Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Guxim ndaj njerëzve të kulturës, frikë nga vehabistët!
E merkure, 21.02.2024, 08:58 PM
Prof. Blerim Latifi:
Qenkan
çue një grumbull akademikësh e publicistësh dhe e paskan nënshkru një peticion,
përmes të cilit u paskan kërku mediave që të mos u japin hapësirë
pellazgologëve, të cilët gjoja qenkan duke i bërë dëm të madh kulturës dhe
gjuhës shqipe me teoritë e tyre joshkencore mbi origjinën e kësaj gjuhe.
Ja
më në fund u gjet shkaku madhor i problemeve tona kombëtare!
Rrjedhimisht
edhe zgjidhja: t'u ndalohet liria e shprehjes këtyre teorive!
Eh,
sa shumë kemi vuajtur derisa këta të përndritur arritën deri te ky "zbulim
epokal".
Sa
me fat jemi si brez që ia arritëm kësaj dite të lume.
Po
ta lëmë anash ironinë. Të jemi të drejtpërdrejtë. Shumica e këtyre akademikëve
e publicistëve kurrë nuk e kanë thënë një fjalë të vetme kundër agresionit
sistematik të vahabizmit, i cili tash e sa dekada po bëhet kundër gjuhës,
kulturës dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve.
I
kanë mbyllur sytë e veshët para haxhiqamilizmit të Shekullit 21, para kësaj
kolere që kombin shqiptar kërkon ta tërheq prapa në baltën dhe mjerimim e të
kaluarës, tani kur po bëhet gati të bëhet edhe me letra pjesë e Qytetërimit
perëndimor.
I
kanë mbyllur sytë e veshët, sepse janë frikacakë e mjeranë, që nga mosguximi
t'i dalin përpara haxhiqamilizmit të ditëve tona, tregojnë trimëri me ca njerëz
të pafuqishëm, të cilët nuk kanë prapa falanga fashiste digjitale (siç kanë
haxhiqamilët) dhe të cilët, në fund të fundit, nuk i bëjnë as dëm e as dobi
albanologjisë.
I
sulen me guxim vigani një gruaje si Elena Kocaqi, ndërsa kur u del përpara një
taleban si Ahmet Kalaja, ikin si pulat prej skyfterit.
Mjerë
pra kombi shqiptar e mjerë gjuha shqipe nëse ka ardhur puna që të merret në
mbrojtje prej këtyre frikacakëve.
Për
fund më duhet të jem i qartë edhe në këtë pikë: Unë personalisht nuk mendoj se
hipoteza pellazgjike duhet të merret seriozisht, por kërkesa që mediat t'i
ndalojnë tregimet rreth saj, në kohën kur askush nga këta akademikë e
publicistë nuk merr guximin ta bëj një kërkesë ndalimi për vahabizmin brutal
antishqiptar që ka pushtuar mediat shqiptare, më duket esencialisht hipokrite
dhe e neveritshme.