Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Ata ishin tridhjetë vetë
E marte, 25.07.2023, 07:59 PM
Ata ishin tridhjetë vetë
Nga
Blerim Latifi
Prej
një jave 30 burra, gjysma e të cilëve ishin të plagosur, po përpiqeshin të
dilnin nga zona e rrethuar. Jo për të shpëtuar veten, por të mos lejuar që
trupi i prijësit të tyre të plagosur për vdekje të binte në duart e ushtarëve
serbë. Mijëra ushtarë, xhandarë, civilë serbë të armatosur e hafije shqiptarë
ishin vënë ndjekje të tyre. Ata kishin bllokuar të gjitha rrugët, shtigjet, fushat
dhe malet. Sa ka dushk në mal, aq kishte ushtarë ato ditë - thotë një tregim i
ardhur nga ajo kohë e zymtë. Urdhëri i Zhupanit ishte i prerë: E dua të gjallë
o të vdekur Azem Bejtën. Shefi i tij në Beograd ia kishte bërë të qartë
dëshirën e tij: duam ta ekspozojmë në sheshin e Beogradit, t'ia përdhosim
trupin publikisht, që t'u japim një mësim se çfarë fundi i pret të gjithë ata
që guxojnë të çojnë krye kundër Kralit.
Komitët
e dinin këtë. E kishin mësuar nga rastet e mëhershme. Shumë shokë të tyre i
kishin zvarritur shesheve duke ua masakruar kufomat e duke ua hedhur më pas
qenve të rrugëve. Prej kohëve që nuk mbahen mend tiranët i kanë përdorur skena
të tilla për t'i tmerruar njerëzit, për t'ua shuar çdo ëndërr rebelimi.
Tiranëve nuk u mjafton vetëm pushteti mbi trupat e të gjallëve. Ata e duan edhe
pushtetin mbi trupat e të vdekurve, sidomos të vdekurve që në të gjallë guxojnë
të vënë në pikëpyetje pushtetin e tyre.
30
komitët e kishin vendosur të mos ia plotësonin këtë dëshirë tiranit në Beograd.
Me asnjë çmim. Por gjithçka dukej e pashpresë. Ishin aq pak. Gjysma të
plagosur. Kishin mbetur me pak municion në pushkët e tyre, prej ditësh nuk
kishin futur gjë në gojë dhe shtëpive duhej t'u shmangeshin sepse nuk ishin të
sigurtë që do të gjenin mikpritje. Hafijet ishin gjithkah. Ata u ndihmonin
ushtarëve dhe xhandarëve për të hyrë në shtigjet e panjohura prej tyre.
Në
natën e 24 korrikut, derisa po pushonin në një përrua të thellë, prijësi u
zgjua nga kllapia dhe i tha Hamit Bajçinovcit, mjekut të komitëve, që i rrinte
te koka: - Kallma nji duhan! Dikush nga çeta reagoi: - Drita e cigarës mund të
na zbulojë para ushtarëve. Prijësit i erdhi rëndë kjo. Me zanin e dobësuar të
njeriut që po jep shpirt, tha: - Mos u tutni, a jeni me babën!
Ashtu
duke ia mbajtur cigarën e ndezur, prijësin e kapi përsëri kllapia. Në mëngjesin
e hershëm të 25 korrikut ai dha frymën e fundit. Mes maleve të Përçevës. 30
komitët i mbuloi pikëllimi, por shpejt e morën veten, sepse përpara e kishin
amanetin: As i gjallë as i vdekur n'dorë t'Kralit!
Ndërkohë
një lajm tjetër i keq u erdhi nga shoku i tyre i armëve Halim Ngucati: ushtria
serbe kishte rrethuar Dushin, Gjurgjevikun dhe po shkonte drejt Gllarevës.
Lajmin e bënte edhe më të trishtueshëm pjesa tjetër e tij: shumë shqiptarë të
shitur ishin bashkuar me ushtrinë. Çfarë lajmi i kobshëm! Kjo e bënte situatën edhe më pashtegdalje.
Dikush nga çeta tha: Kemi veç një rrugë për të mos e lanë kufomën e Azemit të
bjerë në duart e shkive, ta djegim. Halim Ngucati kundërshtoi: -Jo, shqyptari
se ka zakon me djegë trupin dhe qysh kallet gjith' ky trim. Ai u tha se dinte
një shpellë nëntokësore, e cila ishte shumë e thellë dhe nëse betohen se nuk do
t'i tregojnë askujt, aty nuk do t'i shkojë askujt mendja se është varrosur
Azemi. Me të rënë nata komitët u nisën drejt shpellës, në funeralin më të
rëndësishëm të jetës së tyre. Shpella, e kthyer në varr, e mori në thellësinë e
saj misterioze prijësin e tyre legjendar.Amaneti i tij ishte përmbushur. Tirani
më kot do të priste trofeun e tij makabër. Komitët u besatuan për ta ruajtur
sekretin deri në vdekje. Ruajtja e sekretit do ta mbante gjallë lidhjen e tyre.
Vetë mitin për prijësin e tyre. Dhe bashkë me mitin edhe shpresën se do të
vinin të tjerë që do të guxonin të ngrinin krye kundër shtypjes.
________
Deri
në shpikjen e armëve të zjarrit, shpata ka qenë arma kryesore e ushtrive. Në
këtë hartë shihen fjalët e përdorura në gjuhët europiane për emërtimin e kësaj
arme. Vendet me ngjyrë të kuqe tregojnë ndikimin latin në këtë emërtim. Në to
bëjnë pjesë edhe Shqipëria e Kosova, bashkë me Italinë, Spanjën, Portugalinë,
Francën dhe Rumaninë. Spada(Itali), Spada ( Rumani), Espada ( Spanjë,
Portugali), Espasa ( Francë jugore), Shpata ( Shqipëri, Kosovë). Të gjitha
variante të formës latine "spatha". Kjo ásht pra gjuha shqipe, lidhja
jonë e lashtë me Europën latine, lidhja që s'ia doli asnjë fuqi ta këpuste.
________
Klima
e vendeve shumë të nxehta, i bën njerëzit pasivë, dembelë, ua shkakton
përtacinë e mendjes, ua vret kureshtjen, shpirtin e sipërmarrjes dhe i zhytë në
fatalizëm.
Kështu
thotë Monteskjë në librin e tij famoz "Fryma e ligjeve". E kanë
kritiku shumë për këtë pikëpamje, e njohur si "teoria klimatike e
mendjes".
Por
mjafton me dalë pak në rrugë dhe me provu vapën përvëluese të këtyre ditëve,
për ta kuptu se tezat e Monteskjesë nuk janë dhe aq të pabazuara.
Paramendojeni
të jetuarit e përhershëm në një vapë të tillë përvëluese dhe pa teknologjitë
moderne të freskimit! E paqa n'qafë në i shkoftë kujt mendja për art, shkencë,
filozofi, kulturë, politikë, e gjëra të tjera të qytetërimit! Krejt preokupimi
reduktohet në gjetjen e ndonjë hije të mirë, sigurimin e ujit të mjaftushëm dhe
eventualisht edhe të ndonjë birre të ftohtë. E po ndodhi që birrat t'i ndalojnë
me ligj, atëherë edhe ma keq puna.
Vapa ekstreme dhe i ftohti ekstrem i paralizojnë forcat krijuese të shpirtit njerëzor. Duhet ekuilibri psikofizik midis njeriut dhe natyrës që këto forca të shpalosin mrekullitë e tyre. Në fakt, ekuilibri është themeli mbi të cilin mbështetet jo vetëm qenia njerëzore, por krejt rendi kozmik.