Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Nata e 8 qershorit 1999
E premte, 07.06.2024, 07:58 PM
Blerim Latifi:
Ka
qenë nata e 8 qershorit 1999. Një krismë pushke ma nxorri gjumin. Xhelal Abazi,
bashkluftëtari im nga Shkupi, i cili po kryente rendin e rojës në transhenë
tonë të përbashkët, më tha: Çka u bo? U çove i trembun! I thash: N'andërr e
dëgjova nji pushkë të keqe dhe diqysh m'u duk se vinte andej nga Prekazi.
Kisha
lexuar sa e sa herë mbi kumtet e kobshme që njerëzve u ishin transmetuar përmes
botës misterioze të ëndrrave dhe në ato çaste mendja më shkoi tek ato.
Mos
vallë kjo ëndërr e keqe po më përcillte një lajm të kobshëm nga familja ime,
për të cilën nuk kisha asnjë lajm prej gati tre muajsh?
Ashtu
i zhytur në mendime, dola nga transheja. Kishte kaluar ora dy e natës. I thash
Xhelalit që të futej në transhe dhe të flinte gjumë, se unë do të bëja pjesën
tjetër të rojës.
U
mbështeta tek një shkëmb që ishte aty afër transhesë dhe derisa erdhi dita e re
u enda nëpër njëmijë e një mendime. Ëndërra e keqe më nxiste të mendoja se
diçka e kobshme kishte ndodhur në familjen time, ndërsa arsyetimi racional më
shtynte në kahun tjetër, në atë të mosmarrjes seriozisht të paralajmërimeve të
errta oneirike. Vetëm breshëritë e armëve që dëgjoheshin herë pas here përgjatë
vijës së fronit të Kosharës, ma ndërprisnin përkohësisht këtë luftë mendimesh.
Me
20 qershor, kur u ktheva në Prekaz, e kuptova të vërtetën. Krisma e kobshme në
ëndrrën e 8 qershorit nuk kishte qenë makth iracional i ardhur nga thellësitë e
pavetëdijës time. Një ditë më herët kishte rënë dëshmori i fundit i Prekazit në
luftën e gjatë të Kosovës për liri,
djali i axhës, Fadili. Dy muaj pas rënies së babës së tij, Arifit.