Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Përvjetori i fillimit të Konferencës së Rambujesë
E diele, 06.02.2022, 08:30 PM
Blerim Latifi:
Sot
qenka përvjetori i fillimit të Konferencës së Rambujesë.
Një
nga dimensionet më tragjike të historisë së shqiptarëve të Kosovës është fakti
se qysh nga Lidhja e Prizrenit ata ishin të përjashtuar nga tryezat ku vendosej
për fatin e tyre. Kongresi i Berlinit (1878), Konferenca e Londrës (1912),
Konferenca e Versajës (1919), Konferencat e fundit të Luftës së Dytë Botërore,
Konferenca e Hagës( 1991), e Daytonit (1995)- janë disa nga ngjarjet e mëdha ku
zani i Kosovës u mbyt në favor të interesave të Serbisë. Ky trend tragjik
historik u përmbys në Rambuje, ku për herë të parë Kosova ishte pjesë e
vendimmarrjes ndërkombëtare për fatin e saj. Natyrisht, sot, nesër dhe
përgjithmonë do të kujtohet se kjo, parasegjithash, ishte meritë e lëvizjes ma
të suksesshme në historinë tonë, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prandaj, sot,
nesër dhe përgjithmonë UÇK do të mbetet një nga traumat më të mëdha në trurin e
shovinizmit serb. Shenja e parë e kësaj traume është fakti se edhe 22 vite pas
luftës, serbët vazhdojnë të harxhojnë miliona duke prodhu propagandë, filma,
dokumentarë e literaturë kundër UÇK-së.
________
Kur
ne kujtojmë Aksionin e Madh të Pajtimit të Gjaqeve, të vitit 1990, pak e dinë
se kjo traditë është themeluar në shekullin e 17 nga Pjetër Bogdani. Aq i madh
ishte autoriteti i tij saqë, siç tregojnë kronikat e kohës, në një ditë të
vetme ai i kishte pajtuar 24 gjaqe mes fisit të Gashit e Krasniqit në Malësinë
e Gjakovës.
Ai
nuk e bënte këtë për të mbushur xhepat e tij, siç bëjnë sot disa hoxhallarë
matrapazë, por thjesht dhe vetëm për t'u dhënë paqe bashkëadhetarëve të tij.
Ndër
shekuj tradita e themeluar nga Bogdani u mbajt gjallë nga prijës popullorë si
Binak Alia, Ramadan Shabani, Ahmet Delia, Xhemail Obria, e shumë të tjerë, për
të ardhur deri tek Anton Çetta i viteve '90.
________
Mënyra
e vrasjes së Zahir Pajazitit e tregon gjithë përmasën reale të aktivitetit të
tij. Policia serbe ishte bindur se nuk kishte shansë ta kapte të gjallë, e as
t'i afrohej, prandaj e vetmja mundësi që kishin ishte t'i zinin pritë në natën
e errët. Sepse ai u ngjante atyre luftëtarëve të vjetër që "n'për male e
n'për prita, ku i za nata, si çelë dita".
Lavdi
këtij trimi të rrallë, që bashkë me shokët e tij na mësuan ta mposhtim frikën
dhe të ngrihemi me armë në dorë kundër tiranisë!
________
Policin
që e thotë një të vërtetë, e suspendojnë nga puna, ndërsa deputetin që jeton në
Prishtinë dhe gënjen se udhëton nga një vend tjetër i Kosovës, sa për t'ia
zhvatë shtetit paret e naftës, nuk e prekin.
Kjo
nuk është demokraci.Kjo është pseudo-demokraci. Sepse demokracia e vërtetë
është barazi para ligjit, ndërsa demokracia e rreme një regjim ku vlenë parimi
i Orwell-it tek "Ferma e Kafshëve": Të gjitha kafshët janë të
barabarta, por disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat!
Kthejeni
policin në punë!
Sepse
e vërteta na çliron, ndërsa mashtrimi veç e trashë pushtetin e batakçinjve e
hajdukve.
________
Militantët
e pushtetit po i qesin veç naftashat parlamentarë të opozitës; militantët e
opozitës veç naftashat parlamentarë të pushtetit. Mosni kshtu, mos e prishni të
vetmin konsensus efektiv në Kuvendin e Kosovës:
Rreth
naftës të përbashkuar,
Me
një dëshirë e një qëllim,
Të
gjithë aty duke u betuar,
Ta
zhvatim shtetin pa përtim!
________
Pesimizmi
është shenjë e kalbjes, optimizmi është shenjë e mendimit sipërfaqësor;
"optimizmi tragjik" është gjendja shpirtërore e njeriut të fortë që
kërkon intensitetin dhe zgjerimin e përvojës, edhe me çmimin e fatkeqësisë, dhe
kënaqet kur zbulon se konflikti është ligji i jetës.
Nga
i papërsëritshmi Fridrih Niçe
________
Të
vjetërit e përdornin shpesh fjalën "prasjak", për ta përshkru
karakterin e një njeriu meskin që përpiqet në çdo rast e situatë me zhvatë
diçka, karakterin e një njeriu të pangopur. Publikimi i këtyre fakteve për
karburantin e deputetëve të mbuluar nga buxheti i shtetit, na dëshmon se Kuvendi
i Kosovës është i mbushur me prasjakë.
________
Një
komando amerikane paska asgjësuar liderin e ISIS në Siri. Në ndërkohë mijëra
trupa e paisje ushtarake amerikane po vendosen më vendet e Europës Lindore
përballë kërcënimit rus. Flotat amerikane patrullojnë Mesdheun dhe Gjirin
Persik, ku ndodhet një linjë kyqe e tregtisë ndërkombëtare. Pa harruar këtu
mbikqyrjen e vazhdueshme të lëvizjeve të Kinës rreth Taivanit dhe ato të
liderit të çmendur të Koresë Veriore.
Amerika
sot i ngjanë Romës së Lashtë, e cila ishte në gjendje që njëkohësisht të
kryente operacione ushtarake në tri kontinente.
E
pastë ymrin edhe Amerika sa Roma!
________
Rastësisht
u takova sot me shokun tim të vjetër Arsim Misimin. Kemi qenë bashkë në tetë
vitet e shkollës fillore dhe në katër vitet e gjimnazit. Na bashkojnë qindra
kujtime nga ajo kohë e zymtë, kur ishte e vështirë të ishe nxënës dhe fëmijë.
Qysh nga paslufta Arsimi është polic i Kosovës dhe si rezultat i punës së vyer
që ka bërë ndër vite, tani është ngritur në përgjegjësi. Babai i tij, Muharrem
Misimi, ka qenë një nga liderët e grevës së famshme të minatorëve në vitin 1988
dhe edhe pse i shtyrë në moshë, në vitin 1998 ai u bashkua me UÇK-në dhe ra
dëshmor në luftimet që u bënë në afërsi të Galicës në shtator të atij viti.
Ndejtëm gjatë me Arsimin duke folur për sa e sa gjëra të së kaluarës e të
tashmes. Kur njeriu kalon kohë me njerëz të mirë dhe punëtorë të ndershëm e të
zellshëm, i rritet shpresa për të ardhmen e këtij vendi.