E shtune, 12.10.2024, 02:37 PM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Ia kam frikën mentalitetit shqiptar të mosmirënjohjes!

E merkure, 05.07.2023, 08:00 PM


Ia kam frikën mentalitetit shqiptar të mosmirënjohjes!

Nga Blerim Latifi

Historia jonë është e mbushur me shembuj të mosmirënjohjes tonë ndaj atyre që na kanë bërë të mira dhe me shembuj të mirësjelljes ndaj atyre që na kanë bërë shumë të këqija.

Një pjesë e madhe e marrëzive që i kemi bërë gjatë historisë, lidhet me këta shembuj.

Ja një prej këtyre shembujve:

Në vitin 1915 ushtria e shpartalluar serbe, e ndjekur nga ushtritë austro-hungareze, po kalonte nëpër Shqipëri, që më pas të ngarkohej në anijet që prisnin në Durrës, për t’i dërguar në Greqi e Itali. Kjo ushtri e shpartalluar udhëhiqej ng Kral Petri dhe kryeministri i tij, Nikolla Pashiq. Në Tiranën e kontrolluar nga Esad Pashë Toptani, ata do të gjenin një mikpritje të plotë. Aq të sigurtë e ndjenin veten, saqë, siç tregojnë dëshmitarët e atyre ditëve, Kral Petri dhe Pashiqi dilnin e shëtisnin të lirë në tregun dhe sheshin e Tiranës.

Si ishte e mundur që dy njerëzit që kishin udhëhequr gjenocidin në Kosovë vetëm dy vite më parë, duke vrarë mbi 25 mijë shqiptarë, që kishin masakruar Lumën e Dibrën, që s’kishin lënë gur pa lëvizur për ta penguar krijimin e shtetit shqiptar, tani trajtoheshin kaq miqësisht jo vetëm nga policët esadistë, por edhe nga popullata?

Mendimi im është : kemi të bëjmë me kulturën e mosmirënjohjes ndaj atyre që na kanë bërë të mira dhe atë të mirësjelljes ndaj atyre që na kanë bërë shumë të këqija.

Por e keqja nuk përfundon këtu.

Serbët kishin sjell me vete qindra robër lufte austro-hungarezë, të kapur në betejat e Serbisë. Duke mos pasur mundësi t’i mbanin më tutje, ata do t’i linin të lirë rrugëve të Tiranës. Siç tregojnë dëshmitarët e atyre ditëve, shumica prej këtyre ushtarëve austro-hungarezë do të vdisnin nga uria, ngase askush nuk u ofronte as strehë dhe as ushqim. Vetëm rreth 20 prej tyre do t’i mbijetonin vdekjes mizore nga mungesa e ushqimit.

Prapë : Si ishte e mundur të trajtoheshin në këtë mënyrë këta ushtarë, të cilët i takonin një shteti që kishte dhënë kontributin kryesor për pavarësinë e Shqipërisë?

Edhe në këtë pyetje të dytë, vlen përgjigja e dhënë në pyetjen e parë.

Dhe e keqja nuk soset me këta dy shembuj.

Gjatë qëndrimit mbi dyvjeçar në Shqipëri, ushtria austro-hungareze ishte shquar për sjellje të mirë ndaj popullatës shqiptare. Si asnjë ushtri tjetër e huaj. Kishte ndërtuar rrugë, rrjet hekurudhor, rrjet teleferik, kishte hapur shkolla shqipe, kishte trajnuar zyrtarët në kryerjen e detyrave administrative, qindra të rinj ishin dërguar në Vjenë për t’u shkolluar në shkollat më të mira atje dhe gjatë thatësisë ekstreme të vitit 1917 kishte sjellë nga Hungaria sasi të mëdha gruri për ta shpëtuar popullatën nga vdekja prej urisë.

Dhe kur një vit më pas ushtria austro-hungareze do të niste tërheqjen nga Shqipëria për shkak të humbjes së Luftës së Parë Botërore, trupat e saj, në rrugën Tiranë –Shkodër, do të binin pre e sulmeve të shumta nga grupe shqiptarësh, që kërkonin t’u plaçkisnin këpucët dhe veshjet e trupit.

Si ishte e mundur të ndodhte kjo shëmti morale?

Mendimi im është se edhe për këtë pyetje të tretë vlen përgjigja e dhënë në pyetjen e parë.

Dikush mund të thotë se duhet futur në shpjegim faktorë të tjerë që lidhen me mjerimin e përgjithshëm ekonomik, gjendjen kaotike të luftës dhe me nivelin e ulët të ndërgjegjes kombëtare tek popullata.

Mbase duhen marrë parasysh edhe këta faktorë, por pa e harruar asnjëherë rëndësinë kruciale të mentalitetit të mosmirënjohjes ndaj mikut dhe atë të mirësjelljes ndaj armikut.

Kam frikë se ende nuk e kemi lënë prapa këtë mentalitet të shëmtuar. Qofsha i gabuar!

___________

Shkova në shkollë me marrë Gentin. Oborri i saj vlonte nga nxënësit që sapo kishin mbaru mësimin. Një grup prej tyre po bëheshin gati për të dalë në fotografinë e përbashkët të klasës. Dukej qartë se nuk kishin ndonjë interesim të veçantë për atë ceremoni dhe, për pasojë, arsimtari po mundohej shumë për t'i futur në rresht. Dikur mbaroi punë dhe fotografi e shkrepi aparatin.

Dikur kjo ceremoni shkollore përbënte një nga momentet më dashura për nxënësit. Një ose dy ditë më herët arsimtari na e tregonte ditën kur do ta bënim fotografinë. Mundoheshim të vishemi sa më mirë për atë çast magjik, i cili pasohej nga një çast edhe më magjik: dita kur arsimtari vinte në klasë dhe na i shpërndante fotografitë, të cilat pastaj i komentonim në njëmijë mënyra.

Dalja e smart telefonave dhe mundësia që secili ta ketë një të tillë, i kanë dhënë fund asaj magjie të fotografisë. Sot fotografia nuk e ka atë vlerën emocionale e simbolike që e kishte dikur. Duke u masivizuar e përditësuar, ajo është banalizuar. Është shndërruar në një mall konsumi ditor. Për pasojë ajo e ka humbur edhe qëllimin themelor që e kishte dikur: të kapte një moment vizuel për t'ia dhuruar kujtesës, para se ai moment të zhdukej në të kaluarën mbi të cilën punon vazhdimisht krimbi i harresës.

___________

I falenderoj nga zemra miqtë e shumtë që me mikpritjen e tyre të përzemërt në Luzern ma bën aq të kandshme vizitën atje.

Në rradhë të parë Don Anton Ukën, meshtarin e palodhun të Luzernit, tek i cili e pashë të mishëruar shpirtin e prelatëve të hershëm të katolicizmit shqiptar, teksa nuk harronte asnjëherë gjatë predikimit dhe bisedave të na e kujtonte kujdesin e panderprerë që duhet ta kemi për vlerat dhe çështjet e kombit.

Faleminderit veprimtarit të palodhun Nue Zallit, i cili në krye të shoqatës "Nanë Tereza" vazhdon me punu shumë për t'i ndihmu atdheut të tij.

Faleminderit Bardhec Berishës e Arbër Gashit për shoqërimin dhe bisedat e vyera intelektuale.

Faleminderit Agron Markut nga Klina, i cili na e mundësoi një mbramje të paharrueshme vëllazërore në restorantin e tij elitar në Ennetbürgen buzë liqenit në Luzern. Si një sipërmarrës i suksesshëm, ai është shembulli që duhet ndjekur nga secili shqiptar që beson në suksesin përmes punës së ndershme.

Faleminderit edhe shumë të tjerëve që ishin bashkë me ne në aktivitetet me dobi komunitare e kombëtare që zhvilluam.

Kam mësuar shumë prej të gjithëve.

Një udhëtim meriton të quhet i tillë kur në përfundim të tij njeriu e ndjen veten më të pasuruar shpirtnisht e kulturalisht.

___________

Romës së Lashtë i dhamë ushtarë e perandorë, e në këmbim morëm prurjet latine në gjuhën shqipe.

Bizantit, po ashtu, ushtarë e perandorë, e në këmbim e morëm veç shqiponjën dykrenore. Perandorisë Osmane i dhamë pafund ushtarë, pashallarë e vezirë dhe në këmbim morëm veç mjerimin e haxhiqamilëve.

Austro-Hungarisë së Franc Jozefit nuk i dhamë asgjë, por morëm prej saj shtetin e parë shqiptar, Republikën e Shqipnisë.

Amerikës, po ashtu, nuk i dhamë asgjë, por morëm prej saj lirinë dhe shtetin e dytë shqiptar, Republikën e Kosovës.

___________

Meqë kemi vendosur të prishemi me krejt botën shkaku i dinjitetit, ja një pamje dinjitoze nga kryeqyteti ynë.

Kush do të na marrë seriozisht për punën e dinjitetit, kur nuk jemi në gjendje as bërllogun ta menaxhojmë?

Sigurisht askush, sepse nuk ka edhe dinjitet edhe bërllog.

Kjo është njëra anë e tregimit.

Tjetra është se Prishtina po mbytet në pisllëk, shkaku i një lufte të egër mes pushtetit dhe opozitës për kontrollin e ndërmarrjeve publike, luftë e cila bëhet jo për t'u ofruar shërbime ma të mira qytetarëve, por për të futur nën kontroll mundësitë e abuzimeve me këto ndërmarrje.

___________

Sa herë që gjatë historisë shqiptarët kanë trokitur në këto dyer, gjithmonë kanë gjetë përkrahje e shpresë dhe kurrë në këmbim nuk u është kërku të heqin dorë nga ajo që i bën shqiptarë.

Sot ky mësim nuk asht veç me vlera historike, por edhe i dobishëm për të mos u rrëzu në rrugët plot errësi të të tashmes e të ardhmes.

___________

Mbetje të kafshëve të therrura, të hedhura buzë rrugës, pas Bajramit. Nuk janë në Afganistan. As në Somali. Janë në Vranjevc të Prishtinës. Një shëmti për sytë dhe një rrezik për shëndetin, që e meritojnë veç një emër: barbari.

___________

Sa loti digjital derdhet në Kosovë kur ndodhin fatkeqësi të mëdha si kjo në Pejë. Sidomos nga politikanët, që edhe në fatkeqësi të tilla bëjnë kalkulime elektorale.

Pastaj gjithçka harrohet shpejt dhe njerëzit e këtij vendi vazhdojnë me jetu në të njëjtat kushte të pasigurisë e të rrezikut, sepse përtej lotëve digjitalë të politikës, nuk ndodhë asgjë për t'i ndryshu këto kushte, ndërsa strategjitë shtetërore për mbrojtjen e popullatës nga rreziqet natyrore kurrë nuk dalin përtej dosjeve të mbyllura në sirtarët e zyrave.

___________

Milan Kundera, shkrimtari i famshëm çek, shkruan: "Duhet një pjekuri e madhe për të kuptuar se opinioni që mbrojmë, s'është veçse hipoteza jonë e parapëlqyer, detyrimisht e papërsosur, me gjasë kalimtare, që vetëm njerëzit shumë mendjengushtë mund ta shpallin si bindje apo si të vërtetë".

Derisa nuk do ta kuptojmë dhe përvetësojmë këtë mendim, debatet tona do të vazhdojnë të jenë platforma të prodhimit të kakofonisë dhe të budallallëkut me shumicë.

___________

E kemi harru historinë e kësaj fotografie, prandaj edhe na ka humbur rruga në oborr.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora