Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Dita që ndau fatet e shqiptarëve
E diele, 30.07.2023, 07:59 PM
Dita që ndau fatet e shqiptarëve
Nga
Prof. Blerim Latifi
Si
sot, 110 vjet më parë, Shqipëria do të njihej de jure si shtet i pavarur nga
fuqitë e mëdha. Jo në kufijtë e shpallur nga Kuvendi i Vlorës, por në kufijtë
që linin jashtë gjysmën e kombit shqiptar.
Në
110 vjet të ekzistencës së tij ky shtet do të përjetojë gjithçka nga sistemet
politike që ka saju mendja njerëzore: anarkinë e kaosin në vitet e para,
betejat e armatosura për pushtet ( 1919- 1925), Stabilokracinë zogiste( 1925-
1939), dy variantet e fashizmit, italian e gjerman ( 1939- 1944), dy luftëra
civile, e para midis nacionalistëve proeuropianë dhe islamistëve prootomanë(
1914- 1915), e dyta midis nacionalistëve dhe komunistëve( 1943- 1944), pastaj
totalitarizmin stalinisto-maoist për 45 vjet me radhë, e pas tij, për më shumë
se 30 vjet, partitokracinë e tranzicionit postkomunist. Kjo partitokraci, nën
mbulesën e një potemkin-demokracie, vazhdon të vonojë integrimin e Shqipërisë
në familjen e demokracive perëndimore.
Kjo
histori 110 vjeçare është konfirmim i mendimit të Eqrem bej Vlorës se një nga
gjërat më tragjike në historinë e shqiptarëve, është se asnjëherë nuk kanë fat
me liderët e tyre.
Kosova,
ndërkaq, pas 29 korrikut 1913 do të detyrohej në një rrjedhë tjetër ngjarjesh
edhe më dramatike.
Në
këtë rrjedhë ajo do të njihte gjenocidin e viteve 1912- 1914, një frymëmarrje
të lehtë nën sundimin austro- hungarez gjatë Luftës së Parë Botërore, sundimin
fashist serb 1918- 1941, një frymëmarrje të dytë të lehtë gjatë Luftës së Dytë
Botërore, pastaj sundimin policor të Rankoviqit 1945- 1966, pas tij
frymëmarrjen zhvillimore 1967- 1981, e nga viti 1981 epokën e gjendjeve të
jashtëzakonshme, me dy momentet e saj kryesore, heqjen e autonomisë dhe
vendosjen e regjimit të aparteidit (1989) dhe shpërthimin e kryengritjes së
UÇK- së( 1998), e cila, për herën e parë në historinë e Kosovës, ia doli të
ketë sukses.
Ideja
themelore politike në Kosovë pas korrikut 1913 ka qenë ideja e bashkimit me
Shqipërinë. Falë kësaj ideje, çështja kombëtare e Kosovës do t'i shpëtonte
zhdukjes.
Në
kohën e monarkisë serbe kjo ide luftohej jo vetëm përmes dhunës, por edhe
përmes ideologjisë xhemijetiste, e cila synonte që nga shqiptarët e Kosovës të
sajonte një komunitet fetar pa identitet kombetar.
Ndërkaq,
gjatë Jugosllavisë socialiste, ideja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë
luftohej nga persepektiva e internacionalizmit socialist e multietnicizmit
jugosllav.
Zëvendësimi
i kësaj ideje me idenë e shtetit të pavarur të Kosovës, ishte një zgjidhje
konjukturale, e diktuar nga vendimi i fuqive perëndimore për të mos lejuar
ndryshimin e kufijve të jashtëm të ish-Jugosllavisë, të vendosur në Jaltë.
Sot,
në funksion të zbehjes dhe heqjes dorë nga ideja e bashkimit të Kosovës me
Shqipërinë, janë dy variante reja të formave të kaluara të luftës kundër kësaj
ideje, islami politik, pasardhës i Xhemijetit të dikurshëm, që synon një
boshnjakizim kulturor të shqiptarëve të Kosovës, dhe formalizmi multietnicist i
institucioneve aktuale të Republikës së Kosovës, i cili duket se ka afinitete
të konsiderueshme me multietnicitetin jugosllav. Thënia e dikurshme e Hasan
Prishtinës "Do ta hajë dreqi kët' Shqipini, nëse nuk bashkohet me
Kosovën", sot, mbase, duhet thënë për Kosovën.
________
Revista
shkencore amerikane Science e ka publiku një studim të ri të një grupi
specialistësh të gjuhësisë historike mbi gjuhët indo-europiane.
Nga
studimi rezulton se pesë gjuhët më të vjetëra në familjen gjuhësore
indo-europiane janë gjuha tokariane, gjuha anatoliane (hitite), gjuha armene,
gjuha shqipe dhe gjuha greke.
E
para është zhdukur rreth shekullit 9 pas Krishtit, e dyta rreth shekujve 3 dhe
4 pas Krishtit, ndërsa tri të tjerat ende vazhdojnë të fliten.
Vjetërsia
e këtyre gjuhëve shkon deri në 8 mijë vjet, ndërsa ajo e shqipes së paku në 6
mijë vjet.
Sikur
kjo të thuhej nga vetë ne, do të plasnin menjëherë sarkazmat e snobëve tanë që
u është bërë obsesion përbuzja e nënçmimi i çdo gjëje shqiptare.
Por
ja që kjo po thuhet nga të tjerët.
Po
thuhet nga studiues kompetentë dhe objektivë.
Kjo
asht pra Gjuha Shqipe, Lokja e moçme e gjuhëve, Identiteti dhe Nderi ynë, që u
ka mbijetuar poshtnimeve e vetëposhtnimeve të panumërta.
________
Jan
Palach ishte një student çek i cili në janar të vitit 1969 e dogji veten në
njërin nga sheshet e Pragës në shenjë të protestës ndaj pushtimit të atdheut të
tij nga Bashkimi Sovjetik. Sot vendi i vetëflijimit të tij përbën një nga
vendet më të shenjta për çekët dhe një nga vendet të cilin e vizitojnë miliona njerëz
nga e gjithë bota. Sepse ai vend e paraqet thelbin e gjithë dramës së një kombi
të shtypur që aspironte lirinë.
Ne,
ndërkaq, vende të tilla i zhdukim dhe shenjat e tyre i hedhim në mbeturina, siç
vepruam me gurin e Nënë Pashkes. Ky është një nga dallimet midis popujve të
civilizuar dhe popujve të mbetur në moçalin e ndotur të prapambetjes mesjetare.