Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Diplomacia liberale
E diele, 18.06.2023, 07:58 PM
Prof. Blerim Latifi:
Diplomacia
liberale, në thelbin e saj, është e këtillë: i jep prioritet gjuhës së butë,
palën agresive përpiqet ta zbus, ta bëj të arsyeshme, bashkëpunuese. Vetëm kur
këto taktika dështojnë krejtësisht, diplomacia liberale i qaset dorës së
hekurt.
Janë
dhjetëra shembuj që na e konfirmojnë këtë. Duke filluar me Hitlerin, të cilin
me vite qeveritë liberale perëndimore ishin munduar ta zbusin dhe ta bëjnë
kooperativ, madje edhe duke i bërë lëshime. Njësoj edhe me Musolinin. Vetëm kur
e panë se zbutja liberale kishte dështuar, qeveritë liberale kapën armët kundër
tyre.
Në
kohën tonë njësoj ka ndodhur me Millosheviqin dhe Putinin. Millosheviqi u
bombardua pas dështimit të diplomacisë liberale për ta zbutur me mjete
paqësore.
Me
vite agresivitetit të Putinit, diplomacia liberale perëndimore i është
përgjigjur me gjuhë të butë, derisa nuk ndodhi katastrofa e Ukrainës. Tani
Perëndimi në ditë harxhon miliona armatim për ta ndalur agresionin e tij.
Edhe
ky Putini i vogël i Beogradit aktualisht është duke shijuar frytet e ëmbla të
diplomacisë liberale.
A
do ta zbusin këto fryte apo jo?
Kjo
mbetet të shihet. Tani për tani ata që besojnë se zbutja e tij do të ndodhë,
janë duke e dominuar totalisht debatin, prandaj zëri i atyre që e mendojnë të
kundërtën mezi dëgjohet.
_________
Festimi
i Ditës së Rusisë në Beograd. Në mesin e të ftuarve duket edhe Sead Nasufovi?,
Myftiu i Serbisë. Si gjatë luftës, edhe sot, Rusia mban qëndrim të palëkundur
kundër boshnjakëve muslimanë, por boshnjaku Nasufovi? ndodhet në festë për ta
dëshmuar se komuniteti që ai e drejton në Serbi, qëndron në përputhje me
politikën e shtetit serb ndaj Rusisë. Në fakt, e kundërta as që do të mund të
vinte në shprehje.
Veç
të shqiptarët bën vaki që bashkësi fetare dhe klerikë të ndryshëm të ndjekin
haptas agjenda antikombëtare dhe askush të mos guxojë t'ua prish tymin e
duhanit, siç i thonë fjalës. Madje, për më keq, edhe i promovojnë si autoritete
morale.
_________
Ky
shi që po bie vazhdimisht tash e dy muaj, si ai shiu që nuk ndalet kurrë në
"Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur" të Kadaresë, e bën edhe ma të
pafrenueshme dëshirën për vapën e brigjeve të Adriatikut. E bën edhe ma të
domosdoshëm refuzimin estetik të budallallëqeve që kërkojnë bojkotimin e atyre
brigjeve, ku njeriu, për pak kohë, e gjenë paqen me veten dhe me botën.
_________
Në
Luzern në një ligjëratë për identitetin shqiptar dhe rrënjët e tij.
Faleminderit
bashkatdhetarëve të cilët më nderuan me pjesëmarrjen e tyre të madhe!
Faleminderit edhe organizatorëve të këtij takimi të paharrueshëm, Misionit Katolik
Shqiptar në Luzern dhe Shoqatës Humanitare "Nanë Tereza"!