Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Babë e bir në shërbim të kombit
E marte, 20.02.2024, 08:58 PM
Prof. Blerim Latifi:
35
vite më parë 1 mijë e 300 minatorë të Trepçës do të futeshin në grevën e madhe
në galeritë e nëndheshme të saj. Për të protestuar kundër suprimimit të
autonomisë së Kosovës nga Serbia. Nuk ishte parë kurrë një gjë e tillë më parë.
Shteti jugosllav filloi të dridhej. Mobilizimi kosovar ishte i menjëhershëm dhe
total. Për tetë ditë më rradhë e vetmja çështje për të cilën flitej e mendohej
nga të gjithë, ishin minatorët. Pamjet që vinin nga poshtë galerive ishin
elektrizuese. Fytyrat e minatorëve të lodhur nga uria na shëmbëllenin me fytyra
shenjtorësh. Ata ishin heronjtë tanë. Ne ne klasë e kishim një shok, i cili e
kishte babën e tij në mesin e këtyre heronjëve. Ia kemi zili që ishte i biri i
një minatori. Çfarë privilegji të ishte fëmijë i një heroi!
Pas
tetë ditësh, përmes sa e sa mikanacionesh e mashtrimesh, minatorët dolën nga
galeritë e Trepçës. Dolën me një premtim, të cilin nuk ua mbajtën përfaqësuesit
e regjimit. Në vend të mbajtjes së premtimit, minatorët u përballen me
persekutimin dhe dhunën brutale të policisë jugosllave. Shumë prej tyre u
torturuan mizorisht. Në mesin e tyre
edhe baba i shokut tonë.
Nëntë
vite më pas, ndonëse në moshë të shtyrë, ai rroku pushkën dhe iu bashkua
Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me 23 shtator të vitit 1998 bie dëshmor i
lirisë në ballafaqim të drejtpërdrejtë me ushtarët serbë në Malin Gamna të
Galicës, pikërisht në vendin ku me 14 korrik 1924 ishte plagosur për vdekje
Azem Bejta. Çfarë koincidence! Ishte në moshën 64 vjeçare. Emri i tij është
Muharrem Misimi.
Sot
i biri i tij dhe shoku ynë bën roje në kufijtë veriorë të Kosovës, si pjesë e
njësive speciale të Policës së Republikës së Kosovës. E quajnë Arsim Misimi.
Ka
shumë familje në këtë vend që brez pas brezi kanë dhanë gjithçka për lirinë e
tij dhe sot ne fare pak i njohim e i respektojmë. Sepse helmi i mosmirënjohjes
na i ka helmuar mendjet dhe zemrat.