Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Ekziston një lloj skizofrenie kulturore në historinë e Rusisë
E merkure, 23.02.2022, 07:33 PM
Blerim Latifi:
Ekziston
një lloj skizofrenie kulturore në historinë e Rusisë: derisa në politikë rusët
vazhdimisht kanë anuar drejt agresivitetit dhe imperializmit ndaj popujve të
tjerë, në fusha tjera, si p.sh.në letërsi, ata vazhdimisht kanë dhënë shembuj
të mahnitshëm humanizmi, duke filluar nga Pushkini e deri te Pasternaku. Njeriu
thjesht mbetet i mahnitur kur lexon letërsinë e Tolstoit, Gogolit, Turgenievit,
Çehovit, Dostojevskit, Berdyaev-it, Jeseninit, Pasternakut, Mandelshtamit,
Ahmatovës, Brodskit, e të shumë e shumë të tjerëve.
Fatkeqësisht,
në disa raste, disa prej emrave të mëdhenj të literaturës ruse e kanë humbur
rrugën humaniste në skizofreninë kulturore ruse. I tillë është rasti i
Dostojevskit me pansllavizmin e tij ortodoks dhe i Solzhenjicinit me apologjinë
e tij për antiliberalizmin dhe autoritarizmin e Putinit. Gjithsesi Rusia mbetet
një shembull i shquar mbi pafuqinë e artit të madh për t'i zbutur instinktet
destruktive të politikës.
______
Videoja
ku shefi i inteligjencës ruse Sergei Naryshkin dridhet teksa raporton para
Putinit, ka bërë xhiron e botës. Sigurisht ato pamje nuk do të dilnin pa lejen
e vozhdit të ri të Kremlinit. Duket se përmes tyre Putini done t’i tregonte
botës forcën e sundimit të tij absolut mbi aparatin e shtetit rus. Një forcë që
dikur e kishte vetëm Stalini.
Ka
një ngjarje reale nga koha e Stalinit, e cila na kujtohet kur e shohim
Naryshkin-in duke u dridhur para Putinit. Kur shefit të inteligjencës
sovjetike, Lavrenti Beria, i dhanë lajmin se Stalini ishte duke dhënë shpirt,
ai vrapoi të arrinte i pari tek shtrati i tij, para të gjithë anëtarëve të
tjerë të byrosë politike. Kur e pa se tanimë Stalini nuk po merrte as frymë,
dhe i bindur se ai tanimë kishte ikur në botën tjetër, Beria nisi ta shante dhe
fyente shefin e tij mizor. Papritur çerpiku i Stalinit lëvizi dhe në çast Beria
mori pozicionin gatitu të njeriut të bindur në mënyrë absolute.
Në
regjimet autokratike bindja është variabël e varur nga frika: niveli i bindjes
rritet në proporcion me nivelin e frikës.
______
Nga
mosmarrëveshja gjeostrategjike midis Perëndimit dhe Rusisë në vitin 1913 doli
Shqipnia Londineze.
Nga
mosmarrëveshja gjeostrategjike midis Perëndimit dhe Rusisë në vitet 2007-2008
doli Kosova e pavarur.
Mbase
nga mosmarrëveshja e re gjeostrategjike midis Perëndimit dhe Rusisë, që po zë
fill me Krizën e Ukrainës, Kosova e
Shqipnia do të bashkohen përfundimisht në një shtet të përbashkët.