Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Mbi historinë e një nofke
E enjte, 10.08.2023, 07:57 PM
Prof. Blerim Latifi:
Mbi
historinë e një nofke
Tipi
që u dënua, në fjalinë kërcënuese drejtuar Avdullah Hotit e kishte quajtuar
këtë të fundit "bugar". Bugar është forma në serbisht e emrit
bullgar.
Prej
të gjitha ushtrive pushtuese që kanë qëndruar në Kosovë në kohë e rrethana të
ndryshme historike, më së paku mbahen mend ushtritë bullgare. Folklori hesht
për to. Edhe historianëve nuk duket se u pëlqen kjo temë. Megjithatë në
kujtesën popullore është ruajtur nofka "bugar", e cila u vihet
banorëve të disa rajoneve të Kosovës. Me gjasë këtë nofkë e kanë marrë gjatë
Luftës së Parë Botërore. Aso kohe Kosova ishte e ndarë në zonën
austro-hungareze dhe në zonën bullgare. Në këtë kontekst atyre që ishin gjetur
në zonën bullgare filluan t'u referoheshin si "bullgarë", në kuptimin
se ishin vënë nën hyqmin e Bullgarisë. P.sh.në Drenicë kështu emërtoheshin
shqiptarët e zonës rreth Drenasit, e cila i kishte kaluar nën kontroll
Bullgarisë pas ofensivës së madhe austro-bullgare në vitin 1915, e cila e
shkatërroi shtetin serb. Me kohë ky emërtim situacional duhet të jetë
shndërruar në nofkë me konotacion negativ.
Edhe
Rahoveci ishte zonë kufiri midis bullgarëve dhe austriakëve. Por në rastin e
Rahovecit origjina e nofkës nuk mund të shpjegohet thjesht dhe vetëm me
faktorin e një situate të përkohshme, siç ishte okupacioni bullgar. Ajo duhet
të ketë lidhje edhe me një faktor tjetër kulturor: dialektin që flitet në
Rahovec, i cili paraqet një sintezë e çuditshme sintaksore të leksikut shqip,
atij serbisht dhe atij bullgar.
Natyrisht,
këtu nuk është vendi për t'i hyrë analizës etno-linguistike të këtij dialekti.
Ajo
që kisha parasysh në këtë tekst të shkurtër është fakti se sa shumë histori
fshihet brenda një nofke të vjetër, e cila na u soll në vëmendje nga një
kërcënim i shëmtuar në rrjetet sociale.
__________
Shpesh
thuhet se nga krizat që godasin ekonominë ndërkombëtare më së keqi e pësojnë
vendet e varfëra. Ka qindra shembuj që e konfirmojnë një gjë të tillë. Por,
gjithashtu, ka plot shembuj të tjerë që na tregojnë për vende të varfëra që
përfitojnë shumë nga krizat e mëdha të ekonomisë ndërkombëtare.
Para
më shumë se gjysmë shekulli dy vende në zhvillim, të Ballkanit, Jugosllavia dhe
Greqia, si pasojë e krizave të viteve 1970 dhe 1973 që goditën ekonomitë
perëndimore, do të përfitonin një bum me miliona turistë perëndimorë, të cilët
vërshuan bregdetin jugosllav e grek për arsye të kostove më të ulta të
pushimeve. Aso kohe shtypi perëndimor vlonte nga lajmet sensacionale mbi
"bukuritë përrallore" të sapo zbuluara të këtyre bregdeteve. Kështu lindën
mitet e turizmit jugosllav dhe atij grek. Në ndërkohë, Shqipëria e shkretë
zhytej thellë e më thellë në izolim ndërkombëtar, paranojë kombëtare, varfëri
masive, ndërsa në vend të turistëve të huaj vija bregdetare mbushej me bunkerë
luftarakë.
Gjysmë
shekulli më vonë kriza e stërgjatur e ekonomive perëndimore ka krijuar miliona
turistë të cilët kërkojnë vende pushimi me kosto të përballueshme dhe ja tek e
kanë zbuluar një vend që ua plotëson kërkesat, Shqipërinë.
Si
dikur që mediat shkruanin për parajsat bregdetare të Jugosllavisë e Greqisë,
sot tregime të tilla po shkruhen e thuhen për bregdetin shqiptar.
A
do të rezultojë krejt kjo me krijimin e mitit turistik të Shqipërisë?
Kjo
do të varet shumë nga aftësia e shtetit shqiptar për ta menaxhuar me mençuri
namin në ngritje.
__________
Netët
dhe mëngjeset e këtij gushti si me qenë netë e mëngjese marsi! Nuk e meriton
emrin e vjetër kalendarik Djegagur. Jo që s'po e djeg gurin nga të nxehtit, por
do me na ngri nga të ftohtit. I janë përzi kabllat natyrës diçka. Me këto netë
e mëngjese dimrore Gushti nuk e meriton as emrin sakral të cilin ia lanë
romakët e pangopur me pushtet e lavdi.
Kishin
krijuar një perandori të përbotshme, e cila shtrihej nga ishujt britanikë në
Perëndim, deri në brigjet e Detit të Vdekur në Lindje, por kjo nuk u mjaftonte
perandorëve romakë. Donin edhe më shumë. Donin ta pushton edhe qiellin dhe
përjetësinë. Kështu ata sajuan ritualet e hyjnizimit të tyre. Kur Oktaviani
vdiq, gruaja e tij u pagoi një shumë të majme disa fshatarëve për të dëshmuar
në Senat se e kishin parë perandorin tek ngjitej në qiell. Për nder të lavdisë
së tij Senati kishte vendosur që njëri nga muajt e kalendarit romak të mbante
emrin e tij, Augustus. Ky emërtim do të ishte obligativ për krejt fiset e
popujt e Perandorisë. Në vështirësi për t'i bërë një shqiptim korrekt këtij
emri latin, ilirët, apo protoshqiptarët, siç po kanë dëshirë t'i quajnë
studiuesit e huaj, e morën atë, e lidhën në shtratin e prokrustit të fonetikës
së tyre dhe Augusti u bë Gusht.
Gjithmonë
kemi pasë qejf gjanat me i thanë shkurt e shqip.