Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Adem Jashari ishte makthi i policisë serbe, ndërsa tash i vdekur ai është kthyer në makthin e krejt shtetit serb
E diele, 14.01.2024, 08:58 PM
Blerim Latifi:
Sandulloviq
nuk është serbi i parë që flet për krimet e shtetit serb të kryera në Kosovë
gjatë luftës. Ka pasur edhe të tjerë para tij, bile figura edhe më të njohura
se ai. Shkaku pse ai u arrestua dhe u
torturua mizorisht nga BIA ka të bëj me faktin se Sandulloviq zgjodhi vendin i
cili vazhdon të traumatizojë shtetin serb, pra varrin e Adem Jasharit në
Prekaz. Dhe ky traumatizim ka shkaqe fare të qarta: aty në atë vend prehet
njeriu që me veprën e tij bëri të ndryshoj komplet rrjedha e historisë, rrjedhë
që i dha fund sundimit serb në Kosovë. Në të gjallë të tij Adem Jashari ishte
makthi i policisë serbe, ndërsa tash i vdekur ai është kthyer në makthin e
krejt shtetit serb. Kierkegaard, filozofi i madh danez, kishte të drejtë kur
shkruante se “fuqia e vërtetë e martirit shfaqet pas vdekjes së tij”.
___________
Kosovën
përherë e më pak janë duke e vizituar politikanë e drejtues të rëndësishëm
shtetesh. Vizita e David Cameron, shefit të politikës së jashtme të Britanisë
së Madhe, është një rreze shprese në këtë dimër të vetmisë diplomatike të
Kosovës. Qëndrimet e tij të shprehura gjatë kësaj vizite janë me vlera të mëdha
për Kosovën, në këto kohë kur rendi botëror po lëkundet fort nga krizat e
provokuara prej fuqive autoritariste dhe shteteve kliente të tyre.
Përfundimisht
është ndjenjë e mirë kur ke në anën tënde një shtet si Britania e Madhe.
___________
Celebrimi
dhe kremtimi i largimit nga vendi është shenjë e qartë e asaj që autorët e
lashtë e quanin mizopatria, ndjenja e urrejtjes për vendin tënd.
Qysh
erdhëm në kët' ditë?
Kush
na e injektoi në psikikë mizopatrinë?
Nuk
kam përgjigjje të gatshme në këto pyetje.
Veç
një gjë dihet me siguri: derisa patriotizmi i krijon shtetet, mizopatria i vret
ato. Në mënyrë të sigurtë. Asgjë nuk mbahet me zor në këtë botë. As liria.
___________
Kadare
shkruan se Ballkani ia kalon krejt Europës për numrin e madh të donkishotëve që
prodhon. Pra për numrin e të krisurve komikë që bëhen gazi i botës duke ndjekur
kauza anakronike.
Qe
shembulli ma i ri: Janë çu n' luftë kundër bredhit të Vitit të Ri. Si Don
Kishotit të Servantesit që mullinjtë e erës( simbol i kohëve moderne) u
halucinonin si kalorës mesjetarë, këtyre donkishotëve tanë bredhi i Vitit të
Ri( simbol i kapitalizmit e shoqërisë së konsumit) u halucinon si kryqëzatë
mesjetare.
Të
moçmit kanë pasur sens psikologjik kur thoshin se "me mend nuk bahet
shaka; se kur t'lanë mend, s'ka kush qe t' bon çare".
___________
Kur
e pat fillu ndërtimin e sheshit të Prishtinës nga Kuvendi i Kosovës deri tek
Hotel Grandi, s'patën lanë gja pa i thanë Ismet Beqirit, kryetarit të
atëhershën të Komunës. E shkatërroi qytetin! E ka futur Prishtinën në kaos! E
ka blloku Prishtinën! Këto ishin disa prej shumë akuzave që i bëheshin atij.
Pastaj kur sheshi u bë, të gjithë filluan ta pëlqenin. Kryeqyteti i vetëm në
Europë pa shesh qendror, tani mund ta hiqte këtë epitet të turpshëm.
Dekada
më pas agorafobët janë çu prapë dhe kërkojnë të mbyllet pjesa e sheshit që
fillon nga Grandi e përfundon tek udhëkryqi i Lesna's. Paskan thirrë edhe
protesta. Akuzat janë si ato të para 20 viteve. Në krejt botën normale njerëzit
kërkojnë sa më shumë hapësira publike, sheshe e parqe në qytetet e tyre, ndërsa
këtu e duan të kundërtën e tyre. Kjo quhet agorafobi, frikë iracionale nga
sheshet. Dhe agorafobia gjithmonë vjen nga jeta e mbyllur dhe mentaliteti i
sokaqeve.
___________
Feja
është si puna e veglave të punës. Një lopatë në duart e një njeriu punëtor bëhet
një vegël e dobishme ; e punon kopshtin me të dhe kultivon perime. E njëjta
lopatë në duart e një të krisuri bëhet armë vdekjeprurërse. Kështu është edhe
me fenë. Në duart e njerëzve të edukuar e të kulturuar, feja bëhet vegël e
humanizmit, tolerancës dhe e paqes mes njerëzve[ shembull: Krishterimi i sotëm
perëndimor]. Në duart e vahabistëve e talebanëve, ajo kthehet në instrument të
urrejtjes, mjerimit e dhunës mes njerëzve.
___________
Kur
ishte puna tek pushteti personal Zogu nuk kursente askënd. Si krejt shqiptarët.
Por kur pushtetin e kishte të siguruar, ai dinte të bënte edhe punë të vlefshme
për kombin. Si p.sh. përmbushjen e kërkesës themelore të Rilindjes Kombëtare
për subordinimin e feve ndaj parimit kryesor të nacionalizmit shqiptar. Këtë e dëshmon
edhe kjo fotografi e vitit 1937, e shkrepur gjatë ceremonisë së rivarrimit të
eshtrave të ideologut kryesor të këtij subordinimi, Naim Frashërit, pas kthimit
të tyre nga Stambolli, me kërkesë të Zogut.
___________
Edhe
pse e dënume në mjerim e izolim nga shekujt otomanë dhe gjysmëshekulli
stalinist, prapë Lezha mbetet nji perlë e rrallë e natyrës shqiptare. Nji perlë
që pret duart e bijve të kësaj toke për t'ia çu edhe njiherë zanin anekand
botës. Sikurse pat ngja në Motin e Madh të Kastriotit e Dukagjinit.
___________
Një
shënim i shkurtër në ditën e krishtlindjes ortodokse. Deri vonë në shumë
katunde të Kosovës 7 janari ishte "Dita e grurit të zier". Gratë e
merrnin grurin, e zienin dhe e shërbenin në darkën familjare të asaj dite. Kjo
praktikë ishte relikti i fundit i mbetur nga festimi i krishtlindjes prej
shqiptarëve ortodoksë të Kosovës. Fjalori kishtar këtë darkë religjioze e quan
koluba, një fjalë kjo e greqishtes bizantine. Gruri i zier simbolizonte farën e
jetës së re. Familjet më të varfëra në vend të grurit të zier përdornin
kallamoqin e zier. Sot ky ritual me siguri duhet të jetë braktisur krejtësisht,
për të mbetur vetëm si një dëshmi etnologjike për një komunitet fetar që më nuk
ekziston në mesin e shqiptarëve të Kosovës.
___________
Prej
Formulës shqip të pagëzimit( 1462) e deri me sot, pra prej pesë shekujsh e ma
shumë, Kisha Romane kurrë se ka kursy mbështetjen për shqiptarinë, për emrin e
saj, shenjat e saj, e gjuhën e saj. Dhe falë kësaj mbështetje shqiptarët ia
dolën të mbesin të lidhur me kontinentin të cilit i takonin qysh nga fillimi,
Europës.
___________
Nuk
e kam pa hiç a pat kët' fillim viti diçka nga parashikimet apokaliptike të
Nostradamusit dhe Baba Vangës për vitin 2024? Apo tregu ynë i dokrrave dhe i
budallallëqeve nuk ka nevojë më për ta, sepse tanimë kemi plot nostradamusa e
baba vanga vendorë. Edhe për eksport madje.
___________
E
konsideroja të humbur, por qe, kur ta don, e gjeta mes faqeve të nji libri.
Viti i ri 1999. Djalë i ri e trim sa të duash. Vakt o vakt! S'mu hoqën kurrë
armët prej dore. Nejse, pas luftës do armë të tjera, armët që i gjithmonë i
kanë shërby lirisë dhe qytetërimit, armët e hyjnores filozofi.
___________
Gëzuar
Dita e Veteranit të gjithë bashkëluftëtarëve të UÇK-së, e në mënyrë të veçantë
bashkëluftëtarëve të Brigadës 138 "Agim Ramadani"!