| E enjte, 21.03.2024, 08:57 PM |
Prof. Blerim Latifi:
Dje,
derisa po shetisja në katund dhe po shijoja rrezet e para të diellit pranveror
dhe pamjen e bimësisë së sapoçelur, m'u kujtua njëri ndër tregimet ma të bukura
të mitologjisë antike, tregimi mbi fatin e Persefonës.
Ajo
ishte e bija e bukur e Demetrës, perëndeshës së tokës. Fjala "demetër"
do të thotë "nana tokë". Persefona bashkë me nanën e saj kujdesishin
për bimësinë dhe frytet e saj. Nga forca e tyre gjithçka mbi tokë merrte
gjallëri. Një ditë vajza e bukur u rrëmbye nga Hadi, zoti i nëntokës dhe u
mbyll në mbretninë e tij. Si pasojë bimët u thanë dhe e gjithë natyra u
shkretua. Demetra iu ankua Zeusit, i cili i kërkoi Hadit që të kthente
Persefonën mbi tokë. Hadi refuzoi dhe pas shumë grindjesh Zeusi dhe ai bënë një
kompromis: gjashtë muaj Persefona do të qëndronte mbi tokë dhe gjashtë të tjerë
nën tokë. Kur ajo dilte mbi tokë, natyrës i kthehej gjallërimi, lulëzimi dhe
gëzimi i jetës. Ndërkaq, kur vinte koha për t'u kthyer në mbretninë e nëntokës,
gjithçka vyshkej dhe natyra shkretohej.
Me
këtë mit të arealit kulturor greko-iliro-latin është e lidhur ndarja antike e
vitit stinor në dy pjesë, në gjashtë muaj verë dhe gjashtë muaj dimër. P.sh.
"Dita e Verës", që ende festohet në Elbasan, na e kujton këtë
kalendar të lashtë. Ashtu siç na e kujton edhe ndarja tjetër me elemente
kristiane, ajo për verën që fillon në Shën Gjergj dhe përfundon në Sh'Mitër dhe
dimrin që fillon në Sh'Mitër e soset në Shën Gjergj.
Edhe
pas mijëra vitesh Lashtësia vazhdon të na mahnis me imagjinatën e saj poetiko-
mitike. Dhe kjo ka një shpjegim të qartë: në thelb të kësaj imagjinate qëndron
glorifikimi e hyjnizimi i jetës njerëzore, i gëzimeve të saj, i të bukurës, i
natyrës dhe ngjyrave të saj. Janë pikërisht këto gjëra për të cilat njeriu ka
nevojë gjithmonë. Njeriu i të gjitha kohëve dhe i të gjitha epokave.
__________
E
gjeta rastësisht mes faqeve të një libri. Një ftesë e vitit 2001 nga IOM,
Organizata Ndërkombëtare për Migracionin, e cila pas luftës ishte angazhuar në
mbështetje të ish-luftëtarëve të UÇK-së përmes përfshirjes në programe të
ndryshme sociale dhe ekonomike.
Më
kujtohet se pasi kisha ardhur nga Prishtina në Prekaz ku e gjeta këtë ftesë që
ma kishin dërguar, e mora atë dhe shkova në zyrën e IOM në Skënderaj ku u
thashë se unë isha student në Prishtinë dhe nuk mund të bëhesha pjesë e
programit agrikulturor që parashihej në ftesë.
Atëherë
përgjegjësi i zyrës, një francez, me aq sa më kujtohet, më mori të dhënat, i
shënoi në një formular dhe më tha që me të të lajmërohem në zyrën e IOM në
Fakultetin Filologjik të UP-së. Për studentët, ish-ushtarë të UÇK- së, kemi një
program bursash, tha.
Ajo
bursë gjashtëmujore ka qenë i pari dhe i fundit përfitim që kam pasur nga
kontributi im në luftë. Sepse kurrë nuk kam kërkuar asgjë në emër të tij.
__________
Viti
1878. Kosova është e trazuar. Mijëra shqiptarë të dëbuar nga Toplica prej
ushtrisë serbe, gjejnë strehim në Kosovë. Këta të dëbuar i quajnë muhaxhirë.
Termi turk për refugjatët. Një ditë një grup prej tyre, në shenjë hakmarrje për
atë që u kishin bërë serbët në Toplicë, vendosin ta djegin Manastirin e
Deçanit. Rojtari i Manastirit Rrustë Alia i lëshon kushtrimin fisit Gash dhe
shpejt dhjetëra shqiptarë të armatosur barrikadohen brenda Manastirit për ta
mbrojtur atë me luftë. Igumeni i Manastirit nuk është i sigurtë se mbrojtja e
armatosur do të ketë sukses, prandaj vë në veprim një metodë tjetër për t'ia
arritur qëllimit. I jep Rrustë Alisë 100 lira turke, një sasi kafeje dhe i
thotë të shkojë t'ua japë këto "dhurata" prijësve të turmës që e
kishte rrethuar Manastirin. Metoda funksionon. Turma ulë armët dhe rrethimi
hiqet. Rasti më i rëndë në historinë 160 vjeçare të ruajtjes së Manastirit të
Deçanit nga fisi Gash, përfundon pa gjakderdhje mes shqiptarësh.
__________
Donjeta
Sadiku fiton normën e parë olimpike në histori të boksit të Kosovës.
Edhe
një sukses i vajzave të Kosovës në garat ndërkombëtare.
Këto
pra janë gratë e Kosovës: jashtë Kosovës shkëlqejnë, i sjellin medalje vendit
të tyre, e nderojnë vendin e tyre, ndërsa brenda vendit i diskriminojnë, i
shtypin, ua mbulojnë fytyrën, i rrahin e i vrasin.
Kjo
është shoqëria kosovare sot: një shoqëri e grave të suksesshme dhe e burrave
dështakë.
__________
Vetëm
popujt e ngopur kanë qenë në gjendje të prodhojnë dituri, shkencë, filozofi,
art, kulturë dhe humanizëm. I urituri nuk mundet as të mendojë për këtë gjëra,
e lëre më t'i krijojë ato. As mendja, as shpirti, as trupi, e as humanizmi nuk
ndihmohen dot nga barku bosh. Përkundrazi, veç destabilizohen dhe përçudnohen.
Por ç'e do kur iluzionet ngriten në sistem operativ dhe zëri i të vërtetës
mbytet nga zhurma e gjithanshme e prodhuar nga makineria e këtij sistemi.