Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Paradokse shqiptare
E diele, 18.09.2022, 08:00 PM
Blerim Latifi:
Paradokse
shqiptare
Në
këtë fotografi të vjetër është Bedri Gjinaj me familjen e tij. Bedriu ishte nga
Mitrovica. Ishte mësues dhe patriot me kulturë të lartë. Shkruante edhe poezi.
Në janarin e vitit 1945 ai arrestohet nga OZNA dhe torturohet mizorisht deri në
vdekje në burgun e Prishtinës. Bashkë me trupin komunistët ia zhdukën edhe
fletoret letrare. Nga to kishte mbijetuar një vjershë me katër vargje:
M'u shterrshin sytë nëse
pushoj
lirinë tande me andrrue.
Mallkue qoftë gjaku im
nëse m'vrasin pa luftue.
Dekada
më vonë këtë poezi e riktheu në vëmendje heroi i UÇK- së Agim Ramadani, rënia e
të cilit në Koshare ishte mishërim i plotë i mesazhit të saj.
23
vite më vonë një rekrut i FSK- së detyrohet të largohet prej saj për shkakun se
në krahun e tij i kishte bërë tatuazh vargjet e kësaj vjershe.
E
kuptueshme që ushtria ka rregulla strikte, por në raste të caktuara rregullat
nuk bën të cënojnë etikën e disa simboleve që i japin kuptim vetë ekzistencës
dhe qëllimeve të saj.
_________
Nënkryetarja
e Parlamentit të Serbisë paska kërku që deputeti i vetëm shqiptar në këtë
parlament, Shaip Kamberi, ose të arrestohet ose të dëbohet.
Kjo
më kujton historinë e deputetëve shqiptarë që, në kohë dhe regjime të ndryshme
jugosllave e serbe, janë ulur në sallën e atij parlamenti. Kanë qenë të shumtë, por sot historia i
kujton vetëm dy prej tyre, Ferhat Dragën dhe Ramë Bllacën. Ferhat Draga u
arrestua dhe u dënua me burgim të përjetshëm vetëm pse guxoi të protestonte
kundër terrorit që qeveria monarkiste serbe po ushtronte mbi shqiptarët e Kosovës.
Ramë Bllaca u vra në atentat pas kundërshtimit të marrëveshjes serbo-turke për
dëbimin kolektiv të shqiptarëve në Anadoll.
Sot
me të njëjtën gjuhë po e kërcënojnë Shaip Kamberin. Sepse Skupshtina serbe
vazhdon të mbetet ende një burim i pashterrshëm i urrejtjes kundër shqiptarëve.
Shumë horra aty ulen vetëm dhe vetëm duke e kapitalizu kët' urrejtje.
_________
E
lexova në media: indiani Gautam Adani zyrtarisht tani qenka miliarderi i dytë
më i pasur në botë me një pasuri prej 146.9 miliardë dollarë. Shumica e
kompanive të tij qenkan duke punu në sektorët e gazit natyror dhe minierat e
qymyrit për prodhimin e energjisë elektrike.
Ne
kemi qymyr sa të duash, por energji nuk kemi, sepse mafia energjetike, e
ndihmuar nga mashtruesit e energjisë së gjelbërt, duke influencu politikën
kosovare, na patën bindur se koha e qymyrit ka perëndu.
Ti
mund të kesh pasuri natyrore, por kur nuk ke mend, ajo është krejtësisht e
pavlerë.
_________
Duke
lundru nëpër oqeanin informativ të
internetit hasa në kët' hartë. Autori i saj është gjeografi gjerman
Sebastian Münster. Harta i përket vitit 1628. Kishte 150 vite që Shqipnia
kishte rënë nën sundimin osman, por emri i saj, shtrirja territoriale e saj,
vazhdonin t'i rezistonin zhdukjes dhe harrimit. Dhe kjo sigurisht që lidhej me
famën e Gjergj Kastriotit, i cili e kishte rrënjosur thellë në ndërgjegjën
europiane emrin e atdheut të tij.