E diele, 28.04.2024, 03:57 AM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Kujtesë në një natë të acartë janari

E diele, 21.01.2024, 08:54 PM


Blerim Latifi:

Kujtesë në një natë të acartë janari

Deri vonë në shumë katunde të Kosovës ka ekzistu një ritual i vjetër sa vetë historia njerëzore. Quhej "Nata e tutjes së pemëve". Në një natë të acartë, si kjo e sontmja, burrat ngriheshin, merrnin sopatat dhe shkonin nga njëra pemë tek tjetra duke i kërcënuar se do t'i prisnin nëse nuk do të jepnin fryte verën e ardhshme.

Në qendër të këtij rituali pagan ishte dialogu midis dy burrave. Njëri prej tyre performonte kërcënimin "A ke me bá fryte, a t'preva?". Tjetri performonte mbrojtësin e pemës: "Mos e prej, se ka me bá".

Dieta e shoqnive agrare ishte e lidhur fort me frytet e pemëve dhe kjo reflektohej përmes ritualeve të tilla si kjo.

Sot, si pasojë e modernizimit të rrufeshëm të shoqnisë, këto rituale janë zhdukur e pothuajse harruar krejt, ndërsa frytet e pemëve nëpër katundet e zbrazura të Kosovës kalben në tokën e ngrime nga acari, ngase nuk gjendet kush që t'i vjel ato.

_________

Bie çatia e objektit të Komunës së Prishtinës në lagjen Arbëria. Fakti se kjo nuk ndodhi për shkak të ndonjë ere të fuqishme, tregon se ky objekt i ndërtuar tash vonë, është ndërtuar shkel e shko. Si shumica e ndërtesave të tjera publike dhe pallateve të banimit. Njerëzit që marrin vesh nga kjo punë thonë se shumica e ndërtimeve të larta të pasluftës janë bërë pa marrë parasysh llogaritjet sizmike, pra llogaritjet e qëndrueshmërisë në rastet e tërmeteve. Fatmirësisht zona e Prishtinës nuk është zonë me shkallë të lartë sizmike, se përndryshe një tërmet si ata që ndodhin në Japoni ose Turqi, do ta kthente gjithë qytetin në një gërmadhë masive. Por fati i mirë i ardhur nga kjo rastësi gjeologjike nuk do të thotë se është i garantuar edhe në të ardhmen. Vetëm pak kilometra në jug të Prishtinës ndodhen rrënojat e Ulpianës, qytetit madhështor të Dardanisë, për të cilin interesohej edhe Roma e perandorit Trajan dhe Konstandinopoja e Justinianit. Të dhënat historike thonë se fati i këtij qyteti u vulos nga disa tërmete fatale dhe njerëzit që e braktisën, u zhvendosën aty ku sot ndodhet Prishtina. Prishtina e 1001 ndërtesave që qëndrojnë në këmbë vetëm falë "mëshirës së natyrës".

_________

T'i takosh vetvetes, pra të mos jesh rob ; të jesh zot në atdheun tand, në tokën e të parëve tu - ky ka qenë dhe mbetet një nga përcaktimet ma themelore të lirisë njerëzore. E mes burrave e grave që gjatë historisë ia kanë dedikuar jetën këtij përcaktimi, shkëlqen emri i Gjergj Kastriotit, kreshnikut të pathyeshëm që i nxorri shqiptarët nga anonimiteti i historisë, i bëri popull historik dhe e nguliti përgjithmonë emrin e Shqipnisë në hartën e Europës.

_________

Tipi paguhet prej taksave të qytetarëve për t'u marrë me punët e shtetit, të cilat janë për faqe të zezë, ndërkaq ai merret me probleme të komplikuara të historiografisë dhe propagandë talibaneske. T'i thuash i papërgjegjshëm është pak. Jo, mendoj se kemi të bëjmë me një hajvan në kuptimin klasik të fjalës. Dhe pastaj çuditemi pse njerëzit e këtij vendi kanë bërë gati valixhet për të ikur një orë e më parë nga ky vend. Sepse si të mos ikësh kur në krye ke tipa që veç në Kabul i gjenë.

_________

Qysh të definohet njeriu, si ky zv. Vokrri, që pasi ka studiu mjekësi deklarohet me plot vetëbesim për çështjet e historisë së mesjetës, për të cilat edhe historianët më të njohur në botë shprehen me rezerva kritike?

Sille kah te sillsh veç një fjalë kryen punë: budallë. Sepse, siç thotë Russell, budalltë janë plot vetëbesim, ndërsa të diturit plot me dyshime.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora