Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Kjo është historia, pasojat e të cilës vazhdojmë t'i paguajmë edhe sot
E enjte, 14.03.2024, 10:00 PM
KJO ËSHTË HISTORIA, PASOJAT E TË CILËS VAZHDOJMË T’I PAGUAJMË EDHE SOT
NGA
PROF. BLERIM LATIFI
Viti
1557. Perandoria Osmane, nën drejtimin e Sulltan Sulejmanit, vazhdon të sulmojë
në drejtim të Europës Katolike. Trupat osmane kanë zaptuar pjesën më të madhe
të Hungarisë dhe kanë arritur deri tek muret e Vjenës. Kisha Katolike në
Ballkan, e shtrirë tek popullata arbnore (shqiptare), vazhdon të ushqejë
shpresat për një kundërofensivë europiane në Rumeli. Për këtë qëllim Roma
urdhëron Arqipeshkvin e Tivarit, Xhovano Bruni, që të udhëtojë drejt
territoreve shqiptare të pushtuara nga osmanët, në një mision politik e fetar.
Pjesë e këtij udhëtimi është ndalimi në Kishën e Laçit, e cila ishte kthyer
pothuajse në gërmadhë, si pasojë e luftërave të gjata shqiptaro-osmane të
Shekullit 15. Bruni ka për mision të ringrejë kishën, e cila nga ai moment i
dedikohet Shën Antonit të Padovës. Pllaka ku ishte shkruar emri i tij do të
ruhej për 410 vjet, derisa nuk u shkatërrua nga komunistët në vitin 1967.
Pjesë
e misionit të Brunit ishte edhe Kosova. Siç shkruan Noel Malcom në librin e tij
“Agjentë perandorakë”, në vitin 1587, në një relacion që katolikët e Kosovës i
dërgonin Romës, tregohej se në kohën e Xhovano Brunit ata ishin ndjerë të
ngushëlluar ngase ai u kishte dërguar shumë famullitarë dhe se ai kishte qenë
shpresa e tyre e vetme dhe kanali i vetëm i komunikimit të tyre më Romën dhe se
ky komunikim kishe rënë pothuajse krejt pas vdekjes së tij.
Gati
gjysmë shekulli pas vdekjes së Brunit, pra rreth vitit 1620, kur një prift
katolik ndërmori një vizitë ne trevat e Kosovës, ai e gjeti ende të gjallë
kujtimin për Brunin në mesin e katolikëve të Kosovës. Ai shkruante në
relacionin e tij se kishte parë portretin e Brunit të vizatuar në muret e
kishave të tyre.
Për
ta luftuar këtë përpjekje të Romës, Sulltani zgjedh një mjet religjioz. Përmes
kryevezirit të tij, serbit Mehmet Pashë Sokoloviqit, ai e rithemelon Kishën
Ortodokse Serbe, me qendër në Pejë. Në krye të saj vendoset vëllau i
Sokoloviqit, Makarije Sokoloviqi. Territori mbi të cilin i njihet autoriteti
ekskluziv kësaj kishe përfshinte gjithë territorin e Serbisë e sotme, të Malit
të Zi të sotëm, të Kosovës, të Bosnjës dhe Hercegovinës, gjysmën e Maqedonisë
së sotme, një pjesë të Rumanisë së sotme, të Hungarisë së sotme dhe gjysmën e
bregdetit të sotëm kroat. Ideja e Serbisë së Madhe zë fill në këtë hartë.
Dhënia
e gjithë këtij territori Kishës Ortodokse Serbe kishte një arsye të qartë
politike : Kjo Kishë, e drejtuar nga vëllau i Sokoloviqit, do të luftonte
përkah Perandorisë Osmane kundër përpjekjeve të shteteve katolike europiane për
të ndikuar në Ballkan.
Për
200 vitet e ardhshme, me mbështetjen e Stambollit, Kisha Ortodokse Serbe do të
arrinte lulëzimin e saj më të madh në histori. Manastiret e vjetëra do të
rindërtoheshin, kisha të tjera do të ngriheshin dhe, njëkohësisht, katolikëve
do t’u merreshin edhe ato pak kisha që u kishin mbetur. Po të mos ishin etërit
françeskanë, katolicizmi shqiptar do të zhdukej krejtësisht si pasojë e
presionit dhe represionit nga aleanca ortodokso-otomane.
Rreth
mesit të Shekullit 18 (1750) Kisha Ortodokse Serbe e humbet autoqefalinë dhe
vendoset nën pushtetin e Patriarkanës së
Stambollit. Perandoria Osmane, e dobësuar nga luftërat e pandërprera me
fuqitë europiane dhe me Rusinë, përherë e më pak ka mjete për t’i ruajtur
kishat ortodokse, sidomos ato në territorin e Kosovës. Që ato të shpëtoheshin
nga rrënimi, Stambolli bën marrëveshje me fiset shqiptare në Kosovë, të cilave
u besohet ruajtja e këtyre kishave në këmbim të pagesave të rregullta. Kjo
marrëveshje do të funksionojë deri në vitin 1912 kur Kosova pushtohet nga
Serbia. Pra plot 160 vjet.
Ato
fotografitë e fillimeve të Shekullit 20 në të cilat shihen shqiptarë të
armatosur para Manastirit të Deçanit janë dëshmia e fundit vizuele e kësaj
marrëveshje. Ideja se shqiptarët i ruajtën manastiret ortodokse ngase i
konsideronin si kisha të tyre, është thjesht një gënjeshtër. I ruajtën sepse
paguheshin për këtë punë. Ndërkaq, kishat katolike që nuk e gëzonin këtë
privilegj osman, u braktisën, u lanë në mëshirë të kohës dhe sot kujtesa për to
jeton vetëm në toponiminë popullore dhe në ndonjë gërmadhë të mbuluar nga dheu
e vegjetacioni.
Kjo
është historia, pasojat e të cilës vazhdojmë t’i paguajmë edhe sot.