E marte, 19.03.2024, 04:52 AM (GMT)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Shkatërrimi i shëndetësisë publike

E premte, 09.09.2022, 06:55 PM


Blerim Latifi:

Prej dy ditësh një dhimbje e fortë po më torturonte në anën e veshkës së majtë. Ditën e parë mendova se mbase nuk është ndonjë gjë serioze dhe do të më kalojë. Në ditën e dytë dhimbjet veç erdhën duke e rritur intensitetin. E thirra vëllaun dhe u nisëm për në QKUK. Kisha kohë pa qenë atje. Në hyrje të Emergjencës u përballa me një pamje trishtuese. Kaos total. Njerëz të sëmurë e të shëndoshë lëviznin pa kurfarë rendi e displine. Askush as që përpiqej të vendoste rregull aty. Një teknik medicinal më njohu dhe me orientoi në sallën numër 6. Aty kaosi ishte edhe më dramatik. Dy të sëmurë rënkonin të shtrirë aty në dy shtretër në gjendje jo të mirë teknike e higjienike. Të tjerët rrinin në këmbë duke pritur dikënd për t'i orientuar diku. Një teknik medicinal mundohej të bënte diçka, por zëri i tij humbiste në zhurmën e asaj salle të mbipopulluar me të sëmurë e të shëndoshë. E tëra i ngjante një salle spitali në gjendje lufte. E trishtë dhe e dhimbshme kur mendon se 23 vjet pas përfundimit të luftës shëndetësia publike në Kosovë ka degraduar kaq keq.

Qëndrova pak minuta aty. Derisa në vesh më hynte zhurma e atij kaosi trishtues dhe brenda meje dhimbja misterioze vazhdonte punën e saj, e pashë se askush nuk do të kishte kohë të merrej me mua. I thash vëllaut: Hajde të largohemi. Nuk kisha rrugë tjetër, duhej të shkoja në ndonjërin prej spitaleve private. Dolëm në rrugën e Veternikut dhe u futëm në oborrin e njërit prej tyre. Në koridor heshtje varri. U drejtuam tek sporteli. Vajza që punonte aty na tha: Nuk kemi asnjë mjek aktualisht në dispozicion; mund të lini termin. Vëllau im u xhindos nga përgjigja e saj burokratike. Kishte të drejtë: dhimbja nuk pyet për terminet. Por edhe sportelistja kishte të drejtë: ajo po sillej sipas rregullave të përshkruara në vendin e saj të punës. Nuk kishte asgjë në dorë jashtë atyre rregullave. Situatë hegeliane: përplasje e dy të drejtave të barabarta.

S'mbetej rrugë tjetër: duhej të provonim fatin në një spital tjetër. Shkuam tek njëri. Kur hymë në oborr përpara mu shfaq një pamje e cila më bëri të mos dilja fare nga makina. Një lukuni qensh po bënin shetitjen e tyre të mbrëmjes aty.

Durimi nisi të më sosej. I thash vëllaut të më kthente në shtëpi. Ai refuzoi duke më bërtitur dhe u nis drejt një spitali tjetër. Kësaj rradhe patëm fat. Më futën në një sallë dhe doktori nuk vonoi të vinte për t'u marrë me dhimbjen time të mallkuar, që po më torturonte pa ndalë. Doktori ishte shumë i edukuar në sjellje dhe veproi shpejt me stafin e tij për të parë se çfarë fshihej pas dhimbjes time. Pas një ore analizat na e shfaqën të vërtetën: një guralec kishte ngritur krye në kanalin urinar dhe gjatë lëvizjes së tij më kishte shkaktuar dhimbjet e tmerrshme.

Tani nuk ndodhet më aty, më tha doktori, derisa po më shpjegonte të gjeturat e aparatit të CT-së. - E ke hequr qafe pa ardhur këtu, ndërsa të gjithë parametrat e tjerë i ke në rregull, shtoi. Pasi pa orën e tij, pak si me humor, më tha: Paske kohë me mbrri në Pressing. Shko lirisht pa asnjë shqetësim. Qeshëm të dy dhe pastaj ai më përcolli deri në koridor.

Dhimbjet vazhdonin, por tash më nuk ua kisha frikën. Rrugës m'u rishfaqën pamjet e Emergjencës dhe mendova për njerëzit e këtij vendi që nuk kanë mundësi të marrin një shërbim të shpejtë dhe cilësor për shëndetin e tyre, për faktin e thjeshtë se nuk kanë ta paguajnë në spitalet private.  Sa shumë janë ata.

Shkatërrimi i shëndetësisë publike është një nga krimet më të mëdha që i janë bërë këtij populli në këto 23 vitet e pasluftës. Ky krim po i zbrazë përditë spitalet nga profesionistët e mirë të mjekësisë dhe jetën e qytetarëve po e bën edhe më të vështirë.

A do të ketë fund të këtij krimi ndonjëherë? Nuk jam në gjendje ta them. Fatkeqësisht.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora