshme e Rusisë që synon eksportimin e autoritarizmit nëpër botë, nuk ka
shansa të dalë e suksesshme.
_______
"Oso
Kuka" i Ukrainës. Për ta ndaluar avancimin e tankeve ruse i riu Vitaly
Skakun qenka martirizu duke hedhur veten në erë bashkë urën nga do të kalonin
ato.
Veç
dashuria e pakusht për lirinë e atdheut, mundëson heroizma të tillë.
_______
Ja një njeri që i jep kuptim të plotë fjalës president!