E merkure, 18.09.2024, 03:23 PM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Përsëri tregimi me popa, armë dhe rusë

E diele, 01.10.2023, 07:57 PM


Prof. Blerim Latifi:

Përsëri tregimi me popa, armë dhe rusë

120 vjet më parë, në marsin e vitit 1903, në fushën e Morinës, në Drenicë, ishin mbledhur rreth 4000 burra. Një shqetësim i madh e kishte nxitur atë kuvend. Në Mitrovicë sapo ishte vendosur konsulli rus, i cili me të marrë detyrën nuk kishte humbur kohë dhe kishte nisur me aktvitetet e tij propagandistike dhe subversive, në funksion të Serbisë. Nën petkun e imunitetit diplomatik, të cilin ia garantonte funksioni, ai vepronte hapur gjithandej.

Shpejt fjalët kishin marrë dhenë. Përmes tij shteti serb po i mbushte kishat ortodokse serbe me armë. Këto armë do të viheshin në dispozicion të serbëve të Kosovës dhe do të përdoreshin prej tyre në momentin kur do të merrnin urdhërin nga Beogradi.

Burrat e mbledhur në Kuvendin e Morinës, nën udhëheqjen e Ahmet Delisë dhe  Ramë Lutanit, kishin marrë vendim të ndalonin këtë aktivitet subversiv dhe njëkohësisht të dëbonin më forcë konsullin rus nga Kosova. Lajmi arriti shpejt në Prishtinë dhe valiu osman nisi dy njerëz për të bindur Ahmet Delinë të hiqte dorë nga planet e tij. Ata ishin mullahu i Prishtinës dhe pleqnari i Drenicës, Xhemail Obria. Kuvendi i hodhi poshtë kërkesat e tyre dhe qindra burra të armatosur u nisën në drejtim të Vushtrrisë dhe Mitrovicës.Trupat osmane morën urdhër t’i ndalonin ata dhe kështu nisi gjakderdhja. Kryengritësit e drejtuar nga Ramë Lutani arritën të depërtonin deri në Vushtrri dhe të bastisin kishën ortodokse serbe të qytetit. Ajo për të cilën dyshonin, doli të ishte e vërtetë : dhjetëra pushkë ishin fshehur brenda saj.

Ndërkaq, grupi tjetër i kryengritësve, i drejtuar nga Ahmet Delia, rrethoi Mitrovicën. Batalionet osmane u përgjigjen me artileri kundër tyre. Konsulli rus ishte ngjitur në atë që prej atëherë njihet si “Shkëmbi i kangjallozit” dhe me dylbitë e tij u ndihmonte artilierëve osmanë të godisnin më mirë pozicionet e kryengritësve. I tronditur tek e shihte këtë gjë, një djalosh nga Gjilani, i cili ishte nizam, e merr në shenjë konsullin, duke e plagosur për vdekje. Ardhja e trupave tjera osmane nga Shkupi i detyron kryengritësit të tërhiqen. Mbi 150 prej tyre do të mbesin të vrarë rrugëve të Mitrovicës dhe të Vushtrrisë.

Pas luftës së fundit, serbët në veri i kanë ngritur një shtatore konsullit rus, dhe 120 vjet pas vrasjes së tij, historia përsëritet : kisha ortodokse serbe të mbushura me armë dhe rusë që marrin pjesë në sulmet subversive të Serbisë kundër Kosovës.

______________

Josip Brozi ka qenë matrapazi ma i madh gjeopolitik i Luftës së Ftohtë. Kur Moska komuniste ia prishte pazaret, ai vraponte t'i hidhej në përqafim Perëndimit kapitalist, dhe anasjelltas, kur ndodhte që Perëndimi nervozohej me të, ai vraponte t'i hidhej në përqafim Moskës.

Në luftën e re të ftohtë që ka nisur midis Perëndimit, Rusisë dhe Kinës, Serbia po përpiqet ta bëj të njëjtën lojë nën udhëheqjen e Vuçiqit.

Sa herë Perëndimi ia bën ndonjë presion, Vuçiqi vrapon të konsultohet me ambasadorin kinez dhe atë rus, ose të dërgojë në Moskë ndonjë ministër të tij. Dhe anasjelltas, kur rusët i kërkojnë ndonjë favor, ai hidhet në Perëndim për të folur për "orientimin europian të Serbisë".

Kjo dyfytyrësi e Brozit i ka pas funksionuar, deri në ditën kur i ishte sosur ora biologjike. Se a do t'i funksionoj edhe Vuçqit, mbetet për t'u parë. Një gjë megjithatë duket qartë: ky neotitizëm gjeopolitik i Serbisë është duke na shkaktu telashe të jashtëzakonshme.

Përtej dëshirave tona, disfata që pësoi dinakëria neotitiste e Vuçiqit me 24 shtator, nuk është fundi i lojës. Sa ma shpejt që ta kuptojmë këtë fakt, aq më mirë do të jetë për ne.

______________

Merreni me mend një ekip futbolli që i fiton krejt ndeshjet, por e humbë me turp finalen e madhe! Çfarë dëshpërimi e traumatizimi mund t'u ndodhë tifozëve të tij. Nga dëshpërimi e traumatizimi ata fare lehtë mund të eskalojnë në dhunë të shfrenuar, t'i akuzojnë të tjerët se ua kanë bërë me hile e të kërkojnë të përsëritet loja. Sepse të mësuar vetëm me fitore, nuk mund ta marrin me mend humbjen.

Kështu pak a shumë është gjendja aktuale psikike e Serbisë tash e 24 vite. Ajo i kishte fituar të gjitha luftërat në 140 vitet e fundit, por e humbi finalen e tyre.

Doli shtet i pavarur nga Kriza Lindore me 1878. Doli fitimtare nga Lufta e Parë dhe e Dytë Ballkanike. Doli fitimtare nga Lufta e Parë Botërore. Po ashtu nga Lufta e Dytë Botërore. Aleate me Lindjen dhe Perëndimin. E respektuar nga të katër anët e botës. Dhe bash kur nuk e priste, i ndodhi hataja. Në fund të shekullit e humbi luftën me Kroacinë, arriti një gjysmë fitore të turpshme në Bosnjë dhe e humbi luftën në Kosovë, duke marrë si peshqesh edhe bombardimin 78 ditësh të Beogradit nga NATO.

Të mësuar të shënojnë vetëm fitore, në fund serbët u detyruan të shijojnë një humbje të madhe dhe fort të hidhur. Prandaj janë të traumatizuar. Thellësisht të traumatizuar. E duke qenë të tillë, nuk po gjejnë qetësi dhe po kërkojnë ta përsërisin finalen e humbur. Si tizofët e çmendur nga tribunat e stadiumit. Prandaj e kërcënojnë Bosnjën dhe Kosovën vazhdimisht. Prandaj janë budallenj krejt ata që mendojnë se Serbia ka ndryshuar, përfshirë edhe naivin Edi Rama me Ballkanin e tij të hapur, që fatmirësisht përfundoi në koshin e plehrave.

Serbia ndryshon veç kur shërohet nga trauma e humbjes së finales. A ka shpresë për këtë? Nuk jam në gjendje të them diçka të sigurtë.

______________

Pas pamjeve të publikuara të terroristëve duke ikur, u shtruan disa pyetje legjitime: Pse u lanë të ikin? A ishte ikje e negociuar? Apo ikje nga pamundësia e policisë së Kosovës për të vënë zonën nën rrethim?

Kam mendimin se qoftë e negociuar ose jo, ikja e terroristëve nga zona e konfrontimit në dhe rreth manastirit, është një fitore taktiko-diplomatike e Kosovës.

Pse?

Nëse terroristët nuk do të mund të tërhiqeshin, ata do të detyroheshin të mbroheshin brenda manastirit. Një sulm i armatosur në dhe rreth manastirit do të ishte një dhuratë e paçmuar për Beogradin. "Martirizimin" e terroristëve dhe eventualisht të ndonjë murgu brenda manastirit propaganda serbe do ta kthente në një atak të tmerrshëm diplomatik kundër Kosovës dhe për pasojë, me shumë mundësi, veriu do të na rrëshqiste përfundimisht nga duart.

Nuk duhet të harrojmë se kishat serbe janë një ndër pikat ma të forta të diskursit serb kundër Kosovës.

Përfundimisht: më shumë na janë dashur ato pamje të terroristëve duke ikur si cuba, se pamjet e trupave të tyre të gjakosur brenda manastirit. Fitoret nuk maten vetëm me numrin e të vrarëve në beteja, por edhe me efektin politik të betejave.

______________

Gjithmonë na kanë nënçmuar. Sepse ishim të pabarabartë me.Tmerrësisht të pabarabartë. Ne kishim një pushkë të trashëguar nga gjyshi, e ata vinin me topa.

Ne kishim një kallashnikov, të sjellur nga Shqipëria me njëmijë mundime, e ata vinin me tankse.

Ne kishim Kodin e vjetër të Lekës, që nuk na lejonte të vrisnim njerëz të pafajshëm, gra e fëmijë, e ata vinin me Kodin e Dushanit, në të cilin masakra është e kodifikume.

Por tash kohët kanë ndryshuar.

24 shtatori i të dielës së shkuar është shenjë e ndryshimit të tyre.

A do dijmë të nxjerrim leksionet e duhura prej tij?

Po, nëse e trajtojmë si fitore të shtetit.

Jo, nëse e lëmë të konsumohet në grindjet e neveritshme ndërpartiake.

______________

Ka një shekull e ma shumë që në Serbi përsëritet vazhdimisht një gjë: përkdheljet nga Europa në Serbi i lexojnë si dritë të gjelbërt për t'u bërë zullum fqinjëve të saj. Sot në Veriun e Kosovës po përsëritet kjo histori.

Ka një shekull e ma shumë që Ballkani nuk gjenë qetësi, shkaku i një kombi që nuk shërohet dot nga patologjia kolektive e Serbisë së Madhe, ndërsa burokratët idiotë të Brukselit e kërkojnë paqen dhe stabilitetin në përkdheljet e këtij kombi.

Kjo është rrugë e gabuar.Terapi e gabuar. Sepse i ligu nuk e njeh gjuhën e mirësisë.

I ligu e njeh vetëm gjuhën e forcës. Si në vitin 1999.

______________

Bota e civilizuar e ka bërë me kohë një dallim thelbësor: Ata që kapin armët kundër një regjimi shtypës e diktatorial, quhen çlirimtarë; ata që kapin armët kundër një shteti demokratik me liri e të drejta të njeriut, quhen terroristë.

Dhe mes shumë gjërave tjera që i karakterizojnë regjimet e ndyta diktatoriale, është edhe përpjekja e tyre për ta fshi këtë dallim.

Kur diktaturat kanë sukses në këtë përpjekje, pësojnë kauzat e lirisë dhe shtohen vuajtjet njerëzore.

Kur dështojnë në këtë përpjekje, bota bën një hap më tutje drejt përmirësimit të gjendjes njerëzore.

Si në rastin e Kosovës të viteve 1998-99.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora