Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Patriotizmi, shqiptarizmi dhe lufta e UÇK-së shahen e përbuzen
E diele, 19.05.2024, 06:59 PM
Prof. Blerim Latifi:
Kam
qenë i vogël, gjashtë vjeç. Nuk e di si ndodhi, por baba kishte një punë të
Mehajt dhe më mori me vete. Kaluam luginën që ndan Brahajt me Mehajt dhe kur u
ngjitëm në kodrën ku ndodhen shtëpitë e këtyre të fundit, përpara na u shfaq
një shtëpi e rrënuar. Të gjitha shtëpitë rreth saj ishin në rregu?l, vetëm ajo
qendronte mes tyre ashtu e kthyer në gërmadhë. Kjo e bënte të çuditshme dhe
paska të frikshme në imagjinatën time fëmijnore.
-
E kujt asht kjo shpi?- e pyeta babën.
-
E Tahir Mehes, më tha. - E pse asht kshtu e rrxume, e pyeta prapë. - Kur të
rritesh edhe pak e merr vesh, më tha. Përgjigja e tij enigmatike më bëri edhe
më kureshtar, por biseda jonë nuk vazhdoi më tutje. Kur u kthyem në shtëpi, ia
tregova nanës bisedën me babën. E ajo foli: - Je kanë i vogël, dy vjeç, e nuk e
mban mend. Tahir Meha bashkë me babën e vet kanë luftu tanë ditën me milicinë,
e në fund janë vra e nuk janë dorëzu. Sa pushka o shkrep' at' ditë, s'kom me
harru sa t'jem gjallë.
___________
Raporti
i këtij viti i “Reporterët pa kufij”: Liria e shtypit në gjashtë vendet e
Ballkanit perëndimor për faqe të zezë!
Kosova
shumë më keq se në vitin e kaluar. Kjo do të thotë se pretendimi se jemi
demokracia më funksionale në rajon është thjesht një mit.
Serbia
e Shqipëria edhe më keq se Kosova : në fund të pusit.
Presioni
sistematik ndaj lirisë së mediave flet qartë për dy gjëra themelore.
E
para : demokracia në Ballkanin perëndimor rrezikon seriozisht të humbas në
ballafaqimin e saj me autoritarizmin dhe plehun e tij diskursiv që quhet
populizëm.
E
dyta : presioni sistematik ndaj lirisë së mediave është treguesi më i qartë i
korrupsionit institucional dhe qeverisjeve të dështuara.
___________
E
ngarkuar me trashëgiminë e hidhur të nazizmit, Gjermania e pas vitit 1945
kishte zhvilluar një kulturë politike të pacifizmit total, duke dekurajuar
çdolloj shprehje të militarizmit. Në frymën e kësaj filozofë të njohur si
Jurgen Habermas kishin zhvilluar pikëpamjen për një lloj patriotizmi në
Gjermani të zhveshur nga çdo referencë historike e nacionale. Ky ishte i
ashtuquajturi patriotizmi kushtetues. Por tash gjërat duket të kenë ndryshuar
në një kah tjetër. Ditë më parë Bundestagu nxori një ligj me të cilin u vendos
të kremtohej Dita e Veteranëve, e cila u kushtohet gjithë atyre që kanë shërbyer
nën uniformën e Bundesverit. Qëllimi është krejtësisht i qartë: ringjallja e
ndjenjave patriotike tek qytetarët në kohën kur Europa kërcënohet nga
shpërthimi i luftërave të reja. Krejt kjo mbështetet mbi një fakt të
mirënjohur: në luftë nuk mjaftojnë vetëm armët e sofistikuara; duhet edhe
atdhedashuria. Të parat pa të dytën janë të padobishme, janë barot i lagur.
Kështu
ndodhë në botën normale, ndërkaq ,në vende si Kosova, ndodhë krejt ndryshe.
Këtu patriotizmi, shqiptarizmi, e lufta e UÇK- së shahen e përbuzen natë e ditë
nga turlifar budalle e snobi kozmpolit, saqë njerëzit kanë filluar edhe të kenë
drojë nga përmendja e tyre. Në një klimë të tillë shpirtnore një gjë është e
sigurtë: armët e botës me i pasë në dispozicion, kapitullon brenda ditës, që në
të shtënat e para. Sepse atdhedashuria është punë e shpirtit. Sepse,
parasegjithash, lufton shpirti, e jo hekuri i vdekur.
___________
Të vdesësh duke dëgjuar
muzikë
Në
vitin 79 pas Krishtit shpërthimi i vullkanit Vezuv do të varroste nën llavën e
tij dy qytete romake, Pompein dhe Herkulanumin. Do duhej të kalonin 1700 vjet
që këto dy qytete të zbuloheshin sërish nën shtresat masive të llavës së
ngurtësuar. Aso kohe gërmimet arkeologjike në Herkulanum do të nxirrnin në
dritë edhe një bibliotekë të pasur, e cila u emërtua "Vila e
papiruseve". Në të u zbuluan qindra rrotulla papirusesh, të cilat thjesht
u arkivuan dhe u harruan, ngase ashtu siç ishin, të shkrumbuara e të
ngurtësuara nga llava, nuk lexoheshin dot.
200
vjet më pas teknologjitë e reja e kanë ofruar mundësinë e leximit të tyre. Ditë
më parë shkencëtarët italianë bënë një zbulim interesant në këto papiruse të
shkrumbuara. Në mesin e tyre u gjet një histori e shkollës së Platonit, të
cilës ai i kishte dhënë emrin Akademia. Autori i historisë është Filodemi i
Gadarës, një filozof epikurean nga Athina që pjesën kryesore të jetës e kaloi
në Romë.
Në
tekstin e Filodemit tregohet një histori tjetër mbi vdekjen e Platonit, atit të
filozofisë perëndimore. Derisa dëshmitë e deritanishme japin dy versione mbi
vdekjen e Platonit, njëra që thotë se Platoni vdiq gjatë ahengut në një dasmë
dhe tjetra që thotë se Platoni vdiq në gjumë, Filodemi shkruan se Platoni vdiq
nga ethe të forta dhe gjatë orëve para vdekjes ai kërkoi që të dëgjonte muzikë.
Një grua thrakase u soll që të luante me flaut pranë shtratit të tij dhe
ndonëse po jepte shpirt, Platoni mblodhi fuqitë e fundit për ta kritikuar
flautisten për mungesë ritmi në pjesën që po luante. Pastaj u shua.
Tradita
e historisë së filozofisë e paraqet Platonin si një mendimtar që vuri në
pikëpyetje vlerën e arteve, por teksti i Filodemit na e paraqet Platonin në një
pamje të kundërt, si një mendimtar që sheh tek arti një terapi për dhimbjet e
jetës. Dhe në fakt arti gjithmonë e ka pasur edhe këtë rol për të na dhënë
forcë në përballimin e realitetit që na shtypë e torturon vazhdimisht.
Të
vdesësh duke dëgjuar muzikë- kjo duket të ketë qenë porosia e fundit e
Platonit. Një porosi që mban brenda vetes vlerësimin se përkundër dhimbjeve të
saj jeta është e bukur.
___________
Këtu
në një rrugicë, që lidhet me rrugën "UÇK", është një pikë e
grumbullimit të mbeturinave, e cila, siç i thonë fjalës, rrallë e për mallë
pastrohej. Bashkë me mbeturinat e konsumit të përditshëm që stivoheshin mbi
kontejnerë e rreth tyre, përditë rritej edhe një piramidë e mbeturinave inerte,
duke krijuar kështu një pamje sa të shëmtuar aq edhe të rrezikshme për
shëndetin e banorëve të rrugicës.
Në
ditët e fundit gjendja ka ndryshu krejtësisht. Një ekip i ri punëtorësh, që
duket se i përkasin komunitetit rom, të veshur me uniforma përkatëse dhe shumë
të zellshëm, po i heqin mbeturinat sapo bie nata. Edhe piramida e vjetër e
mbeturinave inerte është zhdukur dhe ambienti ka filluar te dezinfektohet
rregullisht. Duket se ndërhyrjet e fundit të komunës në sektorin e menaxhimit
të mbeturinave, janë duke dhënë efekt.
Edhe
një gjë: respekt për këta punëtorët e rinj që me aq përkushtim po e kryejnë
punën e tyre dhe aspak respekt për ata dembelët e kaluar që vinin, e shikonin
malin e mbeturinave, dhe iknin. Kultura qytetare nuk duhet vlerësuar me ngjyrën
e trupit, me racën apo gjuhën që flasim, por me kapacitetin për t'iu bindur
ligjit dhe përgjegjësive të cilat kemi pranuar t'i bartim. Ti mund të rrahësh
gjoks se je ma i lashti në botë, por kur të duket normale të jetosh mes
bërllogut, je veç një mjeran dhe asgjë më shumë.
___________
Prej
të gjitha kafshëve politike militantët janë më të vëmendshmet. Ata e hetojnë të
parët çdo lëvizje në frontin politik dhe të parët i riorientojnë sulmet me
artilerinë e fyerjve digjitale. Që nga mbrëmë hetohen zhvillime të reja në këtë
drejtim. Në frontin e ashpër VV- PDK shënohet një rënie e dukshme e granatimeve
reciproke, ndërkaq në kampin opozitar ka filluar një këmbim i ashpër zjarri digjital midis
njësive të PDK-së dhe LDK-së. Këto zhvillime dramatike pritet që shumë shpejt
të përfshijnë edhe studiot e debateve televizive. Big Brother i politikës
kosovare po fillon. Bashkë me të edhe lumturia e një populli të tërë, i cili
nuk mund ta kuptojë botën pa partitë e tij.
___________
Rastësisht
më ra në dorë një libër i poetit italian Gjakomo Skoti. Në vitin e largët 1969
Skoti paska qenë në Isniq të Deçanit dhe nga ajo vizitë paska lënë një kujtim
të bukur poetik.
Në katundin Isniq
Një
nga një i zbathëm këpucët,
mikpritësit
na i shtrënguan duart
kurse
qielli këndonte rreth nesh.
Në
livadh sofra e shtruar,
ç'të
dëshirosh në të.
E
rreth saj mikpritësit e mysafirët-
Ndërsa
një plak i binte lahutës,
kujtonte
të lashtat kohëra,
të
prekshmet kujtime-
e
tingujt thyheshin në brigje.
Ish
mbrëmje, e unë e dija
vetëm
një fjalë shqip: Mirëdita.
Ashtu
thashë e s'e vërejti kush gabimin
se
për ne ajo mbrëmje
ish
mëngjesi më i bukur në zemër.
1969
___________
Por
çfarë historie qëndron prapa këtij kremtimi. Një histori aspak e lavdishme, për
të mos thënë banale: marrja e burgut të Bastijes nga kryengritësit e korrikut
të vitit 1789.
Pse
banale?
Kryengritësit
i ishin suluar Bastijes me idenë për të çliruar të burgosurit politikë të
regjimit, por me të hyrë brenda e kishin kuptuar se aty ndodheshin vetëm shtatë
të burgosur, të cilët mbaheshin për arsye krejtësisht jopolitike. Ata ishin
thjesht kriminelë ordinerë.
Historia
është e mbushur me qindra, në mos mijëra, shembuj të tillë të glorifikimit e
shenjtërimit të ngjarjeve banale e figurave të rëndomta historike. Arsyeja
është se shteteve dhe kombeve u intereson fuqia përbashkuese e simboleve e
miteve dhe jo të vërtetat shkencore. Sepse komunitetet njerëzore, kombet,
religjionet, mbahen në këmbë përmes narrativave mitologjike, e jo permes
fakteve shkencore. Sepse identitetet, në fund të fundit, janë komplekse
simbolesh e mitesh. Vetëm një kombi i shihet për të madhe kjo punë: kombit
shqiptar. Sa herë shqiptarët dalin të kremtojnë simbolet e mitet e tyre
identitare, shfaqet turlifar budalle, që s’ia ka haberin se si ndërtohen dhe
funksionojnë konstruksionet sociale, dhe kërkon
“përligjje shkencore” për festat e tyre.
Jep
Zo’men aty ku s’ka!
___________
Në
Shqipëri po ekzistoka një këshill i përbashkët ndërfetar, i përbërë nga krerët
e besimeve fetare. Në krye të tij qenka Janullatosi, kreu grek i Kishës
Autoqefale Shqiptare, i cili, edhe pse ndodhet tash e 32 vjet në drejtimin e
saj, kurrë nuk ka marrë mundimin ta mësojë gjuhën shqipe. Dhe kjo i thotë të
gjitha. Mjerë Noli e Konica çfarë kanë lanë pas!
___________
Këndej
kanë fillu me i pre sharkiat me sharrë të druve, andej politikanë (I. Meta) e
biznismenë (Gjergj Luca) kanë fillu me u ngjitë shtyllave e me i dertu hallet e
popullit nga maja e tyre. Përfundimisht dikush na ka qitë n'ujë diçka.
___________
Nuk
bën vaki që një deputet i Kuvendit të Shqipërisë të ngrihet dhe të fyej
kryeministrin ose ministrat e Kosovës. Sepse ata i njohin dhe u përmbahen rregullave
themelore të korrektesisë që kërkohen në komunikimin mes zyrtarëve të dy
shteteve mike.
E
kundërta ndodhë me këta tanët. Nuk kalon ditë që ndonjë deputet a zyrtar i
pushtetit të mos shfaqet duke sharë e fyer ata të Shqipërisë, duke filluar nga
kryeministri e poshtë. Kjo tregon se në çfarë niveli mjeran e kanë kulturën e
komunikimit politik dhe sa pak dijnë të sillen sipas moralit të përgjegjësisë
institucionale që kanë. Thënë shkurt e shqip: janë analfabetë politikë, në
kuptimin e plotë të fjalës. Nëse nuk ndalet, kjo gjuhë e egër e komunikimit
politik një ditë ka me lanë këtë vend pa asnjë mik mbi faqe të dheut.
___________
I
lumtë Gjakovës! Gjithmonë ka ditë me ba dallimin.
___________
Fotografi
e vitit 1936. Ceremoni kurorëzimi në Kishën e Françeskanëve në Shkodër. Prifti
që udhëheq ritualin është Gjergj Fishta, dora vetë. Shikoni pjesëmarrësit dhe
veshjen e tyre. Një skenografi oksidentale në çdo detaj. Një skenografi që na
flet ma shumë se mijëra fjalë se nga kush dhe si u ruajt identiteti europian i
shqiptarëve.