E merkure, 01.05.2024, 10:14 AM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Hyjnizimi i jetës njerëzore

E enjte, 21.03.2024, 08:57 PM


Prof. Blerim Latifi:

Dje, derisa po shetisja në katund dhe po shijoja rrezet e para të diellit pranveror dhe pamjen e bimësisë së sapoçelur, m'u kujtua njëri ndër tregimet ma të bukura të mitologjisë antike, tregimi mbi fatin e Persefonës.

Ajo ishte e bija e bukur e Demetrës, perëndeshës së tokës. Fjala "demetër" do të thotë "nana tokë". Persefona bashkë me nanën e saj kujdesishin për bimësinë dhe frytet e saj. Nga forca e tyre gjithçka mbi tokë merrte gjallëri. Një ditë vajza e bukur u rrëmbye nga Hadi, zoti i nëntokës dhe u mbyll në mbretninë e tij. Si pasojë bimët u thanë dhe e gjithë natyra u shkretua. Demetra iu ankua Zeusit, i cili i kërkoi Hadit që të kthente Persefonën mbi tokë. Hadi refuzoi dhe pas shumë grindjesh Zeusi dhe ai bënë një kompromis: gjashtë muaj Persefona do të qëndronte mbi tokë dhe gjashtë të tjerë nën tokë. Kur ajo dilte mbi tokë, natyrës i kthehej gjallërimi, lulëzimi dhe gëzimi i jetës. Ndërkaq, kur vinte koha për t'u kthyer në mbretninë e nëntokës, gjithçka vyshkej dhe natyra shkretohej.

Me këtë mit të arealit kulturor greko-iliro-latin është e lidhur ndarja antike e vitit stinor në dy pjesë, në gjashtë muaj verë dhe gjashtë muaj dimër. P.sh. "Dita e Verës", që ende festohet në Elbasan, na e kujton këtë kalendar të lashtë. Ashtu siç na e kujton edhe ndarja tjetër me elemente kristiane, ajo për verën që fillon në Shën Gjergj dhe përfundon në Sh'Mitër dhe dimrin që fillon në Sh'Mitër e soset në Shën Gjergj.

Edhe pas mijëra vitesh Lashtësia vazhdon të na mahnis me imagjinatën e saj poetiko- mitike. Dhe kjo ka një shpjegim të qartë: në thelb të kësaj imagjinate qëndron glorifikimi e hyjnizimi i jetës njerëzore, i gëzimeve të saj, i të bukurës, i natyrës dhe ngjyrave të saj. Janë pikërisht këto gjëra për të cilat njeriu ka nevojë gjithmonë. Njeriu i të gjitha kohëve dhe i të gjitha epokave.

__________

E gjeta rastësisht mes faqeve të një libri. Një ftesë e vitit 2001 nga IOM, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin, e cila pas luftës ishte angazhuar në mbështetje të ish-luftëtarëve të UÇK-së përmes përfshirjes në programe të ndryshme sociale dhe ekonomike.

Më kujtohet se pasi kisha ardhur nga Prishtina në Prekaz ku e gjeta këtë ftesë që ma kishin dërguar, e mora atë dhe shkova në zyrën e IOM në Skënderaj ku u thashë se unë isha student në Prishtinë dhe nuk mund të bëhesha pjesë e programit agrikulturor që parashihej në ftesë.

Atëherë përgjegjësi i zyrës, një francez, me aq sa më kujtohet, më mori të dhënat, i shënoi në një formular dhe më tha që me të të lajmërohem në zyrën e IOM në Fakultetin Filologjik të UP-së. Për studentët, ish-ushtarë të UÇK- së, kemi një program bursash, tha.

Ajo bursë gjashtëmujore ka qenë i pari dhe i fundit përfitim që kam pasur nga kontributi im në luftë. Sepse kurrë nuk kam kërkuar asgjë në emër të tij.

__________

Viti 1878. Kosova është e trazuar. Mijëra shqiptarë të dëbuar nga Toplica prej ushtrisë serbe, gjejnë strehim në Kosovë. Këta të dëbuar i quajnë muhaxhirë. Termi turk për refugjatët. Një ditë një grup prej tyre, në shenjë hakmarrje për atë që u kishin bërë serbët në Toplicë, vendosin ta djegin Manastirin e Deçanit. Rojtari i Manastirit Rrustë Alia i lëshon kushtrimin fisit Gash dhe shpejt dhjetëra shqiptarë të armatosur barrikadohen brenda Manastirit për ta mbrojtur atë me luftë. Igumeni i Manastirit nuk është i sigurtë se mbrojtja e armatosur do të ketë sukses, prandaj vë në veprim një metodë tjetër për t'ia arritur qëllimit. I jep Rrustë Alisë 100 lira turke, një sasi kafeje dhe i thotë të shkojë t'ua japë këto "dhurata" prijësve të turmës që e kishte rrethuar Manastirin. Metoda funksionon. Turma ulë armët dhe rrethimi hiqet. Rasti më i rëndë në historinë 160 vjeçare të ruajtjes së Manastirit të Deçanit nga fisi Gash, përfundon pa gjakderdhje mes shqiptarësh.

__________

Donjeta Sadiku fiton normën e parë olimpike në histori të boksit të Kosovës.

Edhe një sukses i vajzave të Kosovës në garat ndërkombëtare.

Këto pra janë gratë e Kosovës: jashtë Kosovës shkëlqejnë, i sjellin medalje vendit të tyre, e nderojnë vendin e tyre, ndërsa brenda vendit i diskriminojnë, i shtypin, ua mbulojnë fytyrën, i rrahin e i vrasin.

Kjo është shoqëria kosovare sot: një shoqëri e grave të suksesshme dhe e burrave dështakë.

__________

Vetëm popujt e ngopur kanë qenë në gjendje të prodhojnë dituri, shkencë, filozofi, art, kulturë dhe humanizëm. I urituri nuk mundet as të mendojë për këtë gjëra, e lëre më t'i krijojë ato. As mendja, as shpirti, as trupi, e as humanizmi nuk ndihmohen dot nga barku bosh. Përkundrazi, veç destabilizohen dhe përçudnohen. Por ç'e do kur iluzionet ngriten në sistem operativ dhe zëri i të vërtetës mbytet nga zhurma e gjithanshme e prodhuar nga makineria e këtij sistemi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora