E merkure, 18.09.2024, 04:27 PM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: 'Unë jam Ahmet Delia, e ktij vendi i thonë Shqypni'

E enjte, 28.12.2023, 08:58 PM


Prof. Blerim Latifi:

111 vjet më parë

- Stoj!- i bërtiti roja që po ruante në hyrje të shtëpisë ku serbët po bënin hata mbi njerëzit e pambrojtur të saj.

Plaku ia preu: - Unë serbishten hiç se di. Unë jam Ahmet Delia, e ktij vendi i thonë Shqypni.

Ajo që ndodhi më pas, u kthye në kod të rezistencës me çdo çmim e deri në frymën e fundit kundër shtypjes dhe nënshtrimit.

Po kush ishte ky burrë, të cilit turqit ia vunë nofkën "Delia", për të shprehur tmerrin që kishin prej tij?

Lista e mëposhtme e ngjarjeve na e tregon profilin e tij:

1884- 1889: Ahmet Delia udhëheq kryengritjet kundër taksave dhe reformave centralizuese të pushtetit osman.

1891: Udhëheq kryengritjen kundër vendosjes së pushtetit administrativ turk në Drenicë. Kjo njihet si "kallja e sarajeve "Hamidie" , në vendin ku sot ndodhet qyteti i Skënderajt.

1899: Merr pjesë si përfaqësues i Drenicës ne Lidhjen e Pejës.

1903: Udhëheq Kuvendin e Marinës dhe Sulmin në Mitrovicë e Vushtrri, gjatë të cilit vritet konsulli rus në Mitrovicë.

1907: Udhëheq kryengritjen kundër Shemsi Pashës, i cili pas luftimeve të ashpra depërton në Prekaz dhe e djeg kullën e tij.

1907- 1908: I arrestuar në pabesi, syrgjynoset në Canakkala, prej nga largohet pas Revolucionit Xhonturk.

1910: Merr pjesë në Luftën e Carralevës. Aty plagoset në dorën e djathtë dhe nga ai moment dora e tij e humbet ekuilibrin e domosdoshëm për përdorimin e pushkës.

1912( 5 maj): Hasan Prishtinën ia beson fillimin e Kryengritjes së Përgjithshme Antiosmane.

1912 ( Nëntor)- Kundërshton marrëveshjen e krerëve të Drenicës me konsullin serb në Prishtinë për kalimin pa rezistencë të ushtrisë serbe nëpër Drenicë gjatë okupimit të Kosovës prej saj. Serbët, pasi e pushtojnë pa luftë Drenicën, i thërrasin krerët dhe bajraktarët e Drenicës në Vushtrri, gjoja për ta formalizu marrëveshjen. Të gjithë i pushkatojnë. Me të marrë vesh lajmin, kthehet në Prekaz, pasi më parë ishte nisur me Isa Boletinin drejt Shqipërisë.

1912( 25 dhjetor): bie në betejë duke luftuar me sopatë kundër paramilitarëve serbë që kishin sulmu Prekazin. Ushtria serbe ia merr trupin, për t'ia zhdukur më pas.

__________

Ka diçka romantike tek dukuria e brymës. Mbase kjo lidhet me faktin se është krijim i netëve të ftohta të dimrit, figura e të cilave është aq  e dashur për imagjinatën romantike. Në qetësinë e këtyre netëve, acari, por si një artist i vërtetë, i merr avujt kaotik të tokës, u jep formën e kristaleve dhe me to e veshë vegjetacionin e shkretuar nga fuqitë shkatërruese të vjeshtës. Një tablo funebre, por e bukur. Si shumica e tablove të artit romantik. Një funeral dinjitoz i këtyre fuqive për viktimat e tyre, bimët e verës së kaluar. Por ndjesia e trishtë romantike, të cilin na e shkakton bryma, nuk lidhet vetëm me anën vizuale të saj. Lidhet edhe me brendinë semantike të emrit të saj. Fjala shqipe “brymë” vjen nga fjala latine “bruma”, e cila vetë është e lidhur me fjalën tjetër të latinishtes “brevis”. Brevis do të thotë e shkurtër, diçka që zgjatë fare pak. Si vetë kristalet e brymës që, me të kaluar nata e ftohtë që u dha jetë, zhduken nga ngrohtësia parë e ditës. Si vetë jeta njerëzore që zgjatë sa këto kristale në rrjedhën e metafizike të kohës. Të kohës që si kronosi mitik gëlltitë gjithçka.

__________

Kur ke thëngjill me sasi të pafundme dhe s’ke mend, ose thënë ndryshe mendjen ta kontrollojnë dhe dirigjojnë lobuesit e mafias energjetike të maskuar si ekspertë të energjisë së gjelbërt, atëherë vjen në situatën kur duhet të paguash fatura energjie që të shkaktojnë dhimbje të forta koke. Po të kishim mend dhe po ta donim vërtetë këtë vend, sot Kosova do ta kishte termoncentralin e ri, i cili do të prodhonte energji edhe për eksport. Po kur ke debilla dhe matrapazë në vendimmarrje, atëherë je i destinuar të vuash dhe të mos shohësh kurrë një ditë të lume.

__________

Një vend ku politika në vend të programeve të matshme e konkrete të qeverisjes, ofron shpresa mesianike, pra shpresa për zgjidhje finale, absolute, të problemeve të jetës individuale dhe të shoqnisë,  një ditë, pashmangshëm, ka me u përballë me zhgënjim mesianik, e ky zhgënjim mesianik natyrshëm ka me prodhu një dëshirë mesianike, dëshirën për eksod.

__________

Deri në vitet '70 të shekullit të kaluar Kulla e Sahatit, e ndërtuar në vitin 1840, ishte ngrehina më e lartë në Tiranë. Pastaj këtë status e mori 15 katëshi, hoteli më i lartë që komunizmi kishte ngritur në gjithë Shqipërinë në 45 vjet të sundimit të tij. Varfërisë urbane të trashëguar nga shekujt otomanë dhe të vazhduar nga autarkizmi komunist, gjatë viteve '90 iu shtuan pisllëku e kaosi i prodhuar nga tranzicionit i vështirë prej diktaturës staliniste në demokracinë liberale. Tani, pas pothuajse tri dekadash, Tirana po jep shenjat e një transformimi të madh estetik dhe urban. Dhe ky transformim, parasegjithash, është shprehje e një fakti thelbësor: Tirana sot është kryeqyteti i shtetit më sekular dhe më properëndimor në krejt Ballkanin. Asnjë shtet tjetër i këtij rajoni nuk mund të maten me të në këtë punë.

__________

Polici i Kosovës në mëngjesin e 24 shtatorit në Banjskë. Kjo është fotografia që shënon memorien e këtij viti që po shkon. Bashkë me emrin e heroit të asaj dite, Afrim Bunjakut. Të tjerat shpejt kanë për t'u lanë në pamëshirën e harresës.

__________

Familjen dhe miqtë i ka larg. Mijëra kilometra larg. Matanë Oqeanit. Dhe gëzimin e natës së Krishtlindjes e të Vitit të Ri nuk do ta ndaj në praninë e tyre. Sepse duhet të bëj roje mes maleve me borë, në kufirin e Kosovës me Serbinë. Ky është ushtari amerikan. Simbol i lirisë dhe i paqes së kësaj toke. Kësaj toke që, si për dreq, di edhe të nxjerr zëra të shëmtuar kundër kësaj uniforme.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora