Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Rrethi i të çmendurve
E hene, 14.03.2022, 07:55 PM
Blerim Latifi:
Pothuajse
të gjithë e prisnin se pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, edhe Ballkani do
të trazohej. Në fakt po ndodhë e kundërta : në qetësi Ballkani po e shijon
borën e fundit të dimrit.
Si
shpjegohet kjo qetësi?
Mendoj
se mes disa faktorëve është në pyetje edhe faktori i pritjes. Të gjithë po e
shikojnë dhe po e presin epilogun e luftës në Ukrainë. Dhe natyrisht në pritje
secili duke i bërë llogaritë e veta.
Nëse
Rusia del e fituar nga kjo luftë, atëherë ne do të shohim se si çetnikët e të
gjitha vendeve, në Serbi, Bosnje, Mal të Zi dhe Kosovë, do të marrin zemër për
të ngritur krye. Protestat e tyre në Beograd, Bosnje, Mal të Zi dhe mbushja e
mureve në veriun e Kosovës me simbolin e agresionit rus në Ukrainë, janë
paralajmërim i këtij zhvillimi.
Nëse
Rusia del e turpëruar nga kjo luftë, Beogradi do të vrapojë për t’u rreshtuar
me fituesit, por pa hequr dorë nga ambiciet e tij shoviniste.
Vuçiqi
po ndjek dyfytyrësinë e dikurshme të Titos, i cili, si në rastin e invazionit
sovjetik në Hungari (1956) dhe në rastin e shtypjes së Pranverës së Pragës (
1968), luante lojë të dyfishtë midis dënimit dhe mbështetjes për Moskën.
Perëndimi
e toleronte këtë lojë të Titos.
A
do ta bëj këtë edhe me Vuçiqin?
Mbetet
për t'u parë.
____________
Sot
kur e gjithë bota po flet për diktaturën e Putinit, duhet ta kujtojmë mësimin
më të madh dhe më të vlefshëm mbi pushtetin që na e ka dhënë liberalizmi:
- Mos e lejoni përqëndrimin e gjithë
pushtetit në duart e një njeriu apo pak njerëzve, sepse sa më i madh përqëndimi
i pushtetit aq më i madh është kërcënimi i lirisë prej tij.
-
Dikush që ka gjithë pushtetin në duart e tij, një ditë do të ngrihet e do të
thotë se bota duhet të sillet sipas vullnetit të tij.
-
Dikush që e ka gjithë pushtetin në duart e tij, botën e shikon si një laborator
të mendjes së tij dhe banorët e saj si vegla të këtij laboratori.
- Prandaj shpërndajeni pushtetin në sa
më shumë qendra!
- Sa më i ndarë pushteti, aq më i vogël
kërcënimi i tij për lirinë!
- Ndajeni shtetin nga religjioni!
- Ndajeni pushtetin ekzekutiv nga
pushteti legjislativ dhe pushtetin gjyqësor nga dy të parët!
- Luftoni për liri të shprehjes dhe
media të lira!
- Sepse diktaturat dhe tiranitë lindin
sa herë shkatërrohen këto ndarje.
Rroftë
liberalizmi!
____________
Çdo
të diel në Top Channel jepet një emision i cili quhet "Rrethi
katror". Ne fakt do duhej të quhej Rrethi i të çmendurve. Për gati një orë
publiku shqiptar ekspozohet përballë broçkullave konspirative, të cilat janë
për mendjen njësoj si ushqimi i helmuar për lukthin.
Sonte
njëri prej të çmendurve të këtij emisioni kishte shkalluar fare. Ja nisi me
Hitlerin. Tha: Hitleri ka bërë parashikime gjeniale për kohën tonë. Vazhdoi
duke e quajtur Zelenskin "vegël të Illuminatit" -kësaj fantzamës
kryesore të budallenjve të teorive konspirative. Pastaj vazhdoi duke e
përshkruar luftën në Ukrainë me terma të "Protokollit të Pleqve të
Sionit"- teksti themelor i antisemitizmit modern, të cilin Hitleri e
kishte përdorur për të arsyetuar Holokaustin, shfarosjen e 6 milionë hebrenjve.
Më tutje tha se mediat perëndimore po gënjejnë për viktimat e sulmit rus në
Ukrainë dhe se Putinin s'ka kush që ta ndalë në qëllimet e tij
Pra,
fund e krye një diskurs antisemit, fashist, e prorus.
Ne
kemi qejf t'i përmendim mediat serbe kur shpërndajnë propagandë të kësaj
natyre, e nuk e shohim se diçka të ngjashme e bëjnë vetë mediat shqiptare.
Dallimi
është se këtu antisemitët dhe prorusët shpesh vënë maskën e budallenjve.
____________
Një
pjesë e madhe e tregtarëve në Kosovë kanë bërë kapital përmes formave nga më të
ndryshmet të paligjshmërisë, duke bashkëpunu me politikanë e zyrtarë të
korruptuar, me struktura të krimit të organizuar, duke importuar produkte me
afat të skaduar, duke shitur produkte me marka të falsifikuara, e dhjetëra
forma abuzimesh të tjera. Prej një kaste të tillë matrapazësh nuk duhet të
befasohemi kur në një situatë të tillë si kjo që po e kalojmë, bëjnë spekulime
me çmimet e produkteve themelore të konsumit ditor. Sepse ai që rritet përmes
paligjshmërisë vetëm përmes saj jeton. Sepse, siç ka thënë dikush, njëherë
kriminel, gjithmonë kriminel.
E
keqja shkon edhe më tej kur krejt ky spekulim i ndyrë me çmimet, justifikohet
me krizën dhe ligjet e tregut, për të vazhduar me pafuqinë e shtetit për të
vepruar.
Ky
vend po vuan për njerëz që i dalin zot, njësoj siç vuan toka për ujin në ditët
e vapës së madhe.Kaq.
____________
Ministri
rus i mbrojtjes, njeriu më i besuar i Putinit, Sergei Shoigu paska thënë se
janë 16 mijë vullnetarë muslimanë në Lindjen e Mesme që kanë shprehur
gatishmërinë t'u bashkohen forcave ruse në Ukrainë.
Ja
pra, ra ky mort i Ukrainës dhe po e shohim se kush me kënd është.
Hapni
sytë shqiptarë e mos u shkoni pas atyre që në emër të fesë duan t'u përfshijnë
në plane afatgjate kundër lirisë tuaj, kundër atdheut tuaj!
Kuptohet
kjo vlenë për të manipuluarit e pavetëdijshëm, e jo për ata që tanimë veç e
kanë shitur shpirtin tek armiqtë e kombit shqiptar.
____________
Vendi
që i ka dhënë njerëzimit njërën nga vlerat më themelore politike, idenë e
sundimit të ligjit, dhe shembullin më të mirë të demokracisë parlamentare në
botë, Britania e Madhe, edhe sot po kryeson në angazhimin konkret për të
mbështetur Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus.
Ishte
Britania e Madhe që, nën lidershipin e legjendarit Winston Churchill, e nisi e
vetme luftën kundër nazizmit, në një kohë kur e gjithë Europa ishte e pushtuar
prej tij, Franca ishte gjunjëzuar, Stalini kishte bërë paktin e mossulmimit ne
Hitlerin, ndërsa SHBA- të hezitonin të përfshiheshin në luftë.
Ishte
po Britania e Madhe që për 45 vjet me rradhë qëndroi në krye të frontit global
kundër komunizmit dhe sot, kryeministri i saj, Boris Johnson, nuk heziton fare
t'ia thotë hapur Putinit se po ndjek rrugën e dikurshme të Millosheviqit, në
një kohë kur Franca e Gjermania vazhdojnë t'u bijnë telefonave në Kremlin për
të lutur tiranin e tij që të ndalet.
Kështu,
sikurse dje, edhe sot, fati i botës së lirë vazhdon të qëndroj mbi shpatullat e
Aleancës Britaniko-Amerikane.
____________
Ministrja
e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, paska thanë në Beograd se duhet
kundërshtuar njëzëri ideja e ndryshimit të kufijve me forcë. Sigurisht ky është
mesazh për kokat ekstremiste në Beograd që po fërkojnë duart për një skenar
eventual të Ukrainës në Kosovë e Bosnje. Në rregull, por shtrohet pyetja: a
është ne gjendje Gjermania ta ndalojë një skenar të tillë, nëse veç vjen puna
deri aty? Dyshoj shumë në një përgjegje
pozitive në këtë pyetje.
Rroftë
Amerika, se sa për Gjermaninë e Francën moti i kish dalë flaka Ballkanit
perëndimor.
Rroftë
Amerika, e bashkë me të edhe Britania e Madhe, se pa to sot NATO do të ishte
thjesht një tigër prej letre.
____________
Sot
paska filluar një goditje e madhe e krimit të organizuar në Policinë e Kosovës.
Mbi 40 zyrtarë policorë, përfshi komandantë të pikave doganore, qenkan
prangosur. Aksioni qenka duke vazhduar.
Ne
mund ta kritikojmë qeverinë e Kurtit për shumë gjëra që i ka bërë keq gjatë një
viti, por njëkohësisht duhet t'ia njohim meritën se në luftën kundër krimit të
organizuar brenda dhe jashtë strukturave shtetërore, është duke bërë një punë
që se ka bërë asnjë qeveri më parë.
Kush
e vjedh shtetin duhet me përfundu në Dyz dhe Dubravë! S'ka formulë tjetër nëse
duam që përnjëmend me pasë shtet.
____________
Në
mitologjinë antike Pani ishte zoti i egërsisë. Kur lindi ishte aq i shëmtuar,
saqë të gjithë zotat e tjerë ikën të tmerruar prej tij. Nga ky mit na vjen
fjala panik, e cila shenjon një frikë të madhe që i mbërthen të gjithë
përnjëherë. Ja si ky paniku i çmimeve që na mbërtheu këto ditë.
Në
shqip fjala greke "pan" ka trajtën "tan", tanësi, tërësi,
gjithësi, gjë që shihet se është fort e afërt me fjalën greke. Ashtu siç janë
edhe fjalët shqipe "ikë" dhe "frikë" me fjalën greke
"ikon".
Helenocentristët
do të thoshin se shqipja i ka huazur këto fjalë nga greqishtja.
Albanocentristët do të thoshin të kundërtën: greqishtja i ka marrë nga shqipja.
Të
dy këto pikëpamje e kanë të vështirë konfirmimin. Ajo që mund të konfirmohet
është afërsia e të dy gjuhëve që nga kohët homerike, gjë që na tregon se
protoshqiptarët dhe protogrekët ishin këndej pari shumë kohë para të tjerëve.
Kjo nuk është pak për një popull, i cili ende ka probleme serioze me fqinjët e
tij të pangopur me territore dhe të pashëruar nga psikozat e supremacisë.
____________
Edi
Rama i paska kërku grurë Vuçiqit. Vuçiqi qenka përgjigjur: Nuk do t'i lëmë
fqinjët të uritur!
Çfarë
poshtërimi!
Sa
ndjenjë e keqe me pa Shqipninë n'këtë pozicion!
Poshtë
Ballkani i Hapur!