Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Kurrë nuk është vonë me dalë nga shpella e paditunisë
E hene, 07.08.2023, 07:59 PM
Prof. Blerim Latifi
Në
Prizren, në vendin ku u dha ajo shfaqja hyrëse e Doku Festit që na paska
alarmuar gardianët talebanë të të ashtuquajturit "moral tradicional",
fiks 160 vjet më parë po qëndronte austriaku i famshëm Johann von Hahn,
themeluesi i Albanologjisë.
Gjatë
qëndrimit në Prizren ai u njoh me jetën sociale të qytetit dhe ato që pa e
mësoi i botoi në librin e tij "Udhëtim nëpër viset e Drinit dhe
Vardarit". Mes shumë dukurive që pa, ishte edhe praktika e përhapur e
homoseksualitetit në qytet. Për këtë ai shkroi:
"Në fakt, në popullsinë e këtushme muhamedane zotëron dashuria e
djemëve (pederastia), më tepër se në çdo vend tjetër të Shqipërisë, duke
shkaktuar një burim të pashterrshëm xhelozie, armiqësish, allishverishesh dhe
vrasjesh".
Dëshmi
të tjera për homoseksualizmin otoman të shqiptarëve, përveç kësaj të Hahn,
gjenden edhe në kapitullin 11 të librit "Islamic Homosexualities: Culture,
History, and Literature" të autorëve Stephen O. Murray and Will Roscoe.
Prandaj,
ju zotërinj talebanë shqipfolës, kur merrni të diskutoni për këtë punë, mos u
thirrni fort në traditën, se pastaj llogaritë u dalin keq. Lexoni pak më shumë,
se mbase bëheni ma mendjehapur dhe, rrjedhimisht, edhe ma tolerantë.
Kurrë
nuk është vonë me dalë nga shpella e paditunisë.
__________
‘’Kur
ushtria do të kthehet në Kosovë".
Kjo
është parulla që po shkruhet gjithandej qyteteve në Serbi e në Republikën Serbe
në Bosnjë. Kjo parullë shpreh mënyrën se si e shohin të ardhmen e Kosovës në
Serbi, një të ardhme kur ushtria serbe sërish do të marshoj në Kosovë. Dhe pse
të mos e ëndërrojnë këtë gjë derisa kombi shqiptar vazhdon të mos ketë
kapacitete vetjake për t'u vetëmbrojtur. Një gjë dihet prej kohësh: ëndrrat
shoviniste zhduken vetëm në kushtet e balancit të forcave mes shteteve. Merreni
si shembull rastin e Kroacisë. Serbët jo që nuk guxojnë me shkru një parullë të
tillë për Kroacinë, por nuk ia lejojnë vetes as me ëndërru. Kur je i dobët,
gjithmonë dikush do të kujdeset për të të poshtëruar, sidomos armiqtë. E kur
nuk bën asgjë për ta fuqizuar veten, atëherë poshtërimi shndërrohet në diçka të
merituar.
__________
Fotografi
e botuar në gazetën franceze L'Illustration, në maj të vitit 1910. Në të shihen
trimat e Idriz Seferit duke patrullu në tunelin e hekurudhës në Grykën e
Kaçanikut. Lufta e Kaçanikut e atij viti kishte tërhequr vëmendjen e krejt
shtypit europian të kohës. Kosova kishte luajtur një rol vendimtar në
Revolucionin e Xhonturqëve, por këta, me ta marrë pushtetin, i kishin shkelur
premtimet politike dhënë shqiptarëve, prandaj "prej Kaçaniku e der'
n'Boletin, tanë Kosova u mblue n'tym".
__________
Në
kafe, prapa meje, dy gra nga Kosova po llafosnin me njëra-tjetrën. Erdhi
kamarieri për të marrë porosinë e tyre. Pasi u largua, njëra i tha tjetrës: -
Fol mori shqyp! Çka po folë si kta t'Shqypnisë? Mezi e përmbajta veten nga
shpërthimi i të qeshunit. Pasi ia dola kësaj, u zhyta në mendime mbi kontekstin
që e ka mundësu shprehjen e një fjalie të tillë, në të cilën një kosovare
mendon se shqip flasin në Kosovë, ndërsa e folmja e Shqipërisë është një gjuhë
tjetër. Ndërkaq, krejt kjo më kujtoi slloganin "anything goes" të
anarkizmit epistemologjik të Paul Feyerabend: mendimi filozofik e shkencor mund
të stimulohet nga çdo gjë, edhe nga budallallëqet më banale që na rastis t'i
dëgjojmë.
__________
Në
kulmin e entuziazmit letrar Ciceroni i shkruante mikut të tij Marcus Varronit:
Nëse ke një kopsht dhe një bibliotekë, ke gjithçka që të duhet. Ka harruar t'i
shtojë edhe dy gjëra: qetësinë e katundit dhe kafen të shoqëruar me ujë të
ftohtë. Nejse, kjo e fundit është shpikur më vonë, shekuj pas rënies së Romës.
__________
Këto
meçet e boksit që u luajtën mbramë në Prishtinë, më kujtuan ata filmat
"partizanë e gjermanë" të kohës së socializmit. Gjermanët e shkretë,
edhe pse superiorë në numrin e ushtarëve, në armatim e në profesionalizmin
ushtarak, në fund duhej të humbisnin betejën me partizanët e uritur e të
armatosur me pushkë të ndryshkura. Kështu e ka kjo botë: gjithmonë je me fat
kur e ke në anën tënde regjisorin ose referin.