| E diele, 21.01.2024, 08:54 PM |
Blerim Latifi:
Kujtesë
në një natë të acartë janari
Deri
vonë në shumë katunde të Kosovës ka ekzistu një ritual i vjetër sa vetë
historia njerëzore. Quhej "Nata e tutjes së pemëve". Në një natë të
acartë, si kjo e sontmja, burrat ngriheshin, merrnin sopatat dhe shkonin nga
njëra pemë tek tjetra duke i kërcënuar se do t'i prisnin nëse nuk do të jepnin
fryte verën e ardhshme.
Në
qendër të këtij rituali pagan ishte dialogu midis dy burrave. Njëri prej tyre
performonte kërcënimin "A ke me bá fryte, a t'preva?". Tjetri
performonte mbrojtësin e pemës: "Mos e prej, se ka me bá".
Dieta
e shoqnive agrare ishte e lidhur fort me frytet e pemëve dhe kjo reflektohej
përmes ritualeve të tilla si kjo.
Sot,
si pasojë e modernizimit të rrufeshëm të shoqnisë, këto rituale janë zhdukur e
pothuajse harruar krejt, ndërsa frytet e pemëve nëpër katundet e zbrazura të
Kosovës kalben në tokën e ngrime nga acari, ngase nuk gjendet kush që t'i vjel
ato.
_________
Bie
çatia e objektit të Komunës së Prishtinës në lagjen Arbëria. Fakti se kjo nuk
ndodhi për shkak të ndonjë ere të fuqishme, tregon se ky objekt i ndërtuar tash
vonë, është ndërtuar shkel e shko. Si shumica e ndërtesave të tjera publike dhe
pallateve të banimit. Njerëzit që marrin vesh nga kjo punë thonë se shumica e
ndërtimeve të larta të pasluftës janë bërë pa marrë parasysh llogaritjet
sizmike, pra llogaritjet e qëndrueshmërisë në rastet e tërmeteve. Fatmirësisht
zona e Prishtinës nuk është zonë me shkallë të lartë sizmike, se përndryshe një
tërmet si ata që ndodhin në Japoni ose Turqi, do ta kthente gjithë qytetin në
një gërmadhë masive. Por fati i mirë i ardhur nga kjo rastësi gjeologjike nuk
do të thotë se është i garantuar edhe në të ardhmen. Vetëm pak kilometra në jug
të Prishtinës ndodhen rrënojat e Ulpianës, qytetit madhështor të Dardanisë, për
të cilin interesohej edhe Roma e perandorit Trajan dhe Konstandinopoja e
Justinianit. Të dhënat historike thonë se fati i këtij qyteti u vulos nga disa
tërmete fatale dhe njerëzit që e braktisën, u zhvendosën aty ku sot ndodhet
Prishtina. Prishtina e 1001 ndërtesave që qëndrojnë në këmbë vetëm falë
"mëshirës së natyrës".
_________
T'i
takosh vetvetes, pra të mos jesh rob ; të jesh zot në atdheun tand, në tokën e
të parëve tu - ky ka qenë dhe mbetet një nga përcaktimet ma themelore të lirisë
njerëzore. E mes burrave e grave që gjatë historisë ia kanë dedikuar jetën
këtij përcaktimi, shkëlqen emri i Gjergj Kastriotit, kreshnikut të pathyeshëm
që i nxorri shqiptarët nga anonimiteti i historisë, i bëri popull historik dhe
e nguliti përgjithmonë emrin e Shqipnisë në hartën e Europës.
_________
Tipi
paguhet prej taksave të qytetarëve për t'u marrë me punët e shtetit, të cilat
janë për faqe të zezë, ndërkaq ai merret me probleme të komplikuara të
historiografisë dhe propagandë talibaneske. T'i thuash i papërgjegjshëm është
pak. Jo, mendoj se kemi të bëjmë me një hajvan në kuptimin klasik të fjalës.
Dhe pastaj çuditemi pse njerëzit e këtij vendi kanë bërë gati valixhet për të
ikur një orë e më parë nga ky vend. Sepse si të mos ikësh kur në krye ke tipa
që veç në Kabul i gjenë.
_________
Qysh
të definohet njeriu, si ky zv. Vokrri, që pasi ka studiu mjekësi deklarohet me
plot vetëbesim për çështjet e historisë së mesjetës, për të cilat edhe
historianët më të njohur në botë shprehen me rezerva kritike?
Sille
kah te sillsh veç një fjalë kryen punë: budallë. Sepse, siç thotë Russell,
budalltë janë plot vetëbesim, ndërsa të diturit plot me dyshime.