E hene, 29.04.2024, 10:36 PM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Dhuna është përpjekje e dëshpëruar për të kompensuar autoritetin e humbur

E marte, 16.04.2024, 07:56 PM


Prof. Blerim Latifi:

Është një rregull e njohur që nga kohët e moçme: sa më shumë që lëkunden themelet e një sundimi, aq më brutale bëhen sjelljet e tij ; pasi ka humbur autoritetin, sundimi përpiqet të mbahet në këmbë përmes dhunës. Sepse, siç argumenton Arendt, dhuna është përpjekje e dëshpëruar për të kompensuar autoritetin e humbur.

Sigurisht se kjo rregull vlen edhe për sundimin e burrave mbi gratë. Dhuna dhe vrasjet e grave nga burrat e tyre në Kosovë janë pasojë strukturore e rënies rapide të këtij sundimi.

Dhe këtë rënie nuk do të mund ta ndalojnë dot as qetapet e mykura, as kanunet egershane, as mitet e sajume ndër shekuj për ta legjitimu e mirëmbajtë këtë sundim.

As gjaku i grave të vrara.

Përkundrazi, ky gjak do t’ia shkurtojë edhe më shumë ditët këtij sundimi.

___________

Avancimet në progresin teknologjik janë aq të shpejta, saqë më nuk kemi kohë as të shohim prapa grumbullin e madh të shpikjeve të vjetëruara, që askujt më nuk i hyjnë në punë, përjashto kuratorët e muzeve.

Të arriturat teknologjike kanë filluar t'u ngjajnë meteorëve, shkëlqimi i të cilëve zgjatë vetëm për pak sekonda. Ky fat po u ndodhë edhe dronëve. Në momentet kur bota nisi të fascinohet me ta, doli Iron Dome( Kippat Barzel) e Izraelit dhe e shuajti shkëlqimin e tyre.

Kemi hyrë në epokën e tekno-darvinizmit: vetëm kombet që arrijnë t'i përshtaten shpejtësisë marramendëse të inovacionit teknologjik, mund të bëjnë llogari për të ardhmen. Të tjerëve u mbetet të shpresojnë në fatbardhësinë e rastësive historike.

___________

Tetorin e shkuar Rusia dhe Irani e nxitën Hamasin të sulmojë Izraelin për të hapur një front të ri lufte, në mënyrë që Rusia të shpërqendronte Amerikën dhe aleatët tjerë perëndimorë të Ukrainës.

Tash si duket i ka ardhur radha vetë Iranit për t'ia bërë të njëjtin shërbim Rusisë. Pra lufta në Ukrainë dhe në Lindje të Mesme janë dy anë të së njëjtës medalje: diktaturat e pista të Lindjes kundër Perëndimit demokratik, bota e tiranive të reja kundër botës së lirë.

___________

Vashat e Kosovës në ballinën e botës: Nanë Tereza (1975), Dua Lipa(2024)



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora