Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Milan Shuflaj - Thuajuni zotërinjve tuaj të largohen nga Kosova
E diele, 20.02.2022, 07:55 PM
Blerim Latifi:
"Thuajuni
zotërinjve tuaj të largohen nga ai vend (Kosova), sepse ai vend as nuk ishte e
as nuk do të jetë i tyre"
Në
janar të vitit 1931 albanologu i famshëm kroat Milan Shuflaj kishte arritur në
Tiranë. Qeveria shqiptare e kishte ngarkuar me projektin e shkrimit të
historisë së shqiptarëve, projekt i cili parashihej të përfshinte emra të
njohur ndërkombëtarë të historiografisë. Shuflaj e elaboroi projektin në një
seancë të veçantë të Parlamentit Shqiptar. Agjentët e fshehtë të Serbisë në
Tiranë nuk vonuan ta informojnë qeverinë në Beograd dhe kjo nuk humbi kohë për
ta marrë vendimin kriminal: duhet vrarë Shuflaj që të ndalohej projekti i tij!
Vrasësit u nisën drejt Zagrebit. Në shkurt Shuflaj la Tiranën dhe u kthye në
Zagreb. Në hyrje të banesës ai u ndesh me vrasësit. Në konfrontimin verbal që
ndodhi fillimisht, Shuflaj u tha atyre: "Thuajuni zotërinjve tuaj të largohen
nga ai vend (Kosova), sepse ai vend as nuk ishte e as nuk do të jetë i
tyre". Vrasësit e Beogradit e qëlluan me mjete të forta dhe të nesërmen
Shuflaj vdiq në spital nga plagët. Vrasja e tij shkaktoi indinjatë të madhe në
qarqet shkencore europiane. Në mesin e atyre që protestuan ishte edhe fizikanti
më i madh i shek XX, Albert Ajnshtajn. Ato vite Serbia po punonte intensivisht
në planet për shpërnguljen e të gjithë shqiptarëve të Kosovës në Turqi dhe, në
këtë kontekst, zëri i Shuflajt përbënte një pengesë serioze për këto plane në
rrafshin ndërkombëtar.
Një
pengesë serioze, sepse, siç dihet prej kohësh, që të zhdukësh një popull, duhet
më parë të zhdukësh të vërtetën e tij.
_______
Datat e mëdha në
kalendarin filozofik
Kur
Van der Piku bashkë ne gruan e tij u kthye nga mesha, trokiti në derën e dhomës
të qeraxhiut të tyre. Asnjë zë nuk u dëgjua nga brenda. Mbase qeraxhiu ishte
duke fjetur. Më vonë trokiti përsëri dhe prapë asnjë reagim. Atëherë i zoti i
shtëpisë e hapi derën dhe me të hyrë e pa se ku qëndronte arsyeja e heshtjes.
Qeraxhiu i tij kishte vdekur. Në tokë i kishin rënë fletët në të cilat po
shkruante kapitullin mbi demokracinë të Traktatit Politik. Ai quhej Baruh
Spinioza, njëri prej etërve themelues të Iluminizmit Europian dhe, padyshim, njëri
prej mendimtarëve më të mëdhenj në historinë intelektuale të njerëzimit.
Ishte
vetëm 44 vjeç. I leçitur nga komuniteti i tij hebre për shkak të mendimeve të
tij kritike për religjionin, Spinoza e kaloi jetën e tij në varfëri dhe vetmi,
por asnjëherë nuk pranoi që të hiqe dorë nga liria e tij e mendimit. Madje edhe
atëherë kur iu bë atentat nga një fanatik fetar.
Ai
nuk pranonte asgjë, e cila mund t'ia cenonte lirinë e mendimit dhe të
arsyetimit logjik. Nuk pranonte dhurata nga tregtarët e pasur të Amsterdamit,
sepse e tmerronte frika nga korruptimi i shpirtit. Për të njëjtën arsye ai e
refuzoi pensionin e Luigjit te XIV dhe ofertën për të drejtuar katedrën e
filozofisë në Heidelberg. Kur ofertuesi i tha se "të garantojmë lirinë e
mendimit, me bindjen se ke mirësinë të mos e sulmoni fenë zyrtare të
shtetit", përgjigjja e Spinozës ishte e tillë : "Vlera e propozimit
tuaj është mjaft e shtuar në sytë e mi, nga liria e të filozofuarit e
bashkangjitur me të...Por, unë nuk e di se në cilët kufij të saktë kjo liri për
të filozofuar duhet të kufizohet, që të mos duket se po interferohet në fenë
zyrtare të Principatës".
Me
fjalë të tjera: arsyes dhe kërkimit të së vërtetës nuk mund t'i vendosen kufij.
Që
të mbronte lirinë e tij të mendimit dhe të mos e shiste atë, Spinoza prodhonte
thjerrza të syzeve, të cilat i shiste për të fituar bukën e gojës dhe blerë
libra. Kjo punë, sipas disa biografëve të tij, edhe ia shkurtoi jetën, sepse
pluhuri i liruar nga përpunimi i xhamit duket t'ia ketë helmuar mushkritë.
Vepra
që la pas u bë themel i mendimit iluminist, ndërsa qëndrimi i tij jetësor model
i intelektualit modern. Vetë Hegeli shkroi për të: Për të qenë filozofë, duhet
të jemi spinozianë.
Sot
idetë politike të Spinozës jetojnë në kushtetutat e shteteve demokratike, duke
filluar nga kushtetuta amerikane.
Në
veprën e tij Traktati Teologjiko-Politik, padyshim një nga veprat më të mira të
krejt filozofisë politike, Spinoza shkruan për shtetin: "Qëllimi final i
shtetit nuk është sundimi i njerëzve, as imponimi i kufizimeve përmes frikës,
por çlirimi i çdo njeriu nga frika, në mënyrë që ai të jetojë dhe të veprojë në
siguri të plotë, pa padrejtësi, për të dhe për të tjerët. Përsëris, qëllimi
final i shtetit nuk është që qeniet e arsyeshme t'i bëj kafshë të shëmtuara ose
makina, por është: të mundësojë që trupat dhe mendjet e tyre të funksionojnë në
siguri. Shteti duhet t'u mundësojë që njerëzit ta jetojnë dhe ta ushtrojnë
lirinë e arsyes, në mënyrë që ata të mos i harxhojnë forcat e tyre në urrejtje,
në zemërim e mashtrim, as të veprojnë me ligësi ndaj njëri tjetrit. Në këtë
mënyrë, realisht, qëllimi për të cilin duhet të ekzistojë shteti, është vetë
LIRIA".
Ne
sot jetojmë në shoqëri të lira, falë heroizmit intelektual të njerëzve të tillë
si Spinoza. Dhe ne duhet të mësojmë vazhdimisht nga idetë e shembulli i tyre,
për t'i bërë sa më të forta themelet e këtyre shoqërive.
_______
Me
siguri shumë nga ju e keni pa një video të Adem Jasharit duke i pritur
bashkëluftëtarët në kullën e tij. Në hyrje ai ua merr armët dhe i vendosë tutje
në një kënd të odës. Kjo sjellje reflekton një normë të vjetër tradicionale:
kur mblidhen njerëzit në një tubim, aheng apo çkado qoftë tjetër, armët duhet
mbajtur larg. Ato nuk duhet të jenë pjesë as ndejës, as e lojës e gëzimit.
Sepse arma e shndërruar në lodër sjell kob. Sepse, siç thotë ajo proverba e
vjetër, njëherë në vit pushkën ta mbush dreqi. Sot kjo traditë e kujdesit me
armën nuk ekziston. Prandaj edhe po ndodhin vazhdimisht raste tragjike si kjo e
mbrëmshmja e vrasjes së policit nga kolegu i tij.
_______
500
vjet nën despotizmin otoman.
29
vjet nën tiraninë e Karaxhorxheviçëve.
4
vjet nën tutelen e Duçes e Fyhrerit.
45
vjet nën totalitarizmin komunist jugosllav.
10
vjet nën fashizmin postkomunist serb.
23
vjet të lirë.
Dhe
veç 14 vjet shtet i pavarur.
Kjo
është historia jonë.
Ne
ende nuk jemi mësuar me lirinë, prandaj e abuzojmë aq lehtë dhe nuk dimë se si
të kujdesimi për të.
Kemi
humbur aq kohë, e kemi mbetur aq prapa, saqë tash jemi të padurueshëm, nuk na
pritet më, duam brenda natës t'i rregullojmë të gjitha dhe kështu rrezikojmë
t'i prishim edhe ato që tanimë janë rregulluar.
_______
54.8
për qind e të anketuarve në një sondazh paskan deklaruar se janë të gatshëm të
largohen nga Kosova.
Si
mund të shpjegohet kjo përqindje kaq e madhe?
Pesimizmi
ekonomik sigurisht është ndër arsyet e para.
Rënia
e optimizmit politik, besimit jorealist se brenda një kohe të shkurtër do të
gjenden rrugët dhe njerëzit që do t'u japin zgjidhje krejt problemeve tona,
është një arsye tjetër.
Dhe
një e tretë që mendoj se e bën shumë të fortë dëshirën për emigrim, është
izolimi i vendit. Sepse sa më i madh është izolimi dhe getoizimi i një vendi,
aq më e madhe bëhet nevoja e njerëzve të tij për të dalë jashtë, për të
emigruar.
_______
Fati
i keq i Ukrainës qenka parathënë në vetë emrin e saj. Emri Ukrainë, i
prejardhur nga polonishtja, e paska kuptimin "tokë kufitare". Një
tokë ku gjatë historisë, shumë herë, janë ndeshur fuqitë e Lindjes me ato të
Perëndimit. Siç po ndodhë saktësisht edhe sot.
Të
jetosh në zona kufitare midis civilizimeve është barrë e rëndë, sepse je i pari
që të bien mbi kurriz pasojat e tensioneve që herë pas here lindin midis
civilizimeve.
Një
fat të tillë e kemi përjetuar edhe vetë ne shqiptarët gjatë gjithë historisë.
Bile është njëlloj mrekullie se si ia kemi dalë të mos zhdukemi krejtësisht, si
pasojë e përplasjeve të civilizimeve që, si për dreq, vazhdimisht ndodhin këtu
pari.