Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Ligji i lashtë i Lekës kishte bërë mrekulli në mes të ferrit nazist
E shtune, 29.01.2022, 08:47 PM
Blerim Latifi:
Me rastin e Ditës
Ndërkombëtare të Holokaustit
Shqiptarët
e Kosovës nuk e pritën me pushkë pushtimin fashist. Jo se e donin fashizmin,
sepse, në fund të fundit, ata as që e dinin se çfarë ishte fashizmi. Ata e
dinin vetëm një gjë që Serbia zullumçare, e cila nga viti 1912 deri në vitim
1941 ua kishte bërë jetën ferr, ishte zhdukur krejt papritur.
Shqiptarët
e Kosovës nuk u bënë fashistë, as atëherë kur fashizmi-kuptohet për qëllime të
veta- ua ktheu flamurin kombëtar dhe ua hapi shkollat në gjuhën shqipe. Nuk
pati shqiptarë që shkuan për të luftuar përkrah nazistëve në Stalingrad e
Leningrad. Ata refuzuan thirrjet e Muftiut të Madh të Jerusalemit, të cilin
Hitleri e solli në Sarajevë për t'i mobilizuar muslimanët e Ballkanit në
projektin e Holokaustit. Përkundrazi, ata e bënë të kundërtën duke i strehuar
hebrenjtë që po iknin nga makineria shfarosëse e Hitlerit. Komandanti nazist që
mbikqyrte Divizionin "Skanderbeg", ankohej në Berlin se shqiptarët
nuk po duan të luftojnë, se janë të padisiplinuar dhe vetëm duan të kthehen në
shtëpitë e tyre. Pas luftës Xhafer Deva dhe Rexhep Mitrovica e vazhduan të qetë
jetën e tyre, deri në vdekje. I pari në SHBA, i dyti në Stamboll. Askush nuk
kërkoi të nxirreshin para drejtësisë, sepse ishte e qartë se nuk ishin përfshirë
në krime kundër hebrenjve.
Ligji
i lashtë i Lekës kishte bërë mrekulli në mes të ferrit nazist: -
Ndera
e shqiptarit kërkon me marrë n'besë atë që t'bjen n'dorë!
-Ndera
e shqiptarit kërkon me mbrojtë të dobëtin e të pafajshmin, që të troket n'derë
e të flet: N'DORËN TANE, BURRË!
__________
PSD
i ka premisat për t'u bërë një parti serioze në skenën politike kosovare, edhe
pse tani duket më shumë si një klub i folësve të talentuar publikë.
Por,
që t'ia arrijnë kësaj, u duhen paraprakisht dy gjëra: çlirimi nga politika e
inatit dhe çlirimi nga anakronizmi ideologjik, të cilin e bartin që nga
periudha e hershme e Vetëvendosjes. Çlirimi i parë ka të bëj me heqjen dorë nga
angazhimi politik i motivuar nga inatet personale që kanë me Kurtin. Duhet të heqin
dorë për të treguar se nuk vazhdojnë të vuajnë nga trauma e ndarjes me Kurtin.
Trauma dhe inati nuk të mundësojnë politikë kreative. Ato të dënojnë të mbetesh
rob i të kaluarës dhe i ndjenjave të revanshit e hakmarrjes. Ato të shpërfaqin
si njeri që politikën e bën për egon tënde të lënduar, e jo për çështjet
publike. Ato të dënojnë ta shohësh realitetin nga një persepektivë e ngushtë,
nga ngushtësia e shpellës tënde personale. Njerëzit nuk do të të vijnë pas për
të kënaqur ndjenjat tua të hakmarrjes.
Çlirimi
i dytë ka të bëj me heqjen dorë nga megalomania boshe e diskursit neomarksist,
me të cilin PSD e kishte mbushur Manifestin e saj politik. Nuk mund të kuptohet
realiteti kosovar me koncepte të tilla si "providenca",
"domosdoshmëria historike", "hegjemonia gramshiane",
"lufta e klasave", "tjetërsimi e tejdeterminimi", "lufta kundër korporatave multinacionale
dhe kapitalizmit financiar", "kapitali që ia bën varrin vetes",
"mungesa e qasjes internacionaliste, si shkak i krizës brenda të
majtës", e broçkulla të tjera nga koha e debateve ideologjike të
KOMINTERN-it. E vetmja fushë ku për këto koncepte mund të flitet seriozisht
është historia e ideve politike. T'i marrësh seriozisht ato në rrafshin e
politikës praktike të një vendi të vogël, siç është Kosova, është thjesht
budallallëk, në kuptimin e plotë të fjalës.
__________
Meqë po flitet shumë për
Ukrainën këto ditë, ja një historike tragjike shqiptare.
Në
gjysmën e dytë të shekullit 18 një revoltë e madhe kishte shpërthyer në mesin e
shqiptarëve ortodoksë në jugun e Shqipërisë. Reagimi osman ndaj saj ishte i
pamëshirshëm. Diku rreth 2000 kryengritës, që nuk pranuan të dorëzoheshin,
morën familjet dhe u nisën në një eksod gati biblik nëpër malet e Ballkanit.
Pas muajsh të tërë, ata arritën në Ukrainë. Prej tyre u themelua komuniteti i
shqiptarëve të Ukrainës. Të shkëputur dhe pa raporte me atdheun e tyre, ata nuk
e kishin përjetuar zgjimin kombëtar, i cili kishte ndodhur në Shqipëri më shumë
se një shekull më pas, por edhe përkundër kësaj, ata ia kishin dalë ta ruanin
gjuhën shqipe dhe traditat e tyre etnike. Diku, me sa di, në vitin 1910 një
grup i tyre u takua me Fan Nolin, i cili u foli për shqiptarizmin, u dhuroi një
portret të Skënderbeut dhe i porositi që në çdo 6 maj të festonin ditëlindjen e
heroit kombëtar si festën e tyre kryesore. Dhe ata nuk e harruan porosinë e
shqiptarit të madh.
Sot
mendohet se komuniteti i tyre është zvogëluar në rreth 4 mijë vetë. Nga
presioni asimilues ka gjasë që në të ardhmen e afërt të humbin fare identitetin
etnik dhe të mbesin thjesht një faqe tragjike në kujtesën historike të atdheut
të tyre, të cilin e braktisën në një kohë të egër, për të mos e parë kurrë më.
__________
Ekziston
një mit ndër ne që thotë se manastiret ortodokse, si ky i Deçanit, i kanë
ruajtur shqiptarët gjatë sundimit osman. A përnjëmend mendoni se një shqiptar i
leckosur, me një pushkë të ndryshkur, që bën roje pranë një manastiri, ka
mundur ta mbrojë atë nga rrënimi?
Pastaj
shtrohet pyetja: Nëse shqipet kishin aq vullnet për t'i ruajtur manastiret ortodokse,
pse nuk i ruajtën edhe kishat katolike, të cilat pas vitit 1689 masivisht u
rrënuan?
Përtej
miteve e legjendave, e vërteta flet ndryshe: kishat katolike u rrënuan, sepse
Perandoria Osmane vazhdimisht ishte në luftë me shtetet katolike europiane dhe,
në këtë kontekst, kishat katolike shiheshin si kërcënime të brendshme, ndërsa
manastiret ortodokse u ruajtën prej saj, sepse kishat ortodokse të Ballkanit,
duke filluar nga Patriarkana e Stambollit, ishin aleate të Perandorisë Osmane,
deri në fillimin e shekullit të 19. Bile paprekshmërinë e manastireve ortodokse
në Kosovë e gjetiu e ka bërë ligj osman serbi Mehmet Pashë Sokoloviqi, veziri i
madh i Sulltan Sulejmanit.
Leni
përrallat, e shikojeni në sy historinë!
__________
Çfarë lajmi tragjik nga
Shqipnia!
Një
grua e moshuar, e braktisur nga të gjithë, paska vdekur nga të ftohtit në
shtëpinë e saj të rrënuar. Tre fëmijë i paska rritur, por ata paskan ikur në
Perëndim, duke e lënë të shkretë dhe pa mbështetje në vetminë e saj mizore.
Duke mos pasur lekë të paguaj faturat e energjisë, poreznikët e pashpirtë të
shtetit ia paskan ndalë energjinë. Duke jetuar midis një shoqërie të shurdhër,
që qysh moti ka lënë prapa edhe ndjenjat më themelore të solidaritetit
njerëzor, pra duke mos pasur ku të kërkojë ndihmë, ajo i qenka dorëzuar fatit
të saj tragjik, fat të cilin ia sollën dy acare : acari i dimrit natyror dhe
acari në zemrat e njerëzve rreth saj.
Sot
dhe nesër storia për vdekjen e saj mizore do të qarkullojë nëpër media, pastaj
shpejtë gjithçka do të harrohet në zhurmën e përditshme shurdhuese që bën
Shqipëria virtuale në facebook-un e Edi Ramës dhe në zhurmën e çakejve të
politikës shqiptare, të cilët e kalojnë gjithë motin duke ëndërruar që një ditë
të kenë fatin e tij politik.
__________
A po nerth?
Në
këto ditë shumë të ftohta janari, një nga pyetjet më të shpeshta që ia bëjmë
njëri tjetrit është: A po nerth?
Të
gjithëve na kujtohet kur Hashim Thaçi ia kishte bërë këtë pyetje Edi Ramës
shumë vite më parë dhe Rama kishte reaguar i habitur, shkaku se nuk e kishte
kuptuar fjalën “nerth”. Sigurisht ai nuk mund ta kuptonte këtë fjalë, e cila
është hequr nga fjalori i shqipes standarte, me të cilën është rritur Rama. Ne
patëm qeshur aso kohe me Thaçin, por në fakt kjo fjalë është një thesar që
dëshmon rrënjët e lashta indo-europiane të shqipes. Fjala “nerth” është e
lidhur me fjalët “north” të anglishtes dhe “nord “ e “nurtha” të gjermanishtës
së vjetër, e “norte” të spanjishtes. Nerth, north, nurtha, nord e norte i
bashkon rrënja indo-europiane “ner”, që ka kuptimin “majtas”, e që lidhet me
faktin se kur e shikojmë diellin në lindje, veriu mbetet në anën tonë të majtë.
Për më tepër, nëse i krahasojmë me fjalët si motra të gjuhëve tjera, rrënja e
lashtë indo-europiane “ner” brenda shqipes është ruajtuar në formën e saj
primordiale.
Me
kohë “nerth” është bashkuar semantikisht me veriun dhe të ftohtin që vjen prej
tij dhe me këtë kuptim ka mbijetuar në shqipen gegnishte. Pra le të vazhdojmë
të pyesim njëri tjetrin: A po nerth? Sepse kështu e nderojmë vetë lashtësinë
indo-europiane të gjuhës tonë.
__________
E
pashë protestën e kuksjanëve në Morinë. Është aq e turpshme t'u ndalohet hyrja
në Kosovë! Aq ma tepër që kjo bëhet në emër të disa masave kundër Covid,
krejtësisht të paefektshme.
Hiqeni
atë ndalesë turpi ndaj vllezërve tanë, të cilët me 1999 i strehuan në shtëpitë
e tyre të varfëra qindra mijëra kosovarë të përzënë me dhunë nga ushtria serbe!
__________
Edhe
Homeri, themeluesi i letërsisë botërore, ka qenë i verbër. Edhe Galileo Galilei,
themeluesi i shkencës moderne. Edhe Jorge Luis Borges, njëri ndër më të
mëdhenjt e letërsisë së shekullit XX. Edhe Louis Braille, njeriu që shpiku
Alfabetin “Braille”. Edhe... Edhe... Është aq e gjatë, shumë e gjatë lista e
atyre që patin fatin e keq të humbin dritën e syve, por me dritën e mendjes së
tyre ndihmuan që njerëzimi të shoh më mirë në terrin e shkaktuar nga
budallenjtë e zuzarët e të gjitha llojeve.
__________
Jean
Jaures-in, liderin e socialistëve francezë në fillim të shekullit XX, e pyeti
njëherë një gazetar: Ju socialistët flisni vazhdimisht për ndryshimin e botës!
Çka nëse nuk ia dilni ta ndryshoni botën? Jaures ia ktheu aty për aty: Atëherë
do t'i ndryshojmë fjalët!
__________
Të
shetisësh dimrit në natyrë, i ke dy të mira: dimri ta mundëson njëlloj
përjetimi gotik të natyrës dhe, sipas të gjitha gjasave, nuk do të takosh
ndonjë njeri i cili, në bisedë e sipër me ty, ta bën atë pyetjen e sikletshme
që kërkon përgjegje profetike: Kur do t'bahet mirë?