Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Besimi kryesor fetar i kosovarëve është Amerika
E enjte, 28.07.2022, 06:59 PM
Blerim Latifi:
Nuk
e di nëse është histori e vërtetë apo e sajuar, por domethënia e saj flet shumë
për raportin tonë psiko-politik me Amerikën.
Historia
u përket viteve '90 të shekullit të kaluar.
Kryetarët
e degëve të LDK- së ishin mbledhur në Prishtinë. Do të takoheshin me Rugovën, i
cili sapo ishte kthyer nga një vizitë në SHBA. Pas takimit ata u shpërndanë
nëpër komunat e tyre. Të nesërmen, në mbledhjen e një dege, kryetari i saj u
ballafaqua me shumë pyetje kureshtare të anëtarëve të kryesisë mbi vizitën e
Rugovës në SHBA. I zënë ngushtë nga fakti se Rugova pak ose asgjë nuk u kishte
treguar, kryetari ju drejtua kureshtarëve: - Mos boni za, punët janë mirë, se
presidenti kish qesh kur ka zbritë nga aeroplani; mbledhjen e deklaroj të
mbyllur!
Ajo
është koha kur vizitat e përfaqësuesve tanë politikë në Amerikë fituan një
përmasë gati mistike, religjioze. Ato nuk shiheshin më vetëm si vizita
politike, por si ngjarje dhe përvojë e veçantë religjioze. Udhëtimi në Amerikë
përjetohej si njëlloj pelegrinazhi në një vend të shenjtë.
Dhe
që nga ajo kohë gjërat në këtë drejtim nuk kanë ndryshuar. Çlirimi i Kosovës
dhe krijimi i shtetit të pavarur të saj- dy procese këto që mbajnë vulën e
Amerikës- e kanë bërë edhe më të fuqishme mistikën e raportit tonë me të.
Sot
e gjithë ditën në Kosovë nuk mund të qeverisësh i qetë, nëse nuk i ke dyert e
hapura në Uashington.
Edhe
Vetëvendosja dhe lideri i saj, që në fillim të veprimtarisë së tyre politike e
përçmonin raportin politiko-mistik të Kosovës me SHBA- të, tanimë sillen njësoj
si parardhësit e tyre në pushtet. E kanë kuptuar më në fund se barra e
"mallkimit" që mund të u vij nga "tempujt e Uashingtonit",
është e papërballueshme.
Ne shpesh grindemi për besimet tona tradicionale fetare, derisa harrojmë se besimi kryesor fetar i kosovarëve është Amerika. Dhe krejt kjo e ka një logjikë shumë të kuptueshme: njeriu adhuron atë gjë prej të cilës merr kuptim ekzistenca e tij. Dhe kuptimi i ekzistencës sonë si njerëz të lirë të një shteti të pavarur, nuk qëndron dot në këmbë pa shënjuesin e madh që quhet The United States of America.
_________
Si sot, 108 vjet më parë, me 28 korrik 1914, nisi Lufta e Parë Botërore. Fillimi i kësaj lufte pati dy pasoja fatlume për shqiptarët: ai e ndërpreu procesin e shfarosjes së shqiptarëve të Kosovës, të cilin Serbia e kishte nisur në fund të vitit 1912, dhe ia humbi mbështetjen rebelimit islamist të Haxhi Qamilit, rebelim i cili, me nxitjen e serbëve dhe grekëve, synonte ta mbyste ende pa lindur mirë shtetin e ri shqiptar. Rastësia fatlume (term i Konicës), edhe njëherë do t'i shpëtonte shqiptarët nga katastrofat e zhdukjes kolektive.