Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Shkatërrimi i bibliotekës së fshatit dhe rënia në dashuri me librin
E hene, 21.08.2023, 09:23 PM
Shkatërrimi i bibliotekës së fshatit dhe rënia në dashuri me librin
Shkëputur
nga Libri i Kujtimeve
Nga
Prof. Blerim Latifi
Biblioteka
e fshatit tonë ishte shumë e pasur me libra. Thuhej se fondi i saj përbëhej
prej 10 mijë volumesh. Në atë kohë Shtëpia Botuese “Rilindja” botonte mijëra
tituj brenda vitit, me tirazh po ashtu prej mijëra kopjesh për secilin titull
dhe një pjesë e këtyre librave dërgoheshin edhe nëpër bibliotekat e fshatrave.
Ndërtesa
ku ishte vendosur biblioteka ishte më e bukura në fshat. Ishte një ndërtesë e
stilit modern, me dy kate. Në katin e parë ndodhej shtëpia e shëndetit, ndërsa
në të dytin, përpos bibliotekës, ndodhej edhe zyra e bashkësisë lokale, një
njësi adiministrative e cila hynte në kuadrin e komunës dhe rëndom përfshinte
disa fshatra.
Ne,
si nxënës, e vizitonim rrallë bibliotekën. Vetëm kur na dërgonin mësuesit për
të marrë ndonjë libër që atyre u duhej dhe në përfundim të vitit shkollor kur
duhej t’i merrnim librat të cilat mësuesit na i caktonin për t’i lexuar gjatë
pushimeve të verës. Bibliotekisti ishte një njeri i zymtë. Na priste ftohtë dhe
mezi na i gjente librat të cilat i kërkonim. Ndonjëherë kur ishte në humor të
keq, pa u ngritur fare nga vendi na thoshte të shkonim se librat që po i
kërkonim i kishin marrë të tjerë. Me pak fjalë : ai ishte një dembel, që dukej
se e bënte pa qejf atë punë.
Erdhi
viti 1990. Viti i dëbimit të shqiptarëve nga vendet e punës. Të gjithëve na
kapi mërzia. Si do të jetonim tani pa të ardhura? Një ditë kur shkuam në
shkollë, e morëm vesh se edhe bibliotekistin e kishin larguar nga puna.
Bibliotekës i ishte vënë dryri. Pas pak ditësh dikush e kishte thyer derën e
saj dhe kishte hyrë brenda. Askush nuk u kujdes që ta mbyllte përsëri. Kështu
filloi shkatërrimi i bibliotekës së fshatit tonë. Ne tani hynim lirisht në të,
ngase askush nuk na pengonte. Brenda pak ditësh pamja brenda saj ishte bërë e
tmerrshme. Dyer e dritare të hequra. Raftet e librave të rrëzuara në dyshme dhe
qindra libra të shpërndara gjithandej. Nuk vonoi dhe gjëra të tjera të
shëmtuara filluan të ndodhnin në bibliotekë. Njerëzia hynin aty për të kryer
nevojat e tyre fiziologjike. Nisi të kundërmonte një erë e rëndë. Këtyre
shëmtive iu shtuan hedhjet e librave nga dritaret në tokë. Një ditë i pamë disa
mësues tek merrnin një sasi librash për t’i dërguar në shkollën tonë që ishte
matanë rrugës. Shihej se donin të shpëtonin sa të mundnin nga ajo pasuri që po
shkatërrohej para syve të tyre. Dikush e dha idenë që si mësuesit të bënim edhe
ne dhe nuk vonuam e u hodhëm në veprim.
Për fillim merrnim librat me kopertina të bukura. Edhe ashtu ato binin në sy më
shumë. Personalisht dhjetëra herë kam shkuar aty për të marrë libra. Herë vetëm
e herë me ndonjë shok. I dërgoja në shtëpi dhe i sistemoja në një dhomë, të
cilën në atë kohë nuk e përdornim për ndonjë gjë. Kështu, brenda pak ditësh,
unë u bëra me bibliotekën time personale, të përbërë prej qindra titujsh. Mes
tyre gjendeshin autorët më të mëdhenj të letërsisë botërore, si Balzak, Hygo,
Gëte, Emil Zola, Anatol Frans, Kamy, Sartër, Drajzer, Heminguej, pastaj të
gjithë shkrimtarët e mëdhenj rusë, e dhjetëra e dhjetrëra të tjerë, shqiptarë e
të huaj.
Ngase
e konsideroja timen, kujdesesha në mënyrë të veçantë për bibliotekën. I
rendisja librat e saj herë në një formë, e herë në një tjetër. Dhe kështu, dalë
nga dalë, më lindi ajo që do të përcaktonte rrjedhën e mëpastajme të jetës :
dashuria për librin.
Atë
verë ia kushtova leximit të katër vëllimeve të romanit “Lufta dhe Paqja” të
Tolstoit, ndërsa viti i ri shkollor më zuri duke lexuar një vepër tjetër
voluminoze të tij, “Ringjalljen”.
Tetë
vite zgjati ekzistenca e bibliotekës time. Në shtator të vitit 1998 ushtarët
serbë u futën në shtëpinë tonë dhe ia vunë flakën asaj. Flakët e përpinë edhe
bibliotekën time. Vetëm pak libra prej saj arritën të shpëtonin, për shkakun se
i kisha dërguar në Prishtinë pas fillimit të studimeve. Sot ato i trajtoj si të
ishin diçka e shenjtë dhe sa herë i marrë në dorë më duket se e ndjej aromën e
bibliotekës time të dikurshme, e nga kjo ndjenjë më lindë nostalgjia për ato
ditë të fëmijnisë, ato ditë që edhe pse ishin të vështira, prapë se prapë
kishin gjërat e tyre të bukura.
__________
Derisa
po presim që të ndryshoj për mirë pozicioni i pesë shteteve të BE- së të cilat
nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, në horizont po shfaqet një aleancë e re me
potencial të rrezikshëm për marrëdhëniet tona me BE-në, aleanca Serbi- Hungari.
Kjo
aleancë ushqehet nga dy faktorë: regjimi i Orbanit, i cili nga viti në vit ka
ardhur duke u bërë më autoritarist, natyrshëm ndihet i afërt e solidar me një
fqinj si Serbia, e cila, nën Vuçiqin, ka rrëshqitur prej kohësh në
autoritarizëm.
Përtej
kësaj, e përbashkëta tjetër e këtyre dy regjimeve është qëndrimi i butë, për të
mos thënë mbështetës, ndaj agresionit rus në Ukrainë. Ka dekada që Putini është
bërë paradigmë e krejt sundimtarëve autoritaristë gjithandej botës.
Me
një Hungari që e shton vazhdimisht dozën e mirëkuptimit të Serbisë, problemet
tona në rrafshin ndërkombëtar do të shtohen. Krejt këto zhvillime nuk përbëjnë
kurfarë lajmi në universin tonë politik, ku personazhe kryesore janë radovanët
e shndërruar në ridvanë dhe ridvanët nga furrtarë mahalle në furrtarë të
shtetit. Brenda natës. Si Gregor Zamza tek "Metamorfoza" e Kafkës.