E merkure, 06.11.2024, 10:03 PM (GMT)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Kur hekurudha konsiderohej si 'puna a shejtanit'

E merkure, 07.06.2023, 06:57 PM


Blerim Latifi:

Hekurudha ma e vjetër në Kosovë, ajo që lidhte Mitrovicën me Shkupin, e ndërtuar këtu e 150 vjet më parë, tani qenka duke u hequr krejt. Bashkimi Europian paska dhënë fonde për rindërtimin e saj, konform standarteve bashkëkohore të hekurudhave. Edhe e vjetra është ndërtu nga një kompani franceze, nën drejtimin e një inxhinieri gjerman.

Kujtesa popullore ende ruan shumë tregime nga koha e ndërtimit të saj. Ato tregime na dëshmojnë për kontaktin e parë traumatik me modernizmin të një popullate e cila ende jetonte e zhytur mentalisht dhe praktikisht në kondita mesjetare. Në Prishtinë, banorët, të drejtuar nga mullahët e qytetit, ishin ngritur kundër hekurudhës. Nuk donin që  ajo të kalonte afër shehrit të tyre, sepse e konsideronin si punë të shejtanit. Aq i fortë ishte kundërshtimi, saqë autoritetet u detyruan ta zhvendosin rrugën hekurudhore disa kilometra larg, pikërisht aty ku ndodhet edhe tash në Fushë Kosovë. Ky është shembull tipik i asaj që njihet si teknofobi, frikë nga teknologjia, frikë e cila zakonisht haset të komunitetet e izoluara nga moderniteti.

Një tregim tjetër i asaj kohe na flet për dy burra nga Vushtrria, të cilët një ditë hipën në tren për të shkuar në Shkup. Kur treni po i afrohej tunelit të vogël në Grykën e Kaçanikut, të dy udhëtarët i kapi sikleti. Nga larg tuneli dukej i vogël dhe ata ranë në hall: si mundet gjithë ky pampur i madh me hy në atë vrimë të vogël? Të bindur se vrima nuk do ta zinte pampurin, të dy udhëtarët kërcyen nga treni me idenë që të shpëtonin nga përplasja. Të shkretit, duke ecur tanë jetën e tyre me këmbë, nuk mund ta perceptonin dot marrëdhënien midis shpejtësisë së trenit dhe perspektivës së hapësirës.

Një tregim tjetër na flet se si ato ditë kur treni nisi të qarkullonte, fshatarëve të Rezallës së Drenicës, u shkrepi në kokë ta ndërtonin edhe ata një tren për veten e tyre. Planet e tyre komike ende sot tregohen në formë proverbiale në Drenicë dhe falë tyre Rezalla ka fituar nofkën e një katundi ku njerëzit vazhdimisht bëjnë budallallëqe komike. Natyrisht, kjo nofkë nuk ka të bëj fare me të vërtetën.

Por përveç tregimeve komike, janë ruajtur edhe tregime, të cilat na flasin për një shkatërrim të tmerrshëm të trashëgimisë kulturore të zonës rreth Çyqavicës. Kalaja e Dubocit, e cila u kishte mbijetuar shekujve, brenda pak muajve do te zhdukej, ngase gurët e saj u morën për të shtruar trasenë e hekurudhës. Të njëjtin fat do ta pësonin dhjetëra kisha që deri në atë kohë kishin mbijetuar si rrënoja. Sot prej tyre kanë mbijetuar vetëm toponimet.

___________

Sa herë ndjej nevojë për ta çlodhur trupin e mendjen, vij në kët' park natyror të vendlindjes time. Prej kohëve që nuk mbahen mend e quajnë Bucina. Por, tash, relaksit shpirtnor dhe nostalgjisë për ditët e fëmijnisë, i ásht shtu edhe një ndjenjë e re: malli për babën që prehet në dheun e këtij parku, këtij parku që duket si një dhuratë e natyrës për njerëzit. Një dhuratë për t'ua bërë më të bukur jetën të gjallëve dhe më të gjallë kujtimin e të vdekunve, kujtimin që i jep kuptim fjalës "atdhe".



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora