Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Figura e fundit madhështore e qytetërimit romak
E hene, 14.08.2023, 08:32 PM
Prof. Blerim Latifi:
Gërmimet
në bazilikën e shekullit të gjashtë, e cila u zbulua vjet në Ulpianë, kanë
nxjerrë në dritë një zbulim tjetër fantastik:
një mozaik që përmban një dedikim për kishën nga perandori bizantin
Justiniani i Parë dhe gruaja e tij Teodora.
Në
mbishkrimin e dedikimit përmendet edhe Dardania. Kjo tregon peshën e madhe që
ky vend kishte për sundimtarin më të madh të Bizantit, i cili edhe vetë ishte
me origjinë nga Dardania.
Dhe
një gjë tjetër: edhe sa dëshmi të tjera duhet të dalin në dritë, në mënyrë që
stërhollimet skolastiko- etimologjike për emrin e Prishtinës, që e lidhin
origjinën e këtij emri me gjëra krejtësisht periferike, me folje e ndajfolje,
me parashtesa e prapashtesa fjalësh, me emra përrockash e me dreqin e t'birin,
të marrin fund dhe të pranohet se Prishtina e ka marrë emrin nga Justiniani i
Parë, Primus Justinianus.
Me
njeriun që ndërtoi Hagia Sofinë, dhjetëra e dhjetëra kisha të tjera, nga Mali
Sinai në Lindje e deri në Ravena në Perëndim, që kodifikoi të drejtën romake
dhe ngriti qindra fortifikime kundër dyndjes së sllavëve në Ballkan. Me njeriun
që nga një bari dhensh në fushat e Dardanisë, u bë figura e fundit madhështore
e qytetërimit romak.
________
18
vjet burg. 19 vjet internim. Kishte arsim të lartë, si pak gra shqiptare të
asaj kohe. Kishte edhe talent letrar të dëshmuar. Por e detyruan të mbante
frymën gjallë duke punuar pastruese rrugësh në Mirditë, e kur ju shfaq kanceri,
askush nuk iu gjet pranë për t'ia qetësuar dhimbjet e sëmundjes mizore. Dhe
krejt kjo se dikur kishte pasur guxim të hidhte në letër një fjali: Unë mund ta
dua Shqipërinë edhe pa qenë komuniste.
Kalvari
i vuajtjeve të Musine Kokalarit, i cili u përmbyll si sot 40 vjet më parë,
mbetet dëshmi e përjetshme se çfarë krimesh monstruoze mund të ndodhin në kohët
kur njerëzit e ligj dhe fanatizmi ideologjik bëhen bashkë në pushtet.
________
Ata
që kanë sadopak njohuri nga shkencat sociale e dinë se koncepti i degjenerimit,
i marrë nga biologjia dhe i aplikuar në jetën sociale, është i lidhur ngushtë
me racizmin e fashizmin.
Janë
racistët ndër të parët që gjatë shekullit të XIX e futën këtë term në të
folurit për shoqninë, politikën e kulturën.
Në
emër të "luftës kundër degjenerimit" racistët e fashistët kanë kryer
krime të pafundme, gjithandej botës.
Grupet
ekstremiste fetare e kanë huazuar teorinë raciste të degjenerimit, duke i dhënë
asaj një kuptim tjetër.
Për
to krejt moderniteti me liritë e tij që vijnë duke u zgjeruar, është një proces
degjenerimi i jetës njerëzore. Prandaj aspirata e tyre është rikthimi në
idealet e jetës mesjetare paramoderne.
Problemi
themelor i yni është se ne, si shoqni, nuk kemi kapacitete për të debatuar mbi
vetë konceptin e degjenerimit, mbi origjinën e tij, bazën ideologjike,
kontekstet historike të lindjes së tij, mitet e tij, përdorimet e tij
politiko-fetare dhe në fund për ta kuptuar se
degjenerimi nuk është një e dhënë natyrore, por një konstruksion social,
prapa të cilit gjithmonë fshihen ose fashistët ose ekstremistët fetarë.
________
Kjo
protesta në Prishtinë, në të cilën iu dha përkrahje pushtetit dhe u kërkua që
"analistët të sillen para gjyqit" më kujtoi atë thënien e cila rëndom
i përshkruhet Ajnshtajnit: "Dy gjëra janë të pafundme: Universi dhe
budallaku njerëzor; dhe vetëm për Universin nuk jam i sigurt".
________
Fantastik
ky Festivali Ndërkombëtar i Arteve dhe Vallëzimit ‘New Born’, që po mbahet në
Prishtinë. Qindra performues nga kultura të ndryshme, me veshjet dhe vallet e
tyre tradicionale, janë një dhuratë e çmuar për kët' vend që po përpiqet të
dalë nga moçali kulturor.
U
lumtë atyre që e kanë ideu dhe realizu kët' event!