E merkure, 18.09.2024, 05:08 PM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Fuqitë autoritariste po përpiqen të ndezin konflikte gjithandej botës

E diele, 12.11.2023, 08:58 PM


Prof. Blerim Latifi:

105 vite më parë kur Lufta e Parë Botërore po përfundonte, njerëzit vrapuan ta besojnë thënien e një komentatori të kohës se "kjo do ishte lufta që do t'u jipte fund të gjitha luftërave".

Por nuk shkoi shumë kohë dhe ia behu Lufta e Dytë Botërore dhe komenti i H.G. Wells doli të ishte thjesht një ëndërrim me sy hapur.

Edhe kur e dyta përfundoi, iluzionet pacifiste sërish pushtuan mendjet e njerëzve. U krijua OKB për të kujdestaruar paqen e përhershme mes kombeve, por shpejt u pa se fuqia e saj nuk i frenonte dot vullnetet për luftëra të reja. Dhjetëra sosh përgjakën njerëzit e popujt gjithandej globit.

Dhe kur konteksti gjeopolitik që i nxiste ato, pra Lufta e Ftohtë, përfundoi me rënien e komunizmit, sërish iluzionet e paqës së përhershme u shfaqën. Nuk do të kishte më luftëra, historia e dhunës kishte arritur fundin dhe tani e tutje njerêzit do të jetonin në paqen universale te demokracisë liberale.

Por s'qe e thënë të ishte kështu. Sepse luftëra të reja shpërthyen mes gërmadhave të regjimeve komuniste dhe në shtetet e dështuara në Afrikë.

Shekulli 21 nisi me sulmet terroriste në New York dhe pastaj erdhi Afganistani, Iraku dhe në dekadën e dytë të shekullit të ri, ajo që u nis si "Pranvera Arabe", përfundoi në luftëra mizore mes grupeve e sekteve në Libi, Siri e Irak. Ndërkaq, pas masakrave në ish Jugosllavi, ishte ngritur miti se së paku në Europë epoka e gjakderdhjeve ishte mbyllur përfundimisht, por pastaj erdhi pa vonesë agresioni rus në Ukrainë për t'i dhënë fund këtij miti.

Sot fuqitë autoritariste, të udhëhequra nga shembulli i Rusisë, haptas po përpiqen të ndezin konflikte gjithandej botës, me idenë se një kaos i ri në botë do t'i jap fund dominimit të Perëndimit në rendin botëror. Ky projektim kaosi premton lumenj të rinj gjaku. Ka fort gjasa që shpresa e progresistëve pacifistë se Shekulli 21 do të jetë më paqësor se Shekulli 20, të përfundoj në katalogun e hipotezave të përgënjeshtruara të parashikimit të së ardhmes. Hegeli shkruan se historia botërore nuk është truall i lumturisë njerëzore. Periudhat e lumturisë janë faqe të zbrazta në të. Kemi shumë arsye për ta cilësuar këtë mendim si konstatimin ma të saktë për fatin e Aventurës Njerëzore në planetin Tokë.

___________

Historiani i njohur britanik Timothy Garton Ash, në librin e tij më të ri "Vendet e mia- Një histori personale e Europës", në faqen 256, mes tjerash, shkruan: "Qindra mijëra shqiptarë të Kosovës morën arratinë për të shpëtuar, duke iu druajtur një gjenocidi në një shkallë edhe më të gjerë se Bosnja. Ata po që e njihnin Millosheviçin. Më në fund Shtetet e Bashkuara dhe Europa, të paralajmëruar për një "tjetër Bosnje" prej gazetarëve këmbëngulës e parimorë, por edhe prej politikanëve e personave me autoritet moral si Haveli dhe Papa, vendosën të veprojnë. Në mars të vitit 1999, NATO- ja filloi të bombardojë Serbinë".

Shikova më poshtë në tekst mos po e gjej edhe emrin e ndonjë ajatollahu e mullahu nga bota arabe që ka bërë thirrje për të shpëtuar shqiptarët e Kosovës nga gjenocidi, por nuk gjeta asnjë. Sepse ata ishin në anën e atyre që po kryenin gjenocid. Dhe janë dashur vetëm 24 vjet që ne të fillojmë t'i harrojmë këto të vërteta dhe të lejojmë instalimin e mentalitetit të mosmirënjohjes, nga i cili, në fund të fundit, veç një rezultat kemi me pasë:  me ia thy qafën vetes.

___________

Në Prishtinë e promovuam librin "Njeriu më i lumtur në botë", të Eddie Jakut-t, i mbijetuar i kampeve naziste të shfarosjes. Një bestseller ndërkombëtar, i përkthyer në 40 gjuhë brenda një viti, libri është një dëshmi autentike e tmerreve të Holokaustit dhe e luftës së të mbijetuarve të tij për t'u ringritur e triumfuar mbi vuajtjen e dëshpërimin, në emër të shpresës. Në fjalën time unë u ndala tek raporti i lexuesit shqiptar me literaturën e Holokaustit, pjesë e të cilës është tanimë edhe ky libër.

___________

Ja çfarë ka mbetur nga baza ushtarake serbe në Malet e Moknës. Nga këtu, gjatë verës së vitit 1998, ushtria serbe godiste me raketa fshatrat e Drenicës dhe Dukagjinit, që ishin nën kontrollin e UÇK- së. Pastaj në marsin e vitit 1999 aeroplanët e NATO's e kthyen në gërmadhë. Serbët vazhdojnë të ëndërrojnë e punojnë për t'u rikthyer në këtë pikë të lartë nga shihet krejt Kosova, ndërsa ne përditë e më shumë jemi duke e harruar atë kohë dhe rreziqet e përsëritjes së saj, nga shkaku se në pjesën më të madhe të kohës merremi me gjëra të kota dhe budallallëqe. Si shtet dhe si shoqëri.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora